E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Taksa progresive e Ramës do të largojë investitorët e huaj”

31-03-2013 / Gazeta 55

Ministri Imami, takime në komunat e qarkut të Elbasanit

Ministri Imami ka deklaruar nga Elbasani se Edi Rama na propozon që të vendosim një taksë progresiste e cila do të pengojë investimet e huaja dhe bizneset e vendit.  Kryetari i Grupit të Punës të Partisë Demokratike për Qarkun e Elbasanit, Arben Imami, zhvilloi disa takime ne komunat e Librazhdit si Stërblevë, Lunik, Zdrajsh, etj.
Gjatë takimit me banorët e Stërblevës, Imami tha se, “kurrë nuk ishte menduar të bëheshin vepra kaq madhore në një afat kaq të shkurtër kohorë. Të gjitha shifrat kanë ecur përpara, sikurse e tha edhe Kryeministri në parlament, kemi bërë 10 mijë km rrugë, kemi për të bërë edhe 3 mijë të tjera, ky nuk është një problem për ne. Partia demokratike nuk e ka më problem të premtojë ndoshta ishte problem para 5 – 6 vitesh”.
Sipas tij  situata është e qartë. “Gjithë qarku i Elbasanit me 30 milion euro kompletohet me rrugë. Ne në mandatin e parë realizuam rrugën e kombit, mandatin e dytë, rrugën e Elbasanit ku po shpenzohet shumë u shpreh ai pasi në mandatin e ardhshëm nuk kanë mbetur vepra kaq të kushtueshme. Ne ecim me hapa të sigurt, sepse me këtë politikë ekonomike që kemi ndjekur, me këto investime po mbyllet i gjithë programi urbanistik i rrugëve dhe tre mijë km rrugë fshati”, theksoi Imami.
Ndërkohë, sipas ministrit Imami ajo çka thotë Edi Rama është të rrisim taksat, d. m. th.:, ti vëmë një pengesë investimeve të huaja gjë e cila do të sjelli uljen e qarkullimit të parave këtu dhe shumë shpejt do të futet Shqipëria në krizë, madje jo shumë shpejt, por menjëherë sepse janë të gjithë në krizë. 
Më pas Kryetari i Grupit të Punës të PD për qarkun e Elbasanit Imami u ndal të komentoi edhe sondazhet e fundit të cilat e nxjerrin Partinë Demokratike partinë që kryeson sot në vend me mbështetjen më të gjerë nga qytetarët shqiptarë.
“Ajo çka mund të them është se në vitin 2005 në qarkun  e Elbasanit nuk ka pasur asnjë km rrugë të asfaltuar në fshat. Sot janë me qindra, janë bërë 40 shkolla, kanë ngelur edhe 30, të cilat do të bëhen patjetër, qendrat shëndetësore, ujësjellës, por ne e kemi treguar se dimë ti bëjmë.  Jam i sigurt cilësoi Imami se qarku I Elbasanit do të jetë një qark fitues për Partinë Demokratike, ashtu siç jam i sigurt për të gjithë punën që po bën partia dhe qeveria për këto zgjedhje, ndaj do të jetë një fitore më e mirë, më e thellë se ajo e vitit 2005 dhe 2009”, nënvizoi ai. 
Sipas tij qëllimi i mazhorancës ka qenë që nëpërmjet investimit në infrastrukturë të rrisim punën dhe prodhimin që puna të ketë më shumë vlerë.
“Më shumë punë dhe paga më të larta. Duke u rritur puna juaj, rritet mirëqenia, por edhe pasuria kombëtare.
Besoj se ka qenë një strategji e mirë, e qartë, një strategji e cila ka dhënë rezultate. Në  4 vitet e fundit prodhimi në fshat është rritur me 33 për qind që do të thotë se vendet e punës në bujqësi janë rritur me 33 për qind, pra është shtuar puna, janë shtuar të ardhurat për shkak të kësaj infrastrukture që kemi ndërtuar. Sigurisht tha Imami, duke u shtuar puna dhe të ardhurat, shtohen edhe mundësitë e qeverisë për të investuar më shumë”, vijoi ai.
Në fund të takimit Imami vuri në dukje se një nga objektivat kryesore në mandatin e ardhshëm do të jetë investimi në bujqësi, vaditje dhe kullim. “Përveç këtyre ka pasur një mbështetje të veçantë  për të subvencionuar prodhimin tuaj. Ajo që duam të bëjmë ne është më shumë vende pune, më shumë punë me paga më të larta. Ne e kemi mbajtur premtimin, në 8 vjet janë rritur në mënyrë të vazhdueshme pagat dhe pensionet ndërkohë që në vendet fqinje janë ulur.  Kryetari i partisë socialiste na propozon që të vendosim një taksë progresiste e cila do të pengojë investimet e huaja dhe bizneset e vendit.  Shqipëria është I vetmi vend që nuk është futur në krizë”, përfundoi Imami.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›