“Opozita destruktive, ecën në kahun e kundër të integrimit”

Ministri Genc Pollo zhvillon takime në rrethet e Beratit dhe Kuçovës
Kryetari i grupit të punës në Qarkun e Beratit dhe njëkohësisht, ministri i TIK, Genc Pollo, ka vijuar takimet me strukturat e PD-së në këtë qark, duke u ndalur në komunën Kozare të rrethi të Kuçovës.
Gjatë fjalës së tij, ministri Pollo tregoi arsyet se pse njerëzit më 23 Qershor do të votojnë për here të tretë Partinë Demokratike, kjo edhe përballë një opozite destruktive, që ka ecur në kahun e kundër me integrimin, zhvillimin dhe interes jetike të vendit. “Prandaj nuk është çështje e një gare elektorale të zakonshme, tha gjatë fjalës së tij Ministri Pollo, por është një kauzë e madhe që shkon përtej elektoratit tradicional të Partisë Demokratike, për të ruajtur një kurs zhvillimi, i cili vendin, shoqërinë shqiptare dhe çdo njëri, duke filluar nga individi, tek familja, tek komuniteti, do ta çojë në rrugën drejt prosperitetit, drejt zhvillimit, drejt begatisë”.
Sipas tij, edhe pse situata ekonomike në rajon dhe më gjerë nuk ka qenë e favorshme, situata në Shqipëri fatmirësisht ka qenë më ndryshe në aspektin pozitiv dhe kjo falë politikave të drejta dhe reformave të qeverisë së zotit Berisha.
“E themi këtë sepse gjatë këtyre 4 viteve në rajon, në Europë dhe më gjerë, situata ekonomike, ajo financiare, nuk ka qenë e mirë. Edhe vendet që nuk janë në euro janë goditur duke shkaktuar përgjysmime të administratës, përgjysmime të rrogave, nganjëherë edhe të pensioneve. Në Shqipëri kjo nuk ndodhi dhe kjo falë dinamizmit të ekonomisë dhe dinamizmi i ekonomisë është falë politikave të drejta dhe reformave të suksesshme të qeverisë Berisha”.
Të vetmit që nuk kanë dakord me këtë model zhvillimi dhe rritje ekonomike janë Partia Socialiste dhe kryetari i saj, Edi Rama, i cili, sipas zotit Pollo, është një humbës dhe dështak në politik.
“Ky model zhvillimi nuk duhet kërcënuar nga Partia Socialiste, e aq më pak nga Partia Socialiste në pushtet. Për më tepër që ajo ka problemet e veta, për më tepër që Edi Rama është manifestuar si humbës, një herë, dy herë, tre herë, si dështak në shumë gjëra, si i paaftë për të qenë kryetar partie dhe opozite dhe fryma në tërësi është, përfshi edhe qarqet që janë të majta, për fitoren tonë sërish. Jo për të thyer rekordin, por, e para, PD-ja e meriton dhe, e dyta, është në të mirë të të gjithë vendit, të majtë, të djathtë, pa parti”, deklaroi Pollo.
Komuna Kozare së bashku me komunën e Perondisë janë 2 nga 3 njësitë vendore që ka rrethi i Kuçovës, të cilat në zgjedhjet lokale të vitit 2011 u fituan nga kandidatët e Partisë Demokratike.