E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët e qarkut të Elbasanit “votojnë” 3 ligjet e integrimit

31-03-2013 / Gazeta 55

Kryetarja e Kuvendit, Topalli: Muri i bllokimit shembet në 23 qershor

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti dje në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, një grup studentësh të Universitetit të Elbasanit. Kryeparlamentarja informoi të rinjtë me punën dhe funksionet e Kuvendit si hallka më e rëndësishme legjislative në vend. Më pas ajo bashkëbisedoi me ta për aktualitetin politik, projektin e mazhorancës për katër vitet e ardhshme dhe integrimin europian të Shqipërisë. Refuzimi për të tretin vit radhazi të statusit të vendit kandidat të Shqipërisë, ka bërë që pjesë e këtij debati të përfshihen të gjitha grupmoshat.
Të rinjtë, veçanërisht studentët, janë shtresa më sensitive përsa i takon sfidave të integrimit dhe përfitimeve prej statusit të vendit kandidat në BE. Ndaj, studentët e qarkut të Elbasanit i kërkuan kryetares së Kuvendit, votimin në mënyrë simbolike të 3 ligjeve të Brukselit.
Në një koment të saj në Facebook, Topalli shprehet se “të rinjtë duan integrimin, ashtu si shumica e shqiptarëve”.
Ndërsa, tha ajo, ata që duan të bllokojnë ëndrrën e qytetarëve shqiptarë, përgjigjen e marrin në 23 qershor. “Ata më kërkuan nëse mund të votojnë në mënyrë simbolike tre ligjet e integrimit. Me shumë kënaqësi hapëm votimin dhe të gjithë, në unanimitet votuan tre ligjet në tre sekonda. Ata duan integrimin, ashtu si shumica e shqiptarëve. Renato, një student i ulur në karrigen e Kryeministrit tha se të rinjtë do të japin votën e tyre për të shembur murin e bllokimit ashtu si në vitin ‘90 ishin të rinjtë ata që shembën murin e izolimit. Renato është një nga mijëra të rinjtë shqiptarë që duan Shqipërinë në Europë. Ata janë pjesë e ndryshimit! Përpara! Miqësisht Jozefina”,  shkruan në faqen e saj në Facebook, kryetarja e Kuvendit.
Aktiviteti u organizua nga kryetari i Këshillit Kombëtar Studentor, Qamil Dika ndërsa morën pjesë edhe deputetë të Partisë Demokratike në Qarkun e Elbasanit, Dashnor Sula, Ardian Turku, Sybi Hida dhe Adriana Gjonaj. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›