Tahiri: “Maxhoranca miraton në fshehtësi ligjin për SHISH-in. Veprimi, antikushtetues”
Pas shumë përpjekjesh të Partisë Socialiste, qeveria nuk ka marrë parasysh asnjë propozim të saj për draftin e Shërbimit Informativ të Shtetit. Në këto kushte, PS-ja, dje, nëpërmjet deputetit Saimir Tahiri, ka denoncuar miratimin në mënyrë të fshehtë të draftit të SHISH-it, duke e cilësuar atë antikushtetues. Deputeti Tahiri ka bërë përgjegjëse menjëherë kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli që, sipas tij, ka lejuar të zhvillohen nën hundën e saj mbledhje sekrete. Gjithashtu, Tahiri ka kërkuar shkarkimin e kryetarit të Komisionit të Ligjeve dhe i ka bërë thirrje maxhorancës të deklarojë pa asnjë ekuivok tërheqjen pa kushte nga ndryshimet e propozuara për ligjin e SHISH-it dhe qeveria të kërkojë ndjesë publike ndaj opozitës, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Deklarata
Maxhoranca ka miratuar draftin e SHISH-it duke shpërfillur jo vetëm opozitën, por edhe thirrjet e ndërkombëtarëve. Miratimin e këtij projektligji në fshehtësi nga deputetët e maxhorancës, Tahiri e ka cilësuar si dëshminë e radhës së kryeministrit, i cili po synon me çdo kusht ta tërheqë vendin në spiralen e një diktature të maskuar. Sipas tij, këto metoda fashiste me mbledhje sekrete nga deputetë të paguar nga taksat e qytetarëve, por që sillen si guerilë, na bën të dyshojmë sot më shumë se kurrë se Sali Berisha po synon të rikthejë SHIK-un famëkeq si institucion dhune e represioni për interesat e tij politike. “Pas publikimit në mediat e sotme, PS-ja denoncon një akt të rëndë që vë në dyshim të fortë vullnetin e maxhorancës dhe të kryeministrit për të zgjidhur kolapsin politik në vend, duke kërcënuar tryezën e dialogut, si dhe rikonfirmon tentativën e fshehtë për të kapur, kontrolluar e shantazhuar çdo qelizë të shoqërisë, përfshirë opozitën, nëpërmjet kamxhikut politik që po instalohet në SHISH”, - u shpreh Tahiri, duke shtuar se deputetët e maxhorancës, së bashku me të dërguarin personal të kryeministrit, materializojnë vullnetin e Sali Berishës për të kapur SHISH-in e për ta përdorur politikisht atë, siç ka bërë edhe në të shkuarën.
Projektligji
Drafti i propozuar nga qeveria parashikon të drejtën që i jepet institucionit të SHISH-it për të përgjuar të gjithë ata individë që me veprimet e tyre synojnë të përmbysin sistemin e demokracisë parlamentare. Megjithëse dispozita e parashikuar mbetet evazive, ajo nënkupton të drejtën e përgjimit të përfaqësuesve të opozitës duke e kthyer këtë institucion në një instrument tërësisht politik. Një praktikë e tillë është e parashikuar në draftin ligjor që të bëhet përmes një firme që i kërkohet kryetares së Kuvendit. Midis të tjerave, ndryshimet në këtë ligj zhvlerësojnë firmën e Presidentit të Republikës në emërimin e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të SHISH-it. Kjo për faktin se propozimet e kryeministrit, para se t’i dërgohen Presidentit, do të marrin miratimin e Kuvendit. Pasi propozimet marrin miratimin e Kuvendit, atëherë situata bëhet e vështirë për Presidentin që të mos i miratojë emrat e propozuar nga kryeministri, që gëzojnë mbështetjen e shumicës parlamentare, ndaj dhe firma e tij kthehet në një procedurë formale të parëndësishme. Por kështu, projekti parashikon kufizimin e mandatit të drejtuesve të SHISH-it deri në 5 vjet me të drejtën e riemërimit për një mandat të dytë.
Pas daljes së projektligjit reagoi edhe Ambasada Amerikane në Tiranë dhe ekspertët e misioneve të huaja që ndjekin reformat ligjore. Ata janë shprehur kritikë në disa pika të draftit që kanë të bëjnë me misionin e SHISH-it, mandatin dhe raportet e tij me politikën dhe institucionet e tjera.
23 Shkurt 2010