E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debatet publike, PS-ja trajnon deputetët

03/04/2009  Socialistët po përgatiten për tu përballur me mazhorancën Drejtojnë italianët

Çështjet më të debatuara gjatë kësaj kohe në qendër të debateve të improvizuara

Debatet publike që priten të jenë prezente gjatë ditëve të ethshme elektorale, improvizohen paraprakisht mes radhëve të lidershipit socialist. Kështu, të diktuar nën përvojën e ekspertëve italianë, deputetët dhe ekipi drejtues i Partisë Socialiste kanë nisur “provat gjenerale” për përballjen në publik mes tyre dhe kundërshtarëve politikë. Ishte pikërisht takimi mes disa deputetëve, drejtuesve politikë të PS-së dhe ekspertëve të huaj pak ditë më parë në qytetin e Durrësit ai që u mor pikërisht me këtë pjesë të përgatitjeve në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Çështjet më të debatuara gjatë këtyre katër vjetve, por sidomos eventet e rëndësishme si në jetën parlamentare, ashtu dhe jashtë saj, kanë qenë pjesë e debateve të improvizuara gjatë këtij trajnimi. Kjo me qëllimin që përfaqësuesit socialistë të kenë një performancë sa më të gjetur sa u takon përballjeve me kundërshtarin, por dhe lidhur me argumentet që ato duhet të paraqesin mbi çështje të ndryshme. Burime pranë këtij takimi thanë se ndër pikat më kryesore ku u ndal ky kurs trajnimi kishin të bënin konkretisht me ndryshimet në Kushtetutë, dorëheqjen ose jo të zotit Rama nga kreu i Bashkisë së Tiranës, akuzat e ardhura nga kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta në adresë të lidershipit të PS-së, si dhe mjaft tema të tjera, cilat janë shoqëruar jo me pak tension mes klasës politike. Për pasojë dhe debatet e inskenuara mes radhëve socialistë në këtë trajnim ishin të përqendruara në këto tema. Kësisoj mësohet se i pranishëm në këtë takim ka qenë dhe vetë Rama, i cili natyrisht ka mbajtur pozicionin e kryesocialistit në provëpërballjet e improvizuara gjatë këtij takimi. Po nga këto burime bëhet me dije se përballjet më të spikatura ishin mes kryetarit Rama dhe disa nga eksponentët e lartë të Partisë Socialiste. Konkretisht debatet Rama–Blushi dhe Rama–Majko. Por në të dyja rastet Rama ka përfaqësuar pozicionin real të tij, ndërsa Blushi e Majko në pozitat e kundërshtarëve politikë të PS-së. Në këtë mënyrë, lidershipi i Partisë Socialiste shfaqet i vëmendshëm në çdo detaj të përgatitjeve për fushatën elektorale. Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit kanë shtuar ethet e garës nga njëra anë, por nga ana tjetër kërkojnë dhe një përqendrim të përfaqësuesve politikë në atë çfarë do të deklarojnë apo do të premtojnë lidhur me këtë fushatë. Me sa duket kupola rozë për të qenë “perfekte” në këtë pjesë nuk ka vonuar të kërkojë ndihmën e ekspertëve të huaj për një prezencë brenda kuadros së duhur në këtë fushatë të ethshme elektorale. Kështu, komunikimet dhe debatet publike të drejtuesve dhe përfaqësuesve të ndryshëm të Partisë Socialiste janë dy nga elementet kryesore ku do të përqendrohet trajnimi nga ekspertët e huaj. Trajnimi nisi pak ditë më parë me një pjesë të sekretariatit të Partisë Socialiste në Pogradec, ku qe i pranishëm edhe vetë kryetari socialist Edi Rama.

Qëllimi

Trajnimi i deputetëve socialistë sa u takon debateve publike me kundërshtarët e tyre politikë konsistonte në një parapërgatitje të përfaqësuesve të PS-së përpara zhvillimit në realitet të këtyre përballjeve. Në këtë mënyrë, PS-ja shfaqet e gatshme për të tilla debate.

Synimi

Koordinimi mes përfaqësuesve socialistë është elementi kryesor në këtë ndihmë që japin ekspertët e huaj. Kjo duke dashur që të shmangen përplasjet mes tyre në zhvillimet gjatë fushatës elektorale lidhur me atë çfarë do të transmetojnë në publik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›