E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debati, PD-ja kundër rritjes së personelit të KQZ-së

KQZ-ja miratoi dje të gjitha vendimet, që lidhen me filmimin e vendeve të numërimit
TIRANË- Shtimi i strukturës së personelit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, vetëm për zgjedhjet e qershorit, do t'i kushtojë buxhetit të këtij institucioni rreth 35 milionë lekë të rinj. Pavarësisht kontestimeve të përfaqësuesit të Partisë Demokratike, Njazi Kosovrasti, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar me shumicë votash aktin për shtimin e personelit të saj edhe me 458 punonjës, të cilët në varësi të pozicionit dhe nevojave të këtij institucioni, do të punojnë nga 20 ditë deri në 6 muaj.


Ky kontigjent punonjësish, do të vihet në ndihmë të të 10 drejtorive apo departamenteve të KQZ-së, duke filluar nga vetë departamenti i personelit, drejtoria juridike, drejtoria teknologjike, drejtoria për marrëdhëniet me jashtë, drejtoria financës, logjistikës, e për të përfunduar me sektorin e marrëdhënieve me publikun. Siç u bë e ditur edhe nga përfaqësuesit e zyrës së financës në këtë institucion, për pagimin e këtij numri shtesë punonjësish, është parashikuar të vihet në dispozicion një fond prej 350 milionë lekësh të vjetra.


Ndërkohë, për shkak të rritjes së kësaj fature, përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti, ka shprehur pakënaqësi në lidhje me kërkesat e drejtorive për shtim personeli në këto përmasa, duke i konsideruar ato si të ekzagjeruara.


Gjatë mbledhjes se djeshme, KQZ-ja ka miratuar dhe aktin për përdorimin e 385 kamerave regjistruese dhe të 385 monitorëve për shfaqjen e fletëve të votimit në vendin e numërimit të votave. Megjithatë, ky proces vendimmarrës, nuk ka përfunduar pasi, KQZ-ja, për shkak të mungesës së një fature financiare, nuk ka vendosur ende për mënyrën e realizimit të prokurimit të këtij projekti, që në vetvete përbën një risi për zgjedhjet shqiptare. Por, duke u nisur nga koha e pakët që është dispozicion, si për të kryer një tender të hapur, ashtu edhe për instalimin e rrjetit në të 66 sallat ku do të vendosen grupet e numërimit, juristët i kanë propozuar KQZ-së që të ndjekë rrugën me negocim, pa njoftim paraprak, të një kompanie të specializuar, që do të bëjë të mundur ofrimin e këtij shërbimi.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›