E Diel, 1 Nëntor 2026

Uidhers: Shtyrja e zgjedhjeve? Është vendim i drejtuesve politikë

Qendrimi

"Nëse ka ndryshim në plan, atëherë duhet konsensus"


TIRANË- Shtyrja ose jo e zgjedhjeve është një vendim që nuk merret nga Ambasada Amerikane, por nga vetë forcat politike në vend. "Preferenca ime është që në vend që të flas për mundësi hipotetike, të punoj shumë në mënyrë që ky proces, për të cilin është rënë dakord, të realizohet. Mendoj se kjo kërkon përpjekje të mëdha nga të gjitha palët e përfshira në proces, por edhe nga drejtuesit politikë në vend. Në pikëpamjen time, ne kemi ende përpara nesh mundësinë që gjërat të funksionojnë ashtu si janë planifikuar.


Nëse do të ketë alternativa të tjera, këto duhet të zgjidhen midis drejtuesve politikë të vendit, duhet të jetë vendim i tyre. Pra, do ishte në dorën e tyre, jo tonën",- tha ambasadori amerikan, teksa u pyet mbi mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve. I pyetur sërish se a e shihte shqetësues debatin mes forcave politike, që mund të çonte në pamundësi për gjetjen e një zgjidhjeje, Uidhers ka thënë qartë se çdo ndryshim i planit, duhet të arrihet përmes një marrëveshjeje të re mes forcave politike.


"Forcat e ndryshme politike realizuan atë plan që ne kemi sot përpara nesh. Mendoj se duhet të ndërmerret çdo përpjekje e mundshme që ky plan të funksionojë dhe të realizohet, sepse ishte një plan i arritur mes forcave politike. Nëse do të ketë ndryshim në atë plan, për të cilin është rënë dakord, kjo nuk është diçka që i përket Qeverisë Amerikane apo Ambasadës Amerikane. Këto ndryshime duhet të realizohen me marrëveshje midis drejtuesve politikë shqiptarë", - tha ai.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›