Krokodilë dhe viça
Edmond Tupja
Të shumëllojshme janë pasojat e krizës që po kërcënon ekonominë botërore në ditët tona. Një ndër to është edhe rënia e çmimit të artikujve prej lëkure krokodili deri në 30-40 për qind, të paktën sipas një lajmi dhënë nga RFI këto kohët e fundit. Sikur ta merrnin vesh këtë lajm krokodilët, këta rrëshqanorë të mëdhenj të ujërave në vendet tropikale e ekuatoriale, do të gëzoheshin me siguri sepse, logjikisht të paktën, kjo tregon që artikujt në fjalë nuk shiten më si përpara, po rrinë stoqe, çka do të thotë se njerëzit që merren me këtë biznes do të vrasin më pak krokodilë, të paktën sa të fashitet kriza ekonomike.
Po qe se kjo krizë, largqoftë, do të thellohej e shtrihej njëkohësisht, do t’u binte çmimi ndoshta edhe artikujve prej lëkure viçi, për shembull, dhe viçat me prindërit e tyre, lopët qumështore dhe demat e racës, do të gëzoheshin pa masë. Nëqoftëse njerëzimi do ta kishte përjetuar këtë krizë në kohën e Gjermanisë naziste, mbase do t’u kishte rënë çmimi edhe abazhurëve të kobshëm prej lëkure njeriu. Por le të kthehemi te krokodilët dhe viçat e sotëm që çfarë nuk do të jepnin për të shpëtuar lëkurën e tyre.
Po t’i besojmë Fjalorit të gjuhës shqipe të vitit 2006, në kuptimin e saj të figurshëm, fjala “krokodil” do të thotë “njeri i pangopshëm dhe mashtrues”, kurse shprehja “lot krokodili” do të thotë “lot të rremë”, pra, që dikush i derdh duke u shtirë si fatkeq me qëllim që ta mallëngjejë e ta mashtrojë tjetrin. Nga ana tjetër, fjala “viç”, përveç kuptimit të mirëfilltë si pjellë e lopës, ka edhe një kuptim të figurshëm: “njeri i papjekur e pa përvojë; njeri i trashë nga mendja”, madje, kur thuhet “viç i palëpirë”, bëhet fjalë për një njeri shumë të papjekur dhe po aq të trashë nga mendja, në mos më tepër.
Le të përfytyrojë tani lexuesi im i vëmendshëm e i paanshëm se çfarë mund të ngjajë kur një krokodili të mirëfilltë i del përpara një viç po aq i mirëfilltë! Me një mijë për qind, vetëm një gjë nuk mund të ndodhë assesi: që viçi të gllabërojë krokodilin ose që krokodili t’ia mbathë me të katra nga frika!
Punët nisin e ngatërrohen, të paktën sipas mendimit tim, kur bëhet fjalë për krokodilë dhe viça në kuptimin e figurshëm të këtyre dy fjalëve! Kështu, në atdheun tonë të dashur paskomunist ose parakapitalist, quajeni si të doni, ku politika shfaqet ashtu siç e ka përcaktuar D’Alembert-i, filozof frëng i shekullit XVIII, pra, si arti i të mashtruarit të njerëzve, kemi detyrimisht krokodilë dhe viça, domethënë mashtrues dhe të mashtruar. Kjo dukuri, e vjetër sa vetë bota dhe vetë qenia njerëzore, është kaq e pranishme, kaq agresive, kaq e paturpshme, kaq cinike në shoqërinë tonë – kujtoni fjalën e urtëçmendur “Shtatë (ose nëntë) hile, një trimëri” – saqë nuk numërohen më krokodilët: në politikë (pozitë/opozitë shkartisur, parti, aleanca e grupime partish), biznes, tregti, mjekësi, arsim, sindikata, OJF etj., etj., kurse, nga krahu tjetër, ndodhemi ne, viçat, të ndërgjegjësuar si të tillë ose ende të pandërgjegjësuar, pak rëndësi ka! Po, po, i dashur lexues i ndershëm i rubrikës sime të çdo të diele, ne, viçat, që herë reagojmë, herë shtangemi, herë dorëzohemi para krokodilëve, të cilët, për të ruajtur lëkurën e tyre duke mbushur xhepat e panumërt që kanë nën të, nuk mungojnë të derdhin kohë pas kohe, në situata dramatike, lotët e tyre aq prekës e tronditës, por, gjithsesi të rremë e mashtrues. Ndërkaq, edhe ne, viçat, derdhim lot, por këta janë lot dhimbjeje, lot pafuqie për t’i ndryshuar gjërat e për t’i ndrequr padrejtësitë e epokës së sotme shqiptare.
Dikur, në shekull XIX, frëngu Victor Hugo shkroi romanin “Të Mjerët”, kurse një shekull më vonë, shqiptari Migjeni shkroi “Poemën e Mjerimit”. Kam përshtypjen se ka ardhur koha që të dalë një Victor Hugo shqiptar dhe një Migjen tjetër që të shkruajnë përkatësisht romanin “Të Mashtruarit” dhe “Poemën e Mashtrimit” për t’u lexuar edhe nga krokodilët tanë të figurshëm, por prej mishi e kocke, që na përgjojnë pareshtur sypërlotur e gojëhapur.