E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debati, Prokuroria kundër përgjimeve nga Bode

Organi i akuzës: Ministria e Financave mund ta kryejë përgjimin e personave të dyshuar nëpërmjet një bashkëpunimi me Prokurorinë

TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme ka mbetur e habitur nga nisma ligjore e qeverisë, për t’i dhënë edhe Ministrisë së Financave të drejtën për të kryer përgjime të mjeteve të komunikimit të telefonisë, apo postës elektronike. Thoma Jano, Drejtor i Drejtorisë së Përgjimeve në Prokurorinë e Përgjithshme, i ftuar dje në Komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare, për të dhënë vlerësimet e organit që ai përfaqëson, për projektligjin “për disa shtesa në ligjin për Përgjimin e Telekomunikacioneve”, është shprehur se ekzekutivi nuk është konsultuar aspak me organet e specializuara në fushën e përgjimeve kur ka përgatitur këtë draft. “Prokuroria e Përgjithshme nuk kishte dijeni për këtë projektligj që propozohet”, -tha drejtori Thoma Jano. Pavarësisht mungesës së komunikimit me iniciatorët e këtij ndryshimi, ai në emër të Prokurorisë së Përgjithshme, ka vlerësuar se projektligji në fjalë bie në kundërshtim me disa norma të tjera ligjore, që përcakton ligji bazë i përgjimeve i vitit 2003. Në këtë mënyrë, ai ka evidentuar faktin se Ministria e Financave mund ta ketë një të drejtë të tillë për të ushtruar përgjimin, vetëm nëse ka një shërbim të posaçëm informativ, i cili dhe mund të kryejë këtë proces. Duke iu referuar pikërisht ligjit të vitit 2003, ai ka theksuar se të drejtën e shërbimit të përgjimit e kanë vetëm ato struktura informative të ngritura me ligj të veçantë, siç është rasti i SHKB-së në Ministrinë e Brendshme, SHIU në Ministrinë e Mbrojtjes, etj., por nuk mund ta ketë Ministria e Financave, e cila nuk i ka këto struktura. “Ligj i 2003-shit i shërben përgjimit parandalues, u shërben atyre institucioneve informative të krijuara me një ligj të veçantë, që kanë një strukturë të miratuar, që kanë procedura pune të fshehta në kuadër të veprimtarisë informative. Unë nuk e di nëse tek Ministria e Financave ekziston një strukturë që kryen veprimtari informative. Sigurisht për këtë duhet të ketë një ligj të veçantë”,- tha drejtori Jano. Ai i ka kujtuar zëvendësministrit të Financave, Florian Mima, dhe drejtorit të Tatimeve Arben Sefgjini, që mbronin projektligjin përpara komisionit të Sigurisë Kombëtare, se ky institucion mund ta kryejë përgjimin e personave të dyshuar se kryejnë vepra penale si, evazion fiskal, apo kontrabande nëpërmjet një bashkëpunimi me Prokurorinë. Sipas tij, si organet tatimore ashtu edhe ato doganore, nëpërmjet policisë gjyqësore kanë të drejtë t’i kërkojnë Prokurorisë përgjimin e kujtdo personi që dyshohet se po kryen, ose ka kryer një vepër penale, por s’mund ta bëjë këtë vetë, pasi nuk ka atribute të përcaktuara në ligj të veçantë. “Si tatimet dhe doganat, kanë polici gjyqësore, kanë të drejtë të kërkojnë pranë prokurorive për rastet e veprave penale të të gjithë objektit të tyre, që nga korrupsioni, kontrabanda, të kërkojnë përpara prokurorit në rastet kur shihet e nevojshme për sigurimin e provës edhe përgjimin. Kjo është në kompetencë të prokurorit të çështjes”, - tha Jano. I të njëjtit qëndrim me të kanë qenë edhe deputetët e opozitës, Stefan Çipa dhe Piro Lutaj, të cilët i kanë kërkuar qeverisë që të sjellë një ligj tjetër për krijimin e një strukture të posaçme përgjimi pranë Ministrisë së Financave. “Dua të them se këto ndërhyrje të shpeshta herë pas here në ligje të kaq të rëndësishme, tregojnë tendencën në rritje të qeverisë për të krijuar organizma kontrolli të fshehta, të cilat nuk janë shumë të përshtatshme në demokraci”, - tha Lutaj. Ndërkohë, nga ana tjetër drejtori i Tatimeve Sefgjini, dhe zëvendësministri i Financave Mima, kanë hedhur poshtë logjikën e ndjekur nga deputetët e opozitës dhe i dërguari i prokurorisë, duke theksuar se ligji i 2003 i lejon çdo institucioni që të ketë të drejtën e përgjimit. Ata kanë këmbëngulur se Ministria e Financave mund ta kryejë këtë shërbim nëpërmjet Policisë Gjyqësore që ka në varësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›