E Diel, 1 Nëntor 2026

Tronditen familjet nga dhuna, alarmohen institucionet

Zv/ministrja e Brendshme, Zajmi, pohon se në dhunë përfshihen edhe familjet intelektuale, dhe viktimë mund të jetë kushdo.

Dhunë fizike, psikologjike, madje edhe viktima. Ky është fenomeni që po shoqëron familjet shqiptare, ku shifrat po bëhen gjithnjë e më alarmante. Pikërisht për dhunën në familje, u organizua dje një takim ndërministror, ku u bë publike shkalla që ka arritur ky fenomen dhe strategjitë që po ndiqen për t’i vënë fre. Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale me Organizatën e Kombeve të Bashkuara, nëpërmjet PNUD-it, organizuan Konferencën Kombëtare “Për një Familje dhe Shoqëri të Barabartë dhe pa Dhunë”, ku morën pjesë ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, zv/ ministrja e Brendshme, Iva Zajmi dhe e Arsimit, Adriana Gjonaj.

Dhuna

Nxirje, thyerje gjymtyrësh, lëndime dhe trauma të përjetshme. Por, si të mos mjaftonin këto, edhe ekzekutime të llahtarshme, ku viktima janë sidomos gratë. Të gjitha këto ndodhin në familjet shqiptare. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ahmet Premçi, tha se gjatë këtij viti janë 612 persona, kryesisht femra, që kanë denoncuar dhunën në polici, por numri real është shumë më i madh. "Brenda këtij viti ka pasur 612 denoncime në polici për dhunë ndaj personit. Por, sipas OJF-ve dhe organizatave të huaja, janë shumë më tepër rastet e dhunës",- u shpreh Premçi. Ndërsa zv/ministrja e Brendshme, Zajmi, ka dhënë alarmin se dhuna në familje ka gjithpërfshirje, sa nuk përjashtohen edhe familjet intelektuale. "Në dhunë përfshihen edhe familjet intelektuale dhe viktimë mund të jetë kushdo. Edhe në marrëdhëniet hierarkike në ambientet e punës, mund të gjejmë forma dhune",- u shpreh Iva Zajmi.

Strategjia

Qendër Kombëtare për të pritur të gjitha viktimat e dhunës në familje. Nëse më parë një qendër e tillë nuk ekzistonte, tashmë viktimat do të kenë një strehë dhe do të marrin ndihmën përkatëse. Këtë e pohon ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Anastas Duro, i cili shpjegoi se për t’i vënë fre fenomenit, duhet të bashkëpunojnë të gjitha strukturat përkatëse. “Pikërisht për të realizuar këtë të fundit, këto ditë kemi përcaktuar edhe godinën që do të shërbejë për krijimin e strehëzave për gratë e dhunuara, nëpërmjet rikonstruksionit që do të bëhet me ndihmën e PNUD-it. Kështu, viktimat e dhunës do të mund të trajtohen në këto qendra deri në rehabilitimin e tyre”, - pohon Duro. Ndërkohë, ai pohoi se dhuna në familje është një problem që prek të gjitha shtresat dhe grupet e shoqërisë, pa dallim moshe, gjinie, etnie, niveli ekonomik, zone gjeografike e besimi fetar. Megjithatë, ai thekson se më së shumti, dhuna prek gratë dhe fëmijët, si kategoritë më të pambrojtura dhe të ekspozuara ndaj saj. Gjithashtu, u bë e ditur se gjatë këtij viti janë trajnuar rreth 500 punonjës të shëndetësisë (mjekë, infermierë, mami); mbi 350 punonjës të policisë; 110 gjyqtarë e prokurorë, etj. Vitin e ardhshëm do të vazhdohet me trajnimin e psikologëve, strukturave që administrohen nga Shërbimi Social Shtetëror, mjekë ligjorë.

612 denoncime në polici, për dhunë ndaj personit na familje, ka pasur brenda këtij viti, sipas Ministrisë së Brendshme.

350 punonjës policie janë trajnuar për dhunë në familje brenda këtij viti, sipas Ministrisë së Brendshme

Ministrja e Shëndetësisë, Godo, pohon se ka filluar të zbatohet ligji nga strukturat për të parandaluar dhunën në familje

Godo: Mjekët të raportojnë me detyrim rastet e dhunës

Dhuna në familje mund të shkaktojë aborte, depresion deri edhe vdekje. Këto janë disa nga pasojat që mund t’i ndodhin një personi që dhunohet në familje. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, e cila theksoi se dhuna është një fenomen që po prek ndjeshëm shoqërinë tonë. Sipas saj, 110 persona vetëm këtë vit kanë kërkuar ndihmë mjekësore, si pasojë e dhunës në familje.

Ndërkohë, ajo pohon se sistemi shëndetësor publik, luan një rol të rëndësishëm në çrrënjosjen e fenomenit të dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore. Sipas saj, duke qenë se personat e dhunuar paraqiten te punonjësit e shëndetësisë për të marrë ndihmën urgjente, janë pikërisht këta në pozicionin më të mirë për të identifikuar viktimat dhe për të ndërhyrë që në stadet e para, për t’i referuar drejt këto raste. Ndërkohë, ajo renditi disa nga aktet nënligjore në zbatim të detyrimeve që rrjedhin nga ky ligj dhe siguroi ndjekjen e zbatimit të tyre nga strukturat shëndetësore.

Detyrimet

Detyrimet e bluzave të bardha, sipas ministres Godo, do të fillojnë nga evidentimi në regjistrin dhe kartelën individuale, të viktimave të dhunës në familje. Kjo do të pasohet me urdhrin për pajisjen me raportin përkatës të rasteve të dhunës në familje. Gjithashtu, do të zbatohet edhe urdhri për trajtimin mjekësor në institucionet shëndetësore publike, të personave të dhunuar në marrëdhëniet në familje. “Është përgatitur formulari i unifikuar statistikor për mbledhjen e informacionit mbi rastet e dhunës së trajtuara nga shërbimet tona”,- pohon Godo, duke shtuar se në paketën bazë të shërbimeve që ofrohen nga qendrat e kujdesit parësor, është përfshirë edhe ofrimi i shërbimit të parandalimit dhe trajtimit të viktimave të dhunës në familje, si pjesë e shërbimeve. Gjithashtu është përgatitur protokolli i unifikuar për trajtimin e dhunësnë familje, i cili ofron udhëzime për mënyrat e depistimit, kujdesin e integruar fizik e psikologjik për pacientët që pranojnë abuzimin, vlerësimin dhe planin e sigurisë për viktimën e dhunuar, dhënien e informacionit mbi të drejtat e pacientit dhe ligjin për dhunën në familje, referimin e viktimës tek burimet ekzistuese për shërbime të tjera sociale e ligjore. e.bardhi

110 persona të dhunuar këtë vit kanë kërkuar ndihmë mjekësore, sipas ministres së Shëndetësisë

500 punonjës të shëndetësisë janë trajnuar për t’u dhënë ndihmë personave që pësojnë dhunë në familje

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›