E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strasburgu “zbardh” krimet e Lul Cakës



Gjykata e Strasburgut zbardh vendimin e saj për Lulzim Cakën, ish-të fortin e Myzeqesë pas vitit 1997 tashmë i burgosur në Shqipëri për disa akuza. Në vendimin e Strasburgut, radhiten në mënyrë kronologjike krimet e kryera nga Lulzim Caka gjatë vitit 1997 deri në prangosjen një vit më vonë kur ishte plagosur. Ishin pikërisht këto ngjarje që e dërguan Cakën në qeli, për herë të parafundit, derisa ai tre vite më vonë do të arratisej dhe do i rikthehej sërish përplasjeve me hasmët e tij, ku kishte shtuar edhe me anëtarët e fisit çala nga Berati, ata që dikur ishin aleatët e tij më të fortë. Ankimi në Strasburg i Lulëzim Cakës është bërë vetëm për ngjarjet para vitit 1998, ndërkohë që ai ndodhet në proces për ngjarje të ndodhura pas arratisë së tij në vitin 2001. Më poshtë publikohet vendimi i Gjykatës së Strasburgut për ankesën e Lulzim Cakës ku viktimat dhe dëshmitarët janë përmendur me iniciale.
Ankuesi Lulzim Caka, ka lindur në 1970 dhe aktualisht vuan dënimin në një burg në Shqipëri. Ngjarjet që i paraprijnë arrestimit të ankuesit.
Vrasja e P.
P.(Pëllumb Emini.red) u vra më 21 korrik 1997. Në një datë të pacaktuar në vitin 1997 kundër ankuesit u filluan hetimet penale. Gjatë këtyre hetimeve motra e viktimës A., megjithëse nuk kishte qenë e pranishme në vendin e ngjarjes, ka deklaruar se ankuesi kishte vrarë vëllain e saj. Ajo e bazonte dëshminë e saj në shpjegimet e tre dëshmitarëve B. C. dhe D., të cilët rezultuan se u pyetën në një datë të pacaktuar.
Më 6 tetor 1998 policia gjyqësore, organi përgjegjës për drejtimin e hetimeve penale dhe identifikimin e autorit, propozoi që të pezulloheshin hetimet penale, meqenëse autori i krimit nuk mund të identifikohej. Megjithatë, në 15 tetor 1998 prokurori depozitoi një padi kundër ankuesit pranë Gjykatës Berat.
Vrasja në tentativë ndaj policëve

Në vitin 1997 Shqipëria u godit nga trazirat civile, si rezultat i rënies së skemave piramidale. Depot e armëve u plaçkitën dhe një numër i konsiderueshëm armësh ranë në duart e popullsisë civile. Rivendosja graduale e rendit publik bën të domosdoshme kontrolle të vazhdueshme të policisë. Rrjedhimisht më 18 mars 1998 forcat policore të Beratit ngritën pika kontrolli për të ushtruar kontrolle, për armëmbajtje pa leje. Pasdite herët në të njëjtën ditë, nëpunësit e policisë në detyrë, në pikën e kontrollit të vendosur në rrugën kryesore ndërmjet qyteteve Berat dhe Fier, qëlluan me armë ankuesin dhe X.(Xhevair çela.red), një tjetër person që po ngiste motoçikletën bashkë me të. Si rezultat X. vdiq dhe ankuesi u plagos rëndë. Sipas të dhënave të policisë mbi incidentin, dy personat që po ngisnin një motoçikletë (të identifikuar më vonë si ankuesi dhe X.), nuk ndaluan kur në pikën e parë të kontrollit policia i urdhëroi të ndalonin. Policia në pikën e dytë të kontrollit dëshmoi se ankuesi kishte qenë duke ngarë motoçikletën dhe ka qëlluar në drejtim të punonjësve të policisë me automatik dhe revolver njëkohësisht. Policia i është përgjigjur zjarrit dhe ka qëlluar për vdekje X.,-in, pasagjerin në ndenjësen e pasme të motoçikletës. Pavarësisht faktit që ankuesi ishte plagosur, ai ka vazhduar të qëllojë derisa është dorëzuar. Policia raportoi se ka mbledhur në vendngjarje dy automatikë “Kallashnikov”, dy pistoleta, plumba dhe gëzhoja, motoçikletën, një maskë, një kapelë, një palë këpucë tenisi dhe gjëra të tjera që mendohet të jenë përdorur nga ankuesi dhe X. Rezulton që armët automatike, pistoletat, plumbat dhe gëzhojat janë dërguar për ekzaminim balistik.
Arrestimi
i lul Cakës
Më 18 mars 1998 ankuesi dhe një tjetër i dyshuar, E., u arrestuan në lidhje me ngjarjen e mësipërme. Ankuesi u dërgua në spital, ku ai qëndroi për disa orë për trajtim mjekësor meqenëse ishte plagosur. Pas lirimit nga spitali në të njëjtën ditë, ai u vu në arrest në Berat. Më 19 mars 1998 ankuesi u ekzaminua nga një mjek, i cili vlerësoi gjendjen e tij shëndetësore përgjithësisht të kënaqshme. U konkludua se plagët që kishte marrë ankuesi ishin nën nivelin e plagëve të lehta të trupit që kërkonin jo më shumë se nëntë ditë pushim. Më 19 mars 1998 prokurori akuzoi ankuesin për tentativë vrasjeje në bashkëpunim me të tjerë dhe posedim të paligjshëm të armëve të zjarrit. Gjatë marrjes në pyetje në të njëjtën ditë, ankuesi nuk ka dhënë asnjë informacion në lidhje me akuzat kundër tij. Kërkuesi ka kërkuar praninë e avokatit të tij, F. Më 20 mars 1998 Gjykata e Beratit konfirmoi ligjshmërinë e arrestimit të ankuesit. Më 8 prill 1998 prokurori vendosi të ndërpresë hetimin penal kundër E., duke vlerësuar se ai nuk kishte kryer ndonjë vepër penale. Më 9 qershor 1998, 22 shtator 1998 dhe 15 tetor 1998, i pyetur nga prokurori, ankuesi është mbrojtur dhe përfaqësuar nga G., një tjetër avokat i zgjedhur nga ai vetë. Më 15 tetor 1998 Prokuroria e Beratit depozitoi akt-akuzën pranë Gjykatës së Rrethit Berat, duke e akuzuar ankuesin për vrasjen me paramendim të P. dhe vrasjen e mbetur në tentativë të punonjësve të policisë më 18 mars 1998. Rezultoi që u bashkuan të dy procedimet penale kundër ankuesit. fa.ma.

Shkeljet e gjykatave shqiptare ndaj Lul Cakës
Gjykata e Strasburgut në vendimin e shpallur pas ankesës së Lulzim Cakës pohon se 40- vjeçari nga fshati Samaticë i Beratit është ankuar për shkelje të nenit 3 të Konventës duke pretenduar për pamjaftueshmërinë e trajtimit mjekësor që atij i është dhënë ndërsa ndodhej në paraburgim. Caka pretendon se kishte pësuar dëmtime të rënda gjatë konfrontimit me policinë më 18 mars 1998, ditën që ishte arrestuar pranë fshatit Pobrat. Lul Caka është ankuar edhe në bazë të nenit 6 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut duke pretenduar se atij i ishte mohuar e drejta për të pasur një proces ligjor. Kjo për faktin se ndaj tij ishin zhvilluar seanca gjyqësore në mungesë të tij dhe avokatit të zgjedhur nga ai. Kjo sipas Strasburgut është bërë edhe gjatë seancave që janë pyetur dëshmitarë të prokurorisë. Më tej Caka është ankuar se paraburgimi ndaj tij është zgjatur tej limiteve ligjore dhe se gjykatat shqiptare pa të drejtë kishin rrëzuar kërkesat e tij për skadimin e afateve të paraburgimit. Këtë pretendim të Cakës Gjykata e Strasburgut e ka pranuar duke vendosur në fund të linte në fuqi dënimin e tij me 25 vjet burg, ashtu siç kanë vendosur më parë gjykatat shqiptare.

“I pafajshmi” ende në listën e të kërkuarve

TIRANE- Moszbatimi i vendimeve të Strasburgut ka lënë ende në listën e të kërkuarve 40- vjeçarin nga Durrësi Arben Xheraj, i cili kohë më parë ka marrë pafajësinë në Gjykatën Evropiane. Xheraj është akuzuar për vrasje në vitin 1996 dhe është dënuar me 20 vjet burg, por Gjykata e Apelit pasi ka shqyrtuar çështjen në ngarkim të tij i ka dhënë pafajësi. Pas kësaj, organi i akuzës është ankuar në Gjykatën e Lartë, e cila ka rikthyer dënimin e dhënë nga Shkalla e Parë. Xheraj nëpërmjet avokatit të vet është ankuar në Strasburg duke pretenduar se përfaqësuesi i prokurorisë ishte ankuar në Gjykatën e Lartë jashtë afatit ligjor. Gjykata Evropiane e ka pranuar këtë pretendim të tij, pasi ka verifikuar dokumentacionin duke i dhënë të drejtë ankuesit. Por edhe pse vendimi në favor të tij është shpallur shumë kohë më parë, emri i tij ka mbetur ende në listën e personave të kërkuar nga Interpoli. Gjykata Evropiane në vendimin e saj shprehet se shkelja e Konventës ka ardhur si rezultat i anulimit të pafajësisë së Xherajt, të cilit pasi i është pushuar çështja dhe është shpallur i pafajshëm, prokurori është ankuar jashtë afateve në Gjykatën e Lartë duke siguruar lënien në fuqi të dënimit të Faktit. Pas odisesë në gjyqësorin shqiptar Xheraj iu drejtua Strasburgut duke fituar vendimin e formës së prerë që sugjeron se forma më e përshtatshme për korrigjimin e situatës do të ishte pafajësia e formës së prerë për të. Aktualisht mbrojtësi i Xherajt i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për ekzekutimin e vendimit të Strasburgut, por ky institucion e ka përcjellë dosjen në Gjykatën e Lartë për shkak të vakumit ligjor të krijuar në këtë rast. fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›