E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debati i republikaneve Perry-Romney replika per punesimin

Në Shtetet e Bashkuara, kandidatët për president në rradhët e Republikanëve kritikuan njeri-tjetrin dhe Presidentin Barak Obama gjatë debatit të tyre për vendet e punës, kujdesin shëndetësor, imigracionin dhe çështje të tjera. Në debatin që u transmetua nga Kalifornia nëpërmjet televizionit dhe Internetit në mbarë vendin, morën pjesë nëntë kandidatë,  e sic pritej në fokus ishin figurat kyce të konsideruar dhe si favoritë, Guvernatori i Teksasit, Rik Perri dhe ish guvernatori i Masaçusets, Mit Romni.

Të dy kandidatët theksuan arritjet e tyre për krijimin e vendeve të punës, duke thënë se përvoja personale do t’i ndihmojë  të krijojnë vende pune më shumë se sa ka krijuar Presidenti Obama. Por Romni dhe Perri kritikuan edhe njeri-tjetrin, duke thënë se kanë krijuar më pak vende pune se paraardhësit e tyre në shtetet respektive.

"Ne kemi krijuar më shumë vende pune në tre muajt e fundit në Teksas se Romni krijoi në katër vjet në Massachusetts," tha Perry ndërsa Romnei vuri theksin tek demografia e vecantë që favorizon ose jo një shtet të caktuar.  Për përfaqësuesen e Tea  Party Michele Bachmann, energjia  mbetet  kyce për krijimin e vendeve të punës.

Por për sa i përket çështjes së nxehtë të imigracionit, republikanët  ishin më pranë qendrimeve të njeri-tjetrit. Pothuajse të gjithë kandidatët ranë dakord se Shtetet e Bashkuara duhet të ndërtojë një gardh për gjatë gjithë kufirit me Meksikën për të penguar imigracionin e paligjshëm. Edhe kujdesi shëndetësor u debatua nga të nëntë kandidatët.

Ata u shprehën kundër planit për reformën shëndetësore të Presidentit Obama, duke thënë se ai është  tepër i shtrenjtë, krijon regulla që kufizojnë biznesin e vogël dhe shkurton vende pune. Debati zgjati një orë e 45 minuta e u sponsorizua nga kanali televiziv NBC dhe faqja e Internetit Politico.  Ai ishte i pari i tri debateve që janë planifikuar për tri javët e ardhëshme.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›