“Debati me Rugovën pas bisedës së publikuar në media”
• Presidenti i Nderit të Asamblesë parlamentare të PR-së, Sabri Godo, thotë se Gjykata e Hagës po vepron politikisht lidhur me dënimin e Rramush Haradinaj.Alfred PezaNë një intervistë në "Ora News", Godo flet edhe për debatin me Rugovën në 1994 dhe si e ka njohur Kryeministrin Hashim Thaçi. Një nga figurat më emblematike të Kosovës padyshim që mbetet zoti Ibrahim Rugova dhe me siguri që ju në këto kontakte kaq të shpeshta dhe gjatë angazhimeve që keni pasur në lidhje me çështjen e Kosovës e keni takuar atë. Kur ka qenë hera e parë? Si u duket figura e tij, sepse me kalimin i viteve ka pasur edhe komente kontradiktore rreth tij? Në vitin '92-'94 kam qenë në marrëdhënie të shpeshta me Rugovën, ai vinte dendur në Shqipëri, ne na ecte biseda me nga një çikë konjak përpara e flisnim për orë me radhë. Pastaj ndodhi një incident në fund fare në '94-ën, që e inatosi të ndjerin Rugova dhe preu marrëdhëniet me mua, ishin me të vërtetë shumë vëllazërore, na ecte shumë. Unë i thashë tani, ti Ibrahim, duhet të qëndrosh njëherë me të dy këmbët, sepse jep herë pas here opsione të ndryshme, jo duhet të jetë federatë, jo duhet të jetë brenda federatës, duhet të përcaktosh një qëndrim. Për fatin e keq se ishim të ndarë me një mur prej dërrase, këtej dëgjoi një gazetar dhe të nesërmen u publikua në "Koha Jonë" kjo. Domethënë le të themi se kjo këshillë apo ky observacion që i bërë unë Rugovës lidhur me politikën që ndiqte, nuk e di sepse kjo atë e zemëroi shumë, e quajti një pabesi timen dhe nga ajo ditë e prapa ne nuk komunikuam më me njëri-tjetrin. Pastaj kur ai shkoi në Beograd dhe nënshkroi duke pasur koburen në kokë atje dhe një deklaratë për anti NATO-n, unë shfaqa opinionin tim publikisht për ta kritikuar. Domethënë kaluam në një fazë tjetër të marrëdhënieve tona. Pastaj kur shkova në Kosovë u pajtuam menjëherë dhe u rikthyem në miqësinë e vjetër dhe sa herë shkoja atje, shkoja me dëshirë ta takoja, të bisedoja me të, si me një mik të vjetër. Tani lidhur me vlerësimin që mund të bëj unë, ai njeri ka jetuar një dramë të rëndë dhe kishte një filozofi të tijën, për rrugën që duhet të ndiqte Kosova drejt pavarësisë dhe lirisë. Unë them se atij i dridhej zemra kur mendonte se po të hynte në një konflikt të hapur të armatosur me serbët, edhe ai ua dinte fuqinë ushtarake, njihte dhe territorin e Kosovës ku ishte fushë, ku mund të lëviznin tanket dhe avionët nga të gjitha anët. I dridhej zemra se mos duke njohur dhe egërsinë e tërbimin e serbëve se mos e pësonte keq e më keq populli i tij, se mund të shkonte drejt shfarosjes dhe prandaj gjithnjë kërkonte të gjente një rrugë të mesme, të gjente një rrugë paqësore. Ai e dinte mirë se një konflikt i armatosur po të hapet me serbët, ishin kosovarët që do ta pësonin keq deri në fund, pa një përkrahje ushtarake të huaj. Pra, nuk kishte ardhur koha për këtë që të bënte një kryengritje. Unë them se kështu e mendonte. Tani ai është një martir. Është njeriu i madh i Kosovës, ishte ai ideatori i lirisë së Kosovës. Unë kam dëgjuar edhe njerëz të flasin keq për të dhe unë ata nuk i fal, sepse gjithsesi i thonë një fjale "ai që ka vdekur duhet të përcillet me fjalët më të mira, edhe në rast se ke ndonjë ankim ndaj tij". Unë kështu do ta përkufizoja atë, si një njeri që mbajti një peshë mbinjerëzore në supet e veta, i duroi të gjitha, u përpoq deri në fund të buzëqeshte dhe ashtu e mbylli jetën e tij. Duhet të kujtohet gjithnjë me nderim, ai ishte një nga arkitektët e pavarësisë, nuk mund të interpretohet ndryshe. Një tjetër arkitekt i pavarësisë dhe njeriu që në fakt lexoi edhe deklaratën e pavarësisë, një tjetër figurë e madhe politike e Kosovës së këtyre viteve është edhe zoti Hashim Thaçi. Kur e keni takuar për herë të parë dhe si mendoni, si arriti që një njeri 28 vjeç të mbante mbi supe peshën e Rambujesë, që ishte kryetar i delegacionit shqiptar në bisedimet me Serbinë dhe sot pa mbushur ende, apo sa ka mbushur 40 vjeç, të jetë njeriu që të lexojë deklaratën e pavarësisë së vendit të tij? Unë e kam njohur në kohën e pragut e luftës dhe kohën e luftës Hashimin dhe them së është një gjë e lehtë të vendosësh marrëdhënie miqësore me të, ta bën ai këtë të kollajtë, me natyrën e tij dhe ne hymë në marrëdhënie të atilla, sa po të duhet të përmend ndonjë episod për ilustrim. Do të thosha që në kohën kur unë mora një iniciativë personale edhe me mbështetjen e presidentit Meidani që në atë kohë, këtu në Tiranë të krijohej qeveria, që nuk po krijohej dot në Kosovë. Pothuaj ia dolëm kësaj pune, po të mos kishte ndodhur ajo që një ditë më parë Rugova të mos shkonte në Itali. Atëherë Thaçi ishte aq i lirë, sa më tha mua, bëjeni qeverinë tonë si të doni ju, jepuni ministra sa të duan këta të Lidhjes Demokratike, vetëm të kemi një qeveri që të na përfaqësojë. Është një njeri që në momentet e duhura mund të tregojë hapat tolerant deri në ekstrem, ashtu si tregohet i ngurtë në raste të tjera. Unë e kam takuar edhe në Rambuje, meqenëse ky ishte njeriu që ngulte këmbë m'u desh edhe ta merrja veç, të provoja nëse mund të kisha ndonjë ndikim personal mbi të për ta bindur të nënshkruanim. Unë për vete isha fiksuar në këtë ide, meqenëse serbët nuk nënshkruajnë dhe është e qartë se ata nuk do të nënshkruajnë, atëherë le të nënshkruajmë ne dhe konflikti do të mbetet ndërmjet NATO-s dhe Serbisë. Atëherë NATO do të thotë se tani kam punë me Serbinë, me shqiptarët e kam zgjidhur. Megjithatë një farë të drejte kishte Thaçi, se gjërat që shkruhen mbeten dhe ai kërkonte që atëherë që të shkruhej qartë se brenda një kohe të shkurtër, do të jepet e drejta popullit të Kosovës me referendum të vendosë fatin e vet. Tani ai ka fituar një përvojë të madhe politike, ka ditur të thithë shpejt, t'i kapë gjërat. Kjo flet për një inteligjencë mbi mesataren, ka qëndrueshmëri fizike dhe shpirtërore të mirë, është formuar si një lider që mund të marrë përsipër tani, ashtu siç mori në kohën e luftës dhe negociatave, të marrë përsipër çuarjen e Kosovës përpara, të Kosovës që ishte rënduar me probleme të shumta. Dita e pavarësisë ka edhe të sakrifikuar, padyshim që ai është zoti Ramush Haradinaj, ish-kryeministri i Kosovës, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, që ndodhet në Hagë. A e meritonte edhe zoti Haradinaj të ishte ditën e pavarësisë në sallën e Kuvendit?Ramushi është një plagë do të thosha. Pas Jasharajve, familja e tij është ajo që ka sakrifikuar më shumë. Ka 3 vëllezër të vrarë nga serbët. Por pavarësisht nga kjo, ai u tregua me të vërtetë një njeri me intuitë të fortë, një inteligjencë të mprehtë e vullnet dhe këtë e tregoi për habi gjatë tre muajve që ishte kryeministër. Të them të drejtën e kisha njohur më parë në disa raste, mirëpo unë kisha ngrënë edhe drekë e darkë me të, nuk më kishte lënë atë përshtypjen që ky mund të bëhej kryeministër dhe të udhëhiqte Kosovën në një periudhë të vështirë. Atëherë thashë me vete ç'ndodhi me Kosovën që vuri këtë djalosh kryeministër. Pastaj ai më habiti si habiti edhe tërë botën, është një njeri konsekuent, burrëror, këtë e tregoi kur u dorëzua dhe shkoi në gjyq dhe përballoi gjyqin. Tani unë them që ai është një lloj viktime, sepse prokurori ka kërkuar për të 25 vjet burg dhe nga këto praktikat gjyqësore dihet që kur ka një akuzë të tillë prokurori, atëherë në rastin e mirë do të zbresë në 10-15 vjet. Pse të dënohet kaq rëndë Ramushi, i cili të paktën për shërbimet që bëri në kohën e paqes, për t'u pajtuar me serbët dhe ai këtë mund ta bënte më mirë se kushdo, se i kishte kartat në rregull. Përse? Them diçka të guximshme, që nuk duhet ta thotë një njeri që pretendon se merret me politikë, s'kam si ia bëj ndryshe, Gjykata e Hagës duket se vepron edhe politikisht. Është shumë e vështirë ta thuash këtë gjë, është gjë e madhe, është gjë e rëndë. Por, mua më duket se në rastin e Ramushit kështu është. Mbase dikush do t'u thotë serbëve që ne duam t'u gjykojmë juve për krimet e përbindshme që keni bërë, krime lufte, krime njerëzimi, por nuk lëmë edhe palën tjetër pa prekur dhe pala tjetër na qenka Ramushi. Kjo është një gjë e rëndë dhe që tingëllon me të vërtetë, por duhet të ishte Ramushi atje në shpalljen e pavarësisë, duhej të nënshkruante, atje mungojnë edhe viktima të tjera të ndritura, të mëdhenj, Jasharët që u vranë në luftë, Femi Agani. Është një burrë që e kam njohur dhe një burrë i rrallë. Tani lufta ka viktimat e veta, mund të arrijnë atje të gjithë ata që i hynë asaj rruge, dikush do të mbetet si viktimë, dikush do të japë jetën si martir dhe do të kujtohet si i tillë. Këta që mungojnë e kanë vendin atje, në memorien e kosovarëve dhe kjo kështu do të mbetet përgjithnjë.