E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Proporcionali rajonal largon partitë virtuale

• Partia Socialiste i qëndron tezës së saj për aplikimin e një sistemi proporcional me lista të mbyllura.Bashkëkryetari i Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore, Kastriot Islami, deklaroi dje se "në lidhje për reformën zgjedhore jemi më pranë një sistemi zgjedhor proporcional rajonal". Për Islamin çështja e listave të mbyllura është vendosur me PD-në dhe se nuk mund të ketë vazhdim të një debati të tillë politik. "Nga analizat e deritanishme bëhet fjalë për t'iu afruar më tepër një sistemi proporcional rajonal, ndërkohë që parametrat e tjerë mbeten të hapur për diskutim. Nuk bëhet fjalë për lista të hapura apo për lista të mbyllura, por për lista të mbyllura dhe votë preferenciale. Ka një artikulim të ndryshëm nga partitë kryesore në favor të listave të mbyllura dhe nga një pjesë tjetër për votën preferenciale. Ky diskutim mbetet i hapur për të shkuar drejt një vendimmarrjeje", theksoi Islami. Ndërsa për VOA, sekretari për Çështjet Zgjedhore, Islami u shpreh se, "me këtë sistem që po realizohet synohet të largojmë partitë virtuale që ekzistojnë sot në Shqipëri apo kandidatë për deputetë që imponojnë zgjedhjen e tyre". Ndërsa për sistemin proporcional, zyrtari socialist shprehet se, "parametrat e tij janë numri dhe madhësia e zonave elektorale". "Është rënë dakord, të paktën nga komunikimi jopërfundimtar, që të përdoret ndarja administrative aktuale, gjë që do ta bënte më të lehtë diskutimin. Nëse do të bëhej një ndarje e re shtrohej problemi i përcaktimit të kufijve të zonave elektorale, që duhet të kenë afërsisht një numër të barabartë votuesish, ndërkohë që kur përdoret ndarja administrative aktuale ky diskutim eliminohet, duke e bërë më të lehtë ndarjen e zonave elektorale në përputhje me atë administrative", thekson Islami. Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore nuk ka zhvilluar asnjë mbledhje për të diskutuar mbi variantet e mundshme të pragut elektoral apo të sistemit që do të përdoren. Gjatë këtyre muajve ka pasur vetëm takime informale mes dy bashkëkryetarëve të këtij komisioni, Rusmalit të PD-së dhe Islamit të PS-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›