E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godina, ambasada kosovare mes asaj serbe dhe ruse

• Pas kërkesës së Kryeministrit Berisha për të përcaktuar godinën e cila do të shërbejë si ambasadë e Kosovës në Tiranë, Ministria e Jashtme ka përfunduar gjithçka.Do të jetë vila nr. 6, mbrapa kullave në qendër të Tiranës, godina që do të shërbejë si ambasadë për shtetin më të ri në botë. Kjo godinë është përdorur më parë nga misioni i OSBE-ODIHR, por që këta të fundit e kanë lënë, pas marrjes së një ambienti tjetër. Por ajo që bie në sy është fakti se godina ku do të vendoset ambasada e Kosovës është ngjitur me ambasadën serbe dhe pak më lart është ajo ruse. I pari që ka parë nga afër mjediset ku do të vendoset ambasada kosovare ka qenë ministri i Kulturës së Kosovës, Skënder Hyseni, i cili i shoqëruar nga një grup i Ministrisë së Jashtme ka shkelur i pari në "tokën kosovare" në Tiranë. Gjatë paradites së djeshme, ministri Hyseni ka zhvilluar një takim me Kryeministrin Berisha. Në këtë takim kreu i qeverisë i shprehu ministrit kosovar vlerësimet më të larta për festimet në Kosovë gjatë ditës së pavarësisë, duke i cilësuar ato si festimet më dinjitoze dhe qytetare që ka njohur bota shqiptare ndonjëherë. "Më tej Kryeministri Berisha u shpreh se kjo ngjarje madhore historike përbënte lirinë e vërtetë të Kosovës dhe se populli i Kosovës dhe klasa politike shqiptare përjetuan lumturinë e pavarësisë, por edhe keqardhjen për mungesën në këtë organizim festiv të ish-Presidentit Rugova, arkitektit të Pavarësisë së Kosovës, si dhe atyre heronjve që humbën jetën dhe bënë sakrificën sublime për lirinë dhe sovranitetin e Kosovës", thuhet në njoftimin për shtyp.    a.sh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›