E Diel, 1 Nëntor 2026

Vasili: Nuk ka bashkëpunim me deputetët që votuan presidentin

• "I bëjmë thirrje lidershipit të PS-së të heqë dorë nga ortakëritë e pandershme me Berishën, të largohet nga interesat personale dhe të vendose mbi çdo gjë interesat e vendit".Kështu reagoi dje sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, në lidhje me akuzat e lëshuara nga liderët e PS-së për përplasjet për reformën zgjedhore. Vasili theksoi se, "koalicioni 'E majta për integrim' do të mbrojë me çdo kosto interesat e së majtës dhe do integrojë gjithë faktorët që dëshirojnë fitoren e së majtës në 2009-ën". "Pazaret e ditëve të fundit të artikuluara nga eksponentë të majtë, që kanë qenë arkitektë të deformimeve të vazhdueshme të zgjedhjeve në vend, rrezikojnë seriozisht procesin e integrimit në NATO. LSI deklaron se lëvizja jonë parimore për votën e lirë s'ka asnjë lidhje me qëllimet e ngushta të Fatos Nanos, i cili mban po aq përgjegjësi sa lidershipi aktual i PS-së për situatën konfliktuale brenda së majtës", deklaroi Vasili. Sipas tij, "LSI-ja shpreh keqardhjen që Rama u fut në llogoren e politikës së vjetër dhe destruktive Nano-Berisha, në dëm të interesave të elektoratit të majtë shqiptar dhe fitores së të majtës në zgjedhjet e ardhshme".Ai theksoi se LSI nuk hyn në asnjë marrëveshje me subjekte apo faktorë politikë që kërkojnë të mbështesin sisteme zgjedhore që cenojnë votën e lirë dhe deformojnë vullnetin e popullit shqiptar". "LSI përshëndet qëndrimin e të gjitha forcave politike që janë shprehur në mbështetje të qëndrimit tonë parimor, në veçanti PDS-në e PAD-së dhe garantojmë votuesit shqiptarë se do të vazhdojmë të ndërgjegjësojmë të gjithë faktorët e tjerë politikë për t'u bërë barrikadë ndaj tentativave djallëzore dhe të fshehta të politikës së vjetër të lidershipit PD-PS, që në 17 vjet kanë prodhuar zgjedhje të kontestuara dhe kosto të mëdha në kurriz të integrimit euroatlantik të Shqipërisë", tha Vasili.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›