Meta: Në 2009 të votojnë dhe emigrantët
• Në Ahen të Gjermanisë u zhvillua Konventa e Dytë e LSI në Evropë.Në këtë aktivitet morën pjesë 300 delegatë, përfaqësues të LSI-së nga shtete të ndryshme të Evropës, si nga Gjermania, Italia, Greqia, Norvegjia, Danimarka, Belgjika, Holanda, Franca etj. Në këtë Konventë të organizuar nga Komiteti Drejtues i LSI në diasporë, mori pjesë edhe kryetari i LSI, Meta, i shoqëruar nga drejtues të tjerë të LSI, si dhe nga përfaqësues të saj në pushtetin vendor. Konventën e nderuan me praninë e tyre edhe lideri i socialistëve në Parlamentin Evropian, Martin Shulz, ministrja e Shëndetësisë, Ula Shmid, si dhe kryetari i socialdemokratëve të Ahenit dhe deputet i këtij landi, Karl Shulthais. Sekretarja ndërkombëtare, Brunilda Paskali, në fjalën e saj falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe vlerësoi organizimin e LSI në diasporë. Në raportin e paraqitur nga kryetari i LSI në diasporë, Leonard Beqiri, evidentoi punën e bërë deri tani, veçanërisht në afrimin e shumë intelektualëve dhe studentëve që jetojnë jashtë atdheut. Duke marrë fjalën në mes të një entuziazmi, kryetari i LSI, Ilir Meta, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në Konventë, si dhe vlerësoi punën e Komitetit Organizator. Meta shprehu kënaqësinë që kjo Konventë e LSI në Evropë mbahet në Ahen, pasi ky qytet me vendosjen gjeografike midis tre shteteve me lëvizje të lirë midis tyre, është simboli më i qartë i Evropës së bashkuar dhe një shembull i mirë edhe për Ballkanin, që zgjidhja më e mirë është heqja e kufijve dhe jo spostimi i tyre. Meta ritheksoi mesazhin e tij që shqiptarët duhet të bashkohen në BE. Më pas, lideri i kësaj partie u ndal në vlerat që ka anëtarësimi i Shqipërisë në NATO. Ai theksoi se nëse do të merret ftesa e anëtarësimit, imazhi i Shqipërisë do të ndryshojë për mirë dhe do të ketë një vërshim të investimeve të huaja. "Por, për të mundësuar anëtarësimin në NATO, Meta theksoi se janë dy kushte të vendosura nga ky organizëm, si dhe nga BE; realizimi i Reformës Zgjedhore dhe asaj në Drejtësi. Pavarësisht se Shqipëria ka 17 vite që zhvillon zgjedhje të kontestuara dhe me defeçite, sërish reforma zgjedhore është bllokuar dhe po zvarritet nga lidershipi i PD dhe i PS. Meta kërkoi edhe njëherë realizimin e një ndër çështjeve kryesore që duhet të zgjidhë reforma zgjedhore, që është vota e emigrantëve atje ku ata jetojnë, çështje e cila ka qenë gjithnjë kredo e LSI që nga krijimi i saj", deklaroi Meta. Gjatë fjalës së tij, Meta u shpreh gjithashtu se emigrantët janë një ndihmesë shumë e rëndësishme jo vetëm për ekonomitë familjare, por edhe të ekonomisë kombëtare. "Prandaj, tha Meta, është shumë e rëndësishme që edhe shteti shqiptar të garantojë të drejtat e emigrantëve, duke nisur që nga vota që ata duhet të japin për zgjedhjen e parlamentit dhe qeverisë shqiptare. Shqipëria është vendi i katërt në botë që përfiton nga të ardhurat e emigrantëve, ndaj dhe LSI, por dhe të tjerët duhet të punojnë për realizimin e të drejtave të emigrantëve". Në Konventë përshëndeti edhe ministrja e Shëndetësisë së Gjermanisë, Ula Shmid, e cila vlerësoi LSI si një forcë që krijon bindje për bashkëpunim. Shmid përcjell përshëndetjet personale për Metën nga ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Shtajnmajer. Konventën e përshëndetën edhe kryetari i socialdemokratëve gjermanë të qytetit të Ahenit, Shulthais, si dhe përfaqësuesi i LSI në Itali, Roland Jaçe, përfaqësuesi i LSI në Norvegji, Bujar Zhuri dhe përfaqësuesi i LSI në Greqi, Agim Tutulani. Në përfundim të punimeve të saj, Konventa e Dytë e LSI në Evropë miratoi një rezolutë. Konventa e Tretë e LSI në Evropë do të mbahet në pranverën e vitit 2009 në Itali.