E Diel, 1 Nëntor 2026

Debati në Kuvend, Topi: E papranueshme për qytetarët

TIRANË - Të papranueshme e ka cilësuar Presidenti i Republikës, Bamir Topi, seancën parlamentare të dy ditëve më parë, ku Kuvendi u përfshi në një debat shterp prej tre orësh. “Sigurisht që unë nuk dëshiroj të rikthehem, për të komentuar një seancë të Parlamentit, që në fakt është pjesë e një rituali tashmë të papranuar, nga ndjeshmëria e qytetarit shqiptar. Edhe njëherë, me cilësinë e këtij pozicioni që kam, dëshiroj t’i bëj apel të gjithë parlamentarëve, pa përjashtim, pa i diferencuar ata, nëse janë të një krahu apo të një tjetri, por si përfaqësues të popullit, që të rikthejnë urgjentisht dimensionin demokratik parlamentar”, tha dje, Presidenti i Republikës pas vizitës së zhvilluar në Tepelenë. Presidenti i Republikës i ka bërë thirrje të gjitha institucioneve kushtetuese, që të veprojnë sipas Kushtetutës dhe ligjit. “Unë, edhe nga Tepelena, do t’i bëja thirrje të gjitha institucioneve kushtetuese, që të rivendosen sa më shpejt në korrektësinë dhe në detyrimin që i dikton Kushtetuta, i dikton ligji, sepse sa më shumë të jenë ata në detyrën e tyre, sa më shumë të flasin ata me ligjin, aq më pak do të ketë mjedis për abuzime të karakterit politik dhe sa më shumë ata të jenë në detyrën e tyre, aq më shumë do të ketë qetësi për qytetarët”, tha Topi. Ndërsa lidhur me videon më të fundit, të publikuar në media, Meta-Prifti, Presidenti Topi u shpreh se pozicionin e tij për këtë çështje e ka dhënë më parë, por ritheksoi gjithashtu se “çdo institucion të bëjë detyrën e vet”.

B.Shehu

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›