Rama apel Berishës: Duhet zgjidhje politike!
“S’mund ta pengojmë më popullin të marrë në dorë fatin e vet, kur ai që duhet të ishte kryeministri i vendit, është kthyer në një kumbarë kusarish e matrapazllëqesh”
Dorëheqje të qeverisë, ose populli do të marrë në dorë fatin e tij. Ky ishte paralajmërimi i bërë, dje, nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, sipas të cilit, populli ka populli ka një liri kushtetuese e të drejta historike, që nuk i ka asnjë institucion e asnjë forcë politike. Në vlerësimin e tij, ushtrimi i kësaj lirie e të drejte, ndodh kur kushtetuta merret peng, ligjet zhvlerësohen, institucionet bien, ndërsa opozitës politike i ezaurohen mundësitë që përcaktohen prej rolit të saj kushtetues, pra kur sistemi politik del jashtë loje. “Roli ynë është të kërkojmë pa pushim zgjidhje politike, edhe aty ku s’duken gjasa që zgjidhja të gjendet. E kemi bërë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, për s’mund ta pengojmë më popullin të marrë në dorë fatin e vet, kur ai që duhet të ishte kryeministri i vendit, është kthyer në një kumbarë kusarish e matrapazllëqesh”, u shpreh Rama. Për të ilustruar këtë fakt, ai ju referua vjedhjes së votave e sipas tij, dhjetëra e dhjetëra rasteve të korrupsionit qeveritar, të bëra publike deri tek matrapazllëku i zëvendësit të tij, me bllok në dorë edhe për llogari të tij, dhe kur në vend se të pranojë me realizëm fundin e një koalicioni të turpëruar publikisht, e të kërkojë zgjidhje politike, del, siç doli mbrëmë, duke kërcyer mbi kokat e deputetëve të opozitës e duke u hakërryer si i marrë busullhumbur. “Gjendja është e rëndë, zgjidhja është e thjeshtë. Koalicioni i turpit nuk mund të jetë më qeveria e shqiptarëve. Saliu duhet ta deklarojë të mbyllur aventurën e këtij koalicioni, që Shqipëria s’mund e s’do ta mbajë dot në kurriz, edhe sikur të gjithë ne partitë politike t’i lutemi popullit shqiptar ta bëjë këtë sakrificë”, nënvizoi Rama. Në këndvështrimin e opozitës, mbajtja në këmbë e këtij koalicioni nuk e zgjat shumë qëndrimin e kryeministrit në karrige, po vetëm i rrit vendit dhe shqiptarëve kostot e largimit të qeverisë. Duke ju referuar seancës së ditës së hënë, kreu opozitar zgjodhi t’i referohet vargjeve të Dritëro Agollit teksa tha: Në vendin tim, në vendin tënd, një kokë e çmendur, të gjithë i çmend. “I ashtuquajturi kryeministër, po ribën llogarinë e gabuar, që bëri kur u kap në flagrancë me Suden, duke mos zgjedhur rrugën e zgjidhjes politike, por rrugën e provokimit të popullit, që këtë herë e ka kapur në flagrancë me Ilir Metën”, insistoi Rama. Marrosja e mbrëmshme e Saliut, tha Rama, që fliste përçart për plazhe, duke u kërkuar deputetëve të zhvisheshin lakuriq, madje të binin edhe gratë e tyre para tij, ishte në të vërtetë thirrja më e fortë, më e thellë, më jehuese për popullin në demonstratë. “Jo për të mbështetur PS, apo sjell opozitën në pushtet me demonstrata, po për t’i hequr pushtetin e popullit nga duart, një kusari të dalë duarsh, që i lejon vetes gjëra që, kurrë, një popull s’mund t’ia lejojë atyre që e qeverisin”, shtoi Rama. Duke konstatuar se gjendja është e rëndë, në analizën e kreut të opozitës, zgjidhja është e thjeshtë dhe se koalicioni i turpit, siç e quan ai, nuk mund të jetë më qeveria e shqiptarëve. “Saliu duhet ta deklarojë të mbyllur aventurën e këtij koalicioni, që Shqipëria s’mund e s’do ta mbajë dot në kurriz, edhe sikur të gjithë ne partitë politike t’i lutemi popullit shqiptar ta bëjë këtë sakrificë”, bëri thirrje Rama.