Edi Rama, ODIHR-it: Tre kushtet e PS-së për zgjedhjet e 8 majit
Kreu i PS-së i ka paraqitur delegacionit të ekspertëve, garancitë që kërkon opozita për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale. Tre kushtet: KQZ, sistemi TIMS dhe shenjat e gishtave
Përvoja e hidhur e zgjedhjeve të shkuara dhe beteja e humbur për transparencën e tyre, ka bërë që socialistët të jenë tepër të kujdesshëm në hapat që hedhin për zgjedhjet e ardhshme vendore.
Kjo është vërtetuar dje në takimin e kreut të PS-së, Edi Rama, me delegacionin e ekspertëve të ODIHR-it në. Në konsultimin në zyrën e kreut të PS është diskutuar në lidhje me problematikën që vërejnë socialistët, në lidhje me infrastrukturën zgjedhore, tre muaj para zhvillimit të tyre. Nga burime zyrtare të PS-së, mësohet se kreu socialist i ka paraqitur delegacionit të ODHIR-it tre kushtet, si garanci për zhvillimin e zgjedhjeve normale. Nga plotësimi i tyre do të varet dhe vendimi i partisë më të madhe të opozitës, për të marrë pjesë apo jo në zgjedhje. Gjithnjë sipas të njëjtave burime, Rama i ka deklaruar dje ekspertëve të ODIHR se me këtë Komision Qendror Zgjedhor nuk mund të ketë zgjedhje lokale për PS-në. Ditë më parë, disa zëra të rëndësishëm në këtë parti, thanë se PS pritet që të kushtëzojë marrëdhëniet me KQZ-në, duke tërhequr anëtarët e tyre nga ky institucion, për të bërë të pamundur kështu veprimtarinë e tij normale, sidomos sa i përket vendimmarrjes që kërkon 5 vota.
Një garanci tjetër, e kërkuar dje nga Rama, ka të bëjë dhe me aksesin që duhet të kenë partitë politike në kontrollin e sistemit të hyrje-daljeve të shtetasve në pikat kufitare dhe ballafaqimi i këtyre të dhënave me listat e pjesëmarrësve në votime. Për realizimin e këtij procesi, PS mendon se në zgjedhje duhet të përdoret dhe aparati i identifikimit të zgjedhësve, nëpërmjet aparatit të marrjes së shenjave të gishtërinjve dhe ballafaqimi i tyre me të dhënat që kanë kartat dhe pasaportat biometrike, të cilat natyrisht do të jenë dhe dy mjetet e vetme me të cilat mund të votohet. Mësohet se delegacioni i ODIHR ka marrë shënim kërkesat dhe parashtrimet e Ramës, për t‘i raportuar dhe reflektuar ato më vonë, në një raport paraprak, që ekspertët e ODIHR hartojnë dhe publikojnë para zgjedhjeve.
Meta dhe Basha
Ndërkohë, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, pas takimit me ekspertët, deklaroi se zgjedhjet lokale të 8 majit po përgatiten në kushtet e një klime të tensionuar politike dhe shkak i këtij tensioni është qëndrimi tashmë i njohur i grupit drejtues të PS. Meta u shpreh se hyrja në zgjedhjet e ardhshme me Kodin Zgjedhor të 2008-ës, nuk përbën domosdoshmërish ndonjë standard të munguar, pavarësisht se interesat e saj diktojnë nevojën për të kryer disa ndryshime të domosdoshme. Misioni vlerësues i nevojave nga ODIHR, u prit edhe nga Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Ai informoi gjerësisht përfaqësuesit e këtij misioni, mbi përgatitjet e deritanishme për zgjedhjet vendore të 8 majit 2011, si dhe me udhëzimet e drejtuara për njësitë e qeverisjes vendore për këtë qëllim. Përfaqësuesit e misionit të ODHIR-it vlerësuan përmbushjen e rekomandimeve, që kanë të bëjnë me shpalljen në kohë të listës paraprake të zgjedhësve dhe me pajisjen e votuesve me dokumentet e nevojshme të identitetit.