Financimi i partive, miratohet kontrolli nga KQZ
Projektligji i qeverisë i heq KLSH-së kompetencat e kontrollit dhe ja jep atë KQZ-së. Opozita kundërshton ashpër, por drafti kalon me votat e maxhorancës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të bëjë kontrollin e financimeve të partive politike, si në periudhën zgjedhore, ashtu edhe jashtë saj. Komisioni i Ligjeve ka miratuar dje, jo pa debate, draftin e ri të paraqitur nga qeveria, ku parashikohet që e drejta e kontrollit financiar të partive politike t’i hiqet Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe t’i kalojë KQZ-së. Kjo pikë ka sjellë dhe debatet më të mëdha, pasi përfaqësuesit e opozitës kanë këmbëngulur se me anë të këtij ndryshimi, KQZ-së i jepet një kompetencë, që e bën atë të veprojë përtej misionit të tij ligjor, që është administrimi i proceseve zgjedhore.
Debatet
Tre kanë qenë pikat më të debatuara të draftit të paraqitur nga ekzekutivit, për të ndryshuar ligjin “Për partitë politike”: dhënia e kompetencës së kontrollit financiar KQZ-së, heqja e detyrimit për të deklaruar burimet financiare të partisë që krijohet, si dhe përzgjedhja e ekspertëve kontabël që do të pajtohen nga KQZ për të bërë kontrollet financiare. Duke diskutuar në parim për pikën që i jep të drejtë KQZ-së që të kontrollojë financat, duke ia marrë këtë kompetencë KLD-së, deputetët e majtë kanë këmbëngulur se kjo bëhet në kundërshtim me ligjin. Sipas deputetit Pandeli Majko, KQZ-së nuk mund t’i jepet një detyrë që nuk ia jep Kodi Zgjedhor, nëpërmjet një ligji të veçantë, siç është ai për partitë politike. “Më duket pak e çuditshme që të shtojmë kompetencat e KQZ-së me ligje që janë apendiks në krahasim me Kodin Zgjedhore. Kjo gjë duhet të bërë me Kodin Zgjedhor dhe s’mund të bëhet me ligjin për partitë politike”, - tha Majko. “Nëse doni të më thoni se KQZ-ja mund të jetë kaq e pavarur, sa të merret edhe me kontrollin financiar të partive politike, kur sot në KQZ është një tip që njëherë bën si piroman, njëherë bën si zjarrfikës, sipas qejfit të kryeministrit, unë këtë se besoj”, - tha deputeti Sajmir Tahir, ndërsa theksoi se ky projektligj nuk zgjidh problemin e financimit të politikës në vend. Por sipas përfaqësueses së Ministrisë së Drejtësisë, Marsida Xhaferllari, këtu s’ka asgjë antikushtetuese, pasi vet Kodi Zgjedhor lë mundësinë që KQZ të mund të kryejë detyra që i ngarkohen me ligje të tjera.
Ekspertët
Gjithashtu, një pikë shumë e diskutuar dhe për të cilën u gjet dhe një farë mirëkuptimi, mes deputetëve të majtë dhe të djathtë në komision, ishte dhe ajo për përzgjedhjen e ekspertëve kontabël. Sipas ish-kryeministrit Fino, nuk duhet të përcaktohet në ligj numri i ekspertëve që do të kontraktohen nga KQZ për të bërë auditin, por ajo të lihet e hapur, që në këtë proces të aplikojë çdo njeri që ka marrë licencën e ekspertit kontabël. “Mekanizmi i parashikuar në ligj parashikon që çdo ekspert që ka licencën, të aplikojë për të qenë pjesë e kontrollit financiar të partive politike”, - u përgjigj Ivi Kaso, përfaqësuesi i ekzekutivit lidhur me këtë shqetësim, por pa mundur t’i japë zgjidhje dyshimeve të socialistëve. Madje deputeti Pandeli Majko, duke hedhur hije të forta dyshimi, mbi paanësinë politike të KQZ-së, ka propozuar që auditin ta kryejë një organ ndërkombëtar. Këmbëngulje kjo që nuk ka qenë fare pa rezultat, pasi ka sjellë dhe një tërheqje të shumicës në komision, e cila ka pranuar që çdo ekspert kontabël që ka licencë, të mund të aplikojë për të marrë pjesë në procesin e auditit. Pavarësisht këtij lëshimi, deputetët e majtë nuk e kanë votuar projektligjin, që u miratua vetëm me votat e deputetëve të djathtë. Drafti i miratuar dje, parashikon ndërmjet të tjerave që për krijimin e një force politike, duhet të paraqiten para gjykatës 3000 firma. Kjo për t’i prerë rrugën krijimit të partive fantazmë. Kujtojmë që deri në gusht të këtij viti, në Gjykatë janë të regjistruara plot 108 parti. Gjithashtu, projektligji synon edhe rregullimin e problemit të selive të partive, duke përcaktuar që shteti do t’i sigurojë ambiente për të kryer aktivitet vetëm atyre forcave politike, që në tre zgjedhjet e fundit kanë marrë mesatarisht 1 për qind të votave.