E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debati në PDK, Ndoka: Jashtë qeverie Bushati e Gurakuqi



ADI SHKEMBI

Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka përgatit largi-min nga postet e zv.ministrave Zef Bushatin dhe Anton Gurakuqin. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai thotë se do t’i kërkojë kryesisë dhe këshillit kombëtar të partisë për të riparë përfaqësimin politik që ka PDK-ja, në zbatim të marrëveshjes me PD-në.
Pak ditë më parë, partitë e koalicionit kanë nënshkruar një marrëveshje me kryeministrin Berisha për zgjedhjet e ardhshme. Konkretisht çfarë përmban kjo marrëveshje?
Eshtë biseduar me gjithë kryetarët e partive të maxhorancës, që reforma zgjedhore të jetë e tillë, që përfaqësimi politik i çdo partie të bëhet mbi bazën e peshës specifike që çdo forcë do të ketë, që të mos ketë devijimeve të votës. Janë diskutuar skema të ndryshme, ka pasur një frymë mirëkuptimi me të gjithë aleatët që koalicioni të funksionojë si i tillë. Ky ishte diskutimi më konstruktiv i një tryeze të partive të maxhorancës.
A ka një formulë konkrete me të cilën ju do të dilni në zgjedhje vitin e ardhshëm?
Ende nuk ka një formulë konkrete, pasi ne s’kemi ende një kod zgjedhor. E rëndësishme është që ka një dakordësi parimisht. Elementet teknike janë probleme të kodit, të marrëveshjeve politike që partitë bëjnë në funksion të kodit të ri që ne do miratojmë. Transparenca është shumë e rëndësishme në këtë proces dhe ballafaqimet e ideve janë të rëndësishme.
A ishte kjo marrëveshje një premtim i kryeministrit Berisha, që të paktën kryetarët e partive ta kenë të sigurt mandatin e deputetit, në këmbim të votave për paketën kushtetuese?
Nuk është diskutuar fare problemi i mandateve të kryetarëve të partive. Është kërkuar thjesht që vota të jetë e lexueshme dhe e përfaqësuar në Kuvend. Asnjë prej kryetarëve të partive nuk ka kërkuar mbrojtje, as te votat e Partisë Demokratike, as te sigla e dikujt tjetër, por vetëm një përfaqësim real të çdo formacioni politik.
Gjatë kohës që ju keni qenë në Londër duket se, ka pasur një përçarje në PDK. Dy ditë më parë u mblodh Këshilli Kombëtar, i cili ka thirrur një kongres të jashtëzakonshëm më 10 maj...
Kjo nuk është një përçarje e PDK. Këshillin e thërret kryetari i saj. Ju keni parë një këshill kombëtar, i cili drejtohet nga Lesi, i cili është kryetar i një formacioni tjetër politik, keni parë zotin Ujka, i cili është kryetar i një formacioni tjetër politik, keni parë zotin Bushati, i cili është nënkrytar i një formacioni tjetër politik. Asnjë prej këtyre personave nuk janë drejtues të PDK-së. Një sallë prej 40 personash që asnjë s’ka lidhje dhe nuk është as anëtar i PDK-së. Skema të tilla janë të dështuara, janë të turpshme. Sulme të tilla janë vetëm për moralin e atyre personave që i trillojnë dhe përpiqen që t’i realizojnë këto aventura të tilla të rrezikshme.
Ka pasur akuza deri në vënien në dyshim të diplomës suaj...
Unë do t’i bëja thirrje ish-kolegëve të mi, që të jenë më të përgjegjshëm, të jenë më të moralshëm, që fyerjet dhe akuzat që ata lëshojnë besoj se, nuk do të marrin vëmendjen time personale. Unë mund të jap një përgjigje thjesht në respekt të anëtarëve të PDK-së dhe të opinionit publik, por jo të personave në fjalë. Unë i kam njohur këta persona, i kam ditur vlerat që ata kanë realisht. Megjithatë, jam përpjekur që të kem një PDK përfaqësuese, konkurruese. Zoti Bushati ka qenë drejtues i kësaj partie, është përjashtuar nga zoti Lesi me një kongres. Unë e kam rifutur në politikë, duke e emëruar sekretar të marrëdhënieve me jashtë. Është përpjekur që të abuzojë duke thënë se, është sekretar i përgjithshëm apo nënkryetar i kësaj partie, por nuk u bë asnjëherë pjesë integrale e saj. Me makinacionet e tij që e kanë shoqëruar vazhdimisht, nuk ka rezultuar asnjëherë besim te demokristianët shqiptarë, duke e lënë këtë forcë politike periferike. Edhe zoti Lesi është larguar nga PDK. Nuk është përjashtuar, por është shkarkuar nga zoti Ujka prej grupit parlamentar. Ujka ka kërkuar drejtimin e grupit parlamentar, por zoti Lesi ka qenë në një farë mënyre jo përfaqësues real i këtij grupi. Ka shprehur qëndrime që nuk janë qëndrime zyrtare të partisë dhe grupit parlamentar dhe me kërkesë të zotit Ujka është bërë largimi i Lesit me votat e deputetëve. Premtimi që Ujka ka bërë para grupit parlamentar ishte se, qëndrimi i tij do jetë qëndrimi zyrtar i grupit, megjithëse vinte nga një formacion tjetër politik. Unë e kam hapur partinë që t’i krijojë mundësi këtyre zotërinjve dhe jam përsëri i hapur që ata të bëhen pjesë e saj. Një politikan matet me vota. PDK ka sot 4.5% të votave në një kohë që Bushati dhe Lesi s’e kanë ngritur asnjëherë partinë në këto nivele.
Ju thoni që zoti Bushati është nënkryetar i një formacioni tjetër politik, ndërkohë që ai mban postin e zv.ministrit të Integrimit pikërisht falë marrëveshjes PD-PDK. A do të vazhdojnë Bushati dhe Gurakuqi të jenë në postin e zv.ministrave?
Me hapjen e PDK-së kanë ardhur mjaft potenciale. Unë e kam respektuar historinë e PDK-së dhe i kam dhënë mundësinë dy zotërinjve për ta përfaqësuar politikisht PDK-në, por për fat të keq nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Këta dy zv.ministra janë shprehur publikisht vetëm kundër kryetarit të partisë. Kjo ka krijuar një problem jo të vogël në strukturat e PDK-së. Nuk mund të vazhdojnë të mbajnë një përfaqësim politik, persona që nuk përçojnë alternativën Demokristiane, persona që bëhen vegla me një përdorim. Ka pasur një tendencë të vazhdueshme nga segmente të PD-së për të sulmuar PDK-në, madje këto tendenca janë edhe më të mëdha, edhe për shkak të xhelozisë ndaj PDK. Mjafton të kujtoj këtu vizitën e një formacioni të CDU-së gjermane, të cilët morën pjesë në një forum politik këtu në Shqipëri. Unë si kryetar i PDK-së kam pasur një audiencë të veçantë nga Ati i Shenjtë në Vatikan. Edhe kjo ka ngjallur xhelozi te segmente të caktuara në PD, por gjykoj se, asnjëherë më shumë se sa sot, vendit i duhet një parti e tillë. Për vendin PDK është e domosdoshme, pasi ne cilësohemi si një vend islamik, fondamentalist dhe nëse do të ketë një politikë zyrtare që do të cenojë në çdo moment alternativën demokristiane do të lërë një shije jo të mirë edhe te faktori ndërkombëtar.
Pra, do t’i kërkoni kryeministrit Berisha që të shkarkojë dy zv.minitsrat?
Do jenë forumet e PDK-së, që do të mblidhen së shpejti. Do mblidhet kryesia dhe këshilli kombëtar, jo këshilla fantazmë që mblidhen në salla nga parti të tjera politike. Kjo është njësoj sikur Gjinushi të kërkojë të mbledhë këshillin kombëtar demokristian. Por gjithsesi, unë gjykoj që ka ardhur momenti për të parë përfaqësimin tonë politik në zbatim të marrëveshjes që kemi me PD-në.
Në këto dy forume ju do të propozoni shkarkimin e tyre?
Nuk është tendenca e shkarkimeve. Ajo që është e rëndësishme është përfaqësimi. Ne na kërkohet një përfaqësim real. Nëse një zv.ministër akoma me gjithë premtimet e tij se, do ta shkrijë partinë që ka dhe do bëhet pjesë e PDK-së, nuk e ka realizuar ende, ai rezulton i regjistruar në gjykatë, nuk mund të jetë përfaqësues i PDK zyrtare. Edhe zoti Gurakuqi ka interesat e tij të ngushta, ai mban postin e zv.ministrit të Jashtëm dhe drejton edhe degën e Shkodrës. Duke banuar në Tiranë është e pamundur të drejtosh degën më të madhe të vendit. Ka rënë dakord të japë dorëheqjen, është penduar, është rikthyer përsëri. Vendimmarrja personale te ky njeri i pastabilizuar politikisht nuk do të jetë pengesë për mbarëvajtjen e strukturave të PDK-së.
A do të ketë mbledhje të kongresit të jashtëzakonshëm më 10 maj?
Nuk mund të ketë mbledhje. Kongresi thirret nga kryetari i partisë, nga strukturat drejtuese. Këto janë aventura që besoj se do t’i kushtojnë vetë atyre personave. S’mund ta thërrasë kongresin e Partisë Demokristiane, kryetari i një partie tjetër politike. Kjo është një paturpësi në radhë të parë, kushdo që përpiqet t’i sajojë të tilla gjëra. Në një kongres të ligjshëm do isha krejt i hapur të garoja edhe me ato struktura që Lesi dhe Bushati kanë ngritur.

Akuza e Lesit
Kryeprokurorja siç doli në orën 18:00, ku kërkoi heqjen e imunitetit për një ish-ministër, mund të dalë sërish në konferencë për shtyp pas një muaji për dosjen e një ministri tjetër. Kushdo që e ka ndyrë dorën në forcën Demokristiane, kushdo që ka marrë tendera të paligjshëm, të pamerituar, emërime të pista, emërime me para, drejtorë me para apo me infiltrime të tjera mafioze, do të shkojë para derës së Burgut 313"

Akuza e Bushatit
Partia Demokristiane po vuan nga një re që qëndron ende mbi krye dhe që nuk po e lejon të marrë frymë lirisht, që nuk po e lejon të rishfaqet edhe njëherë si një forcë politike me filozofi Perëndimore dhe antikomuniste. Reja e paaftësisë dhe njollës së korrupsionit po e asfikson tani Partinë Demokristiane.

Akuza e Gurakuqit
Nëse Nard Ndoka ka ardhur me një synim për ta shkatërruar Partinë Demokristiane, ne nuk do e lejojmë këtë dhe sot do të marrim vendim për të mbledhur kongresin e jashtëzakonshëm të Partisë Demokristiane, për t’i thënë stop Nard Ndokës dhe klikës së tij. Ne do të kërkojmë largimin.

Akuza e Ujkës
Llogariteni në dorë të kujt ka rënë Ministria e Shëndetësisë dhe administrata shqiptare. Arsyeja është se njerëzit nuk dyshojnë se, zoti Ndoka mund të ketë mbaruar shkollën e lartë, por nuk ka mbaruar të mesmen. Forcat kristiane nuk kanë përfaqësim dhe po kërkojnë të gjejnë formën e përfaqësimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›