Topi kundër Mediut: Mos e paragjyko Ina Ramën
BLEDAR HOTI
Presidenti dhe kryeparlamentarja shprehen kundër qëndrimit të ish-ministrit, Fatmir Mediu për njëanshmërinë e Prokurorisë së Përgjithshme. Dy drejtuesit më të lartë shtetit shqiptar, Topi dhe Topalli me qëndrimet e tyre lanë të kuptohet se, mbështesin veprimet e kryeprokurores Ina Rama, e cila së fundmi kërkoi heqjen e imunitetit të ish-ministrit, Fatmir Mediu. Kreu i shtetit ka hedhur në mënyrë indirekte akuzat e kryerepublikanit Mediu, se Prokuroria e Përgjithshme ka vepruar në mënyrë të njëanshme për ngjarjen tragjike të 15 marsit. I pyetur për vlerësimin që i bën punës së Prokurorisë së Përgjithshme mbi ngjarjen e Gërdecit, Topi tha se: “Unë mendoj që, Prokuroria po bën një punë korrekte. Jemi mësuar gjithmonë që t’i trajtojmë gjërat politikisht edhe për institucione, të cilat janë ligjore dhe kushtetuese, ku në radhë të parë nuk bëhet politikë, por punohet me profesionalizëm. Unë do të doja që, të gjithë politikanët me radhë, që shtatëmbëdhjetë vjet i kemi dëgjuar duke u shprehur nga mëngjesi deri në mbrëmje për shtetin e së drejtës, shtetin ligjor, në momentin kur fillon të funksionojë ligji, të gjithë duhet ta përgëzojnë dhe të mos paragjykojnë. Unë besoj që ky është momenti më i rëndësishëm që të kemi besim, sepse sapo u shpreha për domosdoshmërinë e rikthimit të besimit”. Presidenti ftoi klasën politike dhe vetë përfaqësuesin e koalicionit qeveritar, Mediun, që të ketë besim te institucionet dhe se s’duhet të paragjykohet asgjë. “Të presim që gjërat edhe në rastin konkret të hetohen dhe të trajtohen me shumë profesionalizëm. E rëndësishme është që sot, në prillin e vitit 2008, të jeni të sigurt që nuk ka absolutisht asnjë lloj influence politike mbi këtë institucion, asnjë lloj influence klienteliste. Dhe ky është momenti i rikthimit të besimit tek ky institucion, i cili për vite me radhë ka qenë mjaft i politizuar”, theksoi kreu i shtetit. Ndërsa kryeparlamentarja Topalli u shpreh se, për kërkesën për heqjen e imunitetit të Mediut, Kuvendi do të veprojë njësoj si në rastet e mëparshme. “Menjëherë, në bazë të Rregullores së Kuvendit, do u dërgohen shkresat anëtarëve të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Këshilli do të mblidhet, sapo të njihet me materialet dhe do të procedohet në bazë të Rregullores dhe Kushtetutës, sikurse është vepruar edhe në rastet e tjera”, deklaroi Topalli. Ndërkohë, ajo ka rikthyer edhe njëherë debatet në lidhje me heqjen në bllok të të gjithë deputetëve, ku maxhoranca kishte paraqitur dhe një nismë ligjore, bazuar te sistemi gjerman qeverisës. “Në fakt vlen për t’u theksuar, se sa të drejtë kishim në fillim të vitit 2005, kur kërkuam heqjen e imunitetit për të gjithë deputetët. Kjo është zgjidhja më e mirë. Ky është rasti me anë së të cilit i japim vetes moralin më të fortë dhe profilin e një politikani me integritet. Unë uroj që të shfrytëzohet edhe ky rast, meqenëse herët e tjera nuk është shfrytëzuar në mënyrë që të gjithë deputetët të pranojnë, që të mos i njohin vetes imunitetin në raport me fenomene të caktuara. Ky është politikani i vërtetë”, përfundoi kryetarja e Kuvendit.
Berisha shmang median
Kryeministri Sali Berisha, ndryshe nga herët e tjera nuk ka dashur të komentojë kërkesën e kryeprokurores Ina Rama për heqjen e imunitetit të kolegut të koalicionit qeverisës, Fatmir Mediu. Berisha i është shmangur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me kërkesën e bërë në Kuvend për heqjen e imunitetit, duke preferuar të fokusohej vetëm te urimi për festën e Pashkëve.
Ndoka: “Imuniteti, jo pengesë për hetimin”
Ndoka tha dje se, vullneti i maxhorancës tani është i qartë, për të lënë mandatin për çdolloj hetimi. “Maxhoranca tashmë është e vendosur, që imuniteti i një politikani nuk do të jetë pengesë për hetimet e çdo personi. Gjithsesi, vendimet e deputetëve do të jenë të lira. Çdo deputet në vetëdijen e tij politike dhe ligjore do të votojnë edhe për kërkesën e Prokurorisë”, shprehet Ndoka.