E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Kashari nuk ishte test për PS, keqardhje për Berishën e Metën

Kryetari i PS-së, Edi Rama, rezultatin e zgjedhjeve të Kasharit e cilëson jo të ndonjë ndikimi të madh dhe vlerësim testues për klasën politike shqiptare. 

Tri ditë pas zgjedhjeve në Kashar, kryesocialisti ka dhënë opinionin e tij zyrtar në lidhje me rezultatin e votimeve në Kashar, ku fitues ishte PD-ja, ndërsa forca e tij politike u rendit e fundit në katër pretendentët për kreun e komunës. "Kashari nuk ishte kurrfarë testi për forcat politike shqiptare, por një garë lokale, mes katër individësh, të respektuar, të një komuniteti, të cilët ndanë mes tyre 7 200 vota për të plotësuar vendin bosh të kreut të komunës. Të dalësh e të thuash se rezultati i kësaj gare ka të bëjë me reformat e qeverisë, apo me arritjet e saj në rang vendi, kjo do të thotë të jesh një kryeministër në pikë të hallit", deklaroi Rama. Ai theksoi se, të dalësh e të thuash se renditja në këtë garë individuale, mes katër banorëve të Kasharit, që konkurruan brenda komunitetit të tyre dhe jashtë kalendarit apo temave të ballafaqimit politik të vendit, na qenka pasqyra e sotme e renditjes së partive shqiptare në nivel kombëtar, do të thotë të mos kesh asnjë respekt, jo vetëm për të vërtetën e për publikun, po edhe për veten. Ndërsa kreu i PS-së ka siluruar edhe qëndrimet e mbajtura nga ana e kryeministrit Berisha dhe të liderit të LSI-së për këto zgjedhje në Kashar. "Kam keqardhje për pompozitetin e kotë me të cilin, kryeministri Sali Berisha dhe miku ynë Ilir Meta, rendën të nxjerrin konkluzione triumfale nga një garë më shumë sesa modeste, e zhvilluar krejt në periferi të jetës politike të vendit. Madje, qoftë kryeministri, qoftë ish-kryeministri u ngutën të lajnë me Partinë Socialiste hesape, që pa asnjë dyshim do t'i bëjmë, por vetëm në kohën e në vendin e duhur: Në vitin 2009, në të gjithë Shqipërinë", u shpreh Rama. Por kryesocialistit aludon se në këto zgjedhje ka pasur edhe shpërndarje certifikatash. "Ndërkohë le të bëjmë gati sistemin e ri zgjedhor, që do të hyjë në funksion në vitin 2009, duke e mbyllur me Kasharin kapitullin e shëmtuar të sistemit të vjetër", theksoi Rama.

Asnjë pyetje në konferencë

Në çdo dalje publike për mediat kryetari i PS-së, Edi Rama, shmang pyetjet për gazetarët e shumtë të pranishëm në sallë, të cilët presin me padurim të mbarojë deklarata e tij për të realizuar pyetjet mbi ngjarjet e ndryshme, për të cilat duhet të përgjigjet një lider i opozitës. Gazetarët e pranishëm prej tre konferencash radhazi paralajmërohen që të mos bëjnë pyetje dhe të marrin vetëm deklaratën e liderit të PS-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›