E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debati për imunitetin, kërkesa për referendum në shtator

Mungesën e gjatë, kryeministri Sali Berisha, e “kompensoi” sot në një konferencë shtypi, ku çështje më të rëndësishme kishte referendumin për imunitetin.

Ai tha se në dy javët e para të muajit shtator, deputetët e mazhorancës do të bëjnë kërkesën për zhvillimin e referendumit për heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë dhe deputetët. Berisha bazohet tek neni 155 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë kur i jep të drejtën mazhorancës për këtë nismë.

“Deputetët e mazhorancës do të jenë ata që do të dorëzojnë kërkesën për referendum brenda dy javëve të para të muajit shtator. Tre mundësi njeh neni 155 i Kushtetutës. Ky nen njeh të drejtën e Këshillit të Ministrave, autorizon 50 mijë qytetarë dhe 1/5-t e Parlamentit. Midis tyre, këshillime të shumta nga deputetë dhe juristë, sugjeruan që deputetët të bëjnë një kërkesë të tillë”, tha ai në një konferencë për shtyp.

I pyetur rreth një interpretimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me votimin e nismës në Parlament, Berisha tha se neni 155 i Kushtetutës është thelbësor. “Është njësoj sikur të besosh Kurani apo Ungjilli sipas Ruçit. Ata bëjnë interpretimet e tyre. Kjo është donkishotizëm. Demokracia direkte është forma me sublime e demokracisë. Përpjekja për ndrydhjen e zërit të qytetarit shënon fundin e çdo politikani. Të lexojnë nenin 155 dhe ai është thelbi. Full-Stop, nuk shkohet më tutje. Specifikon disa problematika kur nuk mund ta bëjmë këtë”, shtoi ai.

Kryeministri shtoi se opozita u bë pengesë për heqjen e imunitetin, teksa ishte vetë ajo që hartoi të gjitha nenet për një ndryshim të tillë. “Në mënyrën më qesharake socialistët u thanë shqiptarëve: ne e heqim, por nuk e votojmë. Është varianti ynë por nuk e votojmë. Nuk besoj që në histori të ketë një rast analog që një forcë politike të mos votojë draftin e vet. Socialistët rëndom spekulojnë se nuk është imuniteti pengesë për korrupsionin. Sigurisht, edhe vendet që nuk kanë imunitet kanë korrupsion, por e kanë në një shkallë më të vogël se Shqipëria. Nuk ka hipokrizi më të madhe se të derdhësh lot për të papunët, kur ti u thua atyre se pasuritë e mia të paligjshme nuk mund të preken paçka se ato cenojnë konkurrencën e ndershme”, tha.

Rama: Imuniteti jo pengesë për BE-në

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, reagoi në Twitter ndaj deklaratave të kryeministrit, duke theksuar se nuk është imuniteti pengesë për të hyrë në Bashkimin Evropian. “Sa më shumë Saliu flet për imunitetin aq më shumë mendoj se duhet te jesh vërtet shumë budalla për të besuar se thotë të vërtetën!.. S’është imuniteti qe pengon hyrjen tone ne BE,po qeverisja qe s’përmbush dot detyrat e BE, institucionet e kapura dhe mungesa e shtetit ligjor. Nuk është as opozita qe e bllokon integrimin, po është qeveria që fajëson ne kor opozitën për të justifikuar dështimin e vet me integrimin”, shkruan Rama në rrjetin social. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-08-24 14:12
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›