Debati për imunitetin, pse janë të rëndësishme ndryshimet në Kushtetutë
Shaban Sulçe
Debati më i fundit që ka të bëjë me heqjen e imunitetit të deputetëve dhe ministrave mund të jetë vetëm një shou mediatik, për sa kohë që çështja e heqjes së imunitetit nuk sanksionohet duke bërë ndryshimet përkatëse në Kushtetutë. Pavarësisht se kryeministri Berisha u shpreh i gatshëm se maxhoranca e tij është e gatshme të votojë për heqjen e imunitetit ndaj çdo kërkese të Prokurorisë, organi i akuzës nuk ka garancitë e mjaftueshme ligjore dhe kushtetuese. Asnjë prokuror nuk do të mund të nisë një hetim ndaj një deputeti apo ministri, për sa kohë që ai fshihet pas imunitetit. Për këtë arsye bëhet gjithnjë e më e domosdoshme mundësia që heqja e imunitetit ndaj deputetëve të shoqërohet me ndryshimet në Kushtetutë. Ky ka qenë edhe një nga sugjerimet e vazhdueshme të faktorit ndërkombëtar.
Sugjerimi
Sugjerimi që heqja e imunitetit të shoqërohej me ndryshimet përkatëse në Kushtetutë iu bë Kuvendit të Shqipërisë pikërisht një vit më parë nga misioni EURALIUS dhe projekti “OPDAT”. Në rekomandimet që ata i paraqitën Komisionit të Ligjeve theksohej se janë të nevojshme ndryshimet në Kushtetutë në lidhje me këtë çështje. “Imuniteti duhet të kufizohet dhe të qartësohet, dhe kjo çështje duhet të trajtohet në mënyrë gjithëpërfshirëse. Një ose disa ligje, ose ndryshime ligjore, nuk do të jenë të mjaftueshme. Janë të nevojshme ndryshime të Kushtetutës. Ndryshimet kushtetuese nuk duhet të ndërmerren vend e pa vend, por as nuk duhet të shmangen nëse kryhen nëpërmjet një procedure të kujdesshme dhe të drejtpeshuar, me këshillim të përshtatshëm dhe të gjerë. Duhet të ketë një plan të detajuar, duke përfshirë hartimin e ndryshimeve të duhura të kodeve dhe Rregullores së Kuvendit”, - kanë qenë rekomandimet e këtyre dy institucioneve në lidhje me këtë çështje.
Nenet
EURALIUS dhe OPDAT kanë sugjeruar që për heqjen e imunitetit duhet të ndryshohet Kushtetuta në nenet 73 (deputetët), 126 (gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese) dhe 137 (të gjithë gjyqtarët e tjerë). Përsa i përket heqjes së mandatit të deputetëve, ekspertët ndërkombëtarë kanë sugjeruar që ndryshimet kushtetuese të jenë të ngjashme me nenin respektiv që gjendet në Kushtetutën e Kosovës. Për mendimin tonë, Kushtetuta e sapomiratuar e Kosovës ka dispozita më të kufizuara dhe të përshtatshme rreth imunitetit dhe do të ishte e pranueshme për t’i përshtatur ato për gjendjen në Shqipëri. Kështu për shembull, Neni 73 mbi imunitetin e deputetëve mund të zëvendësohet me diçka të ngjashme me Nenin 75 të Kushtetutës së Kosovës, që është si më poshtë: “Neni 75. 1. Deputetët e Kuvendit gëzojnë imunitet nga ndjekja penale, paditë civile ose shkarkimi për veprimet dhe vendimet e tyre brenda fushëveprimit të përgjegjësive të tyre si deputetë të Kuvendit. Imuniteti nuk pengon ndjekjen penale të deputetëve të Kuvendit për veprimet e ndërmarra jashtë fushëveprimit të përgjegjësive së tyre si deputetë të Kuvendit. 2. Deputeti i Kuvendit nuk mund të arrestohet dhe as ndalohet përderisa është duke kryer detyrat e tij/saj si deputet i Kuvendit, pa pëlqimin e shumicës së të gjithë deputetëve të Kuvendit”, - thuhej në rekomandimin e EURALIUS-it një vit më parë për Kuvendin.
Qëndrimi i SHBA-ve
Withers: “Imuniteti nuk mund të përdoret si strehë për të inkriminuarit”
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, John Withers, i bëri thirrje politikës shqiptare që të heqë imunitetin për deputetët dhe zyrtarët e lartë. Ambasadori amerikan, gjatë fjalës së mbajtur në një konferencë mbi sfidat e integrimit, risolli në vëmendje deklaratën e zëvendëssekretarit amerikan për çështjet europiane në Departamentin e Shtetit, zoti Xhons, i cili është shprehur për qeverinë shqiptare disa ditë më parë para Komitetit të Helsinkit se “SHBA-të vazhdojnë të inkurajojmë qeverinë për të rritur mbështetjen e saj për ngritjen dhe funksionimin e institucioneve të pavarura gjyqësore dhe atë të Prokurorisë, si dhe për heqjen e imunitetit parlamentar në rastet përkatëse”. Më tej ambasadori amerikan, ndërsa ka komentuar këtë deklaratë, ka bërë të ditur se imuniteti nuk duhet të përdoret si strehë nga personat e inkriminuar. “Ajo shprehje nënkuptonte që imuniteti nuk duhet të sigurojë strehë për ata që përballen me masa ligjore dhe në ndjekje penale. Nuk duhet të jetë dhe një mundësi për të mbrojtur atë që është fajtor dhe për t’i mbajtur ata persona në pozita drejtuese”, - theksoi Withers gjatë fjalës së tij.
Qëndrimi i kryeministrit
Berisha: “Nuk e njoh imunitet të deputetëve të maxhorancës”
Pas deklaratave të ambasadorëve të prezencave ndërkombëtare në Shqipëri për heqjen e imunitetit të deputetëve dhe zyrtarëve të lartë shtetërorë, ka reaguar kryeministri Sali Berisha. Kreu i qeverisë u shpreh se nuk e njeh imunitetin për deputetët dhe ministrat e partisë së tij. Berisha ngarkoi me përgjegjësi opozitën për mosmiratimin në Kuvend të ligjit për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë. “Qëndrimi i maxhorancës njihet tashmë, që është pro heqjes së imunitetit të deputetëve. Unë garantoj se çdo kërkesë nga organet e Prokurorisë dhe organet gjyqësore për heqjen e imunitetit të deputetëve do të jetë automatikisht e pranueshme. Jemi kundër çdo imuniteti të deputetëve. Ne kemi dërguar ligjin në Parlament, por opozita nuk e votoi. Atëherë ne do të praktikojmë qëndrimin e njëanshëm, që nënkupton se çdo kërkesë nga Prokuroria dhe Gjyqësori për heqjen e imunitetit të deputetëve do të jetë automatikisht e pranueshme”, - është shprehur kryeministri Berisha. Në këtë drejtim, ai u shpreh se maxhoranca ka të drejtë të mos ia njohë vetes imunitetin. “Ka pasur raste që maxhoranca, kur e ka kërkuar Gjyqësori, ua ka hequr imunitetin deputetëve të saj”, - tha kryeministri.
Qëndrimi i PS-së
Tahiri: “PS-ja t’i dorëzojë Drejtësisë dy ministrat e pandehur”
Partia Socialiste ka reaguar në lidhje me debatin për heqjen e imunitetit të deputetëve. Deputeti socialist, Saimir Tahiri, kërkoi që kryeministri Berisha t’i bindet ligjit dhe t’i dorëzojë Drejtësisë dy ministrat e tij të pandehur (Fatmir Mediu e Lulëzim Basha), të cilët, sipas Tahirit, po fshihen pas imunitetit. Sipas Tahirit, në Shqipëri nuk mund të ketë rezultate të suksesshme në luftën kundër korrupsionit në rast se kjo luftë nuk është efikase, duke filluar që nga ministrat e kabinetit qeveritar. Ne nuk kemi më asnjë dyshim se një i korruptuar nuk mund të luftojë korrupsionin. Nuk ka asnjë dyshim se kjo maxhorancë është përgjegjëse për mbjelljen e kulturës së pandëshkueshmërisë duke strehuar pas imunitetit parlamentar dhe karriges së ministrit dy të kërkuar nga Drejtësia, pikërisht për korrupsion. Ka ardhur koha që Sali Berisha t’i bindet ligjit njëlloj si të gjithë shqiptarët e ndershëm. Të dorëzojë menjëherë para Drejtësisë 2 ministrat e tij që fshihen pas imunitetit parlamentar dhe të marrë masa të menjëhershme për të luftuar korrupsionin, duke e filluar nga vetja, familja e tij dhe shërbëtorët e oborrit. Kjo është mënyra e vetme për t’u treguar shqiptarëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë vullnetin për të luftuar korrupsionin”, - tha deputeti i PS-së, Saimir Tahiri.
Qëndrimi i Britanisë
Mcllwham: “Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin”
Pas deklaratës së bërë nga ambasadori i SHBA-ve në Tiranë për heqjen e imunitetit zyrtarëve të lartë, ka ardhur thirrja e dytë nga një tjetër diplomate e rëndësishme, ambasadorja britanike. Fiona McIlwham, gjatë fjalës së mbajtur në prezantimin e raportit për pasurinë e zyrtarëve të lartë në Shqipëri, u shpreh se imuniteti ekziston për të mbrojtur institucionet, dhe jo individët. “Imuniteti ekziston për të mbrojtur institucionet dhe vlerat që ato përfaqësojnë, dhe jo individët në vetvete. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Ata që nuk kanë se çfarë të fshehin, nuk duhet të kenë frikë, por ne duhet të punojmë për të forcuar ndjenjën e përgjegjësisë në institucionet publike në Shqipëri. Qeveria duhet të punojë shumë për të fituar besimin e publikut në institucionet shtetërore”, - është shprehur ambasadorja britanike në Shqipëri, Fiona McIlwham. E pyetur për deklaratën e bërë nga ambasadori Withers, ambasadorja u shpreh se janë institucionet shqiptare ato që vendosin nëse duhet hequr apo jo imuniteti, ndërsa theksoi se imuniteti ekziston për të mbrojtur cilësinë e institucioneve, pavarësinë e tyre, dhe jo individët apo drejtuesit e këtyre institucioneve.
27 Tetor 2009