Meta prezanton programin e zhvillimit të Diplomacisë shqiptare
Eljona Ballhysa
Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, ka prezantuar dje shtyllat kryesore të zhvillimit të Diplomacisë shqiptare. Liberalizimi i vizave, lobimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës, vazhdimi i politikave të fqinjësisë së mirë dhe rritja e shkëmbimeve tregtare me shtetet fqinje do të jenë prioritetet e shefit të ri të Diplomacisë shqiptare. Meta gjithashtu u shpreh se Shqipëria do të përpiqet të shtojë dhe të përmirësojë marrëdhëniet me Serbinë. Ministri i Jashtëm e cilësoi të rëndësishëm rolin strategjik që ka Shqipëria për sigurinë dhe paqen në Ballkan. “Shqipëria është një vend strategjik për sigurinë, paqen dhe prosperitetin e Ballkanit, Mesdheut dhe Europës. Politika jonë e jashtme është e vendosur të rrisë këtë rol dhe kontribut, si një faktor me peshë rajonale për rritjen e sigurisë për të garantuar stabilitet politik dhe ekonomik rajonal”, - është shprehur Meta.
Angazhimet
Ministri i Jashtëm u shpreh se Shqipëria do të angazhohet gjithnjë e më shumë për të krijuar një lobim për njohjen e pavarësisë së Kosovës, ndërsa shtoi se qeveria e Kosovës duhet të konsolidojë institucionet e saj. “Është fakt i njohur për të gjithë se gjeopolitika e Ballkanit është pasuruar gjatë dy dekadave të fundit me realitete të reja politike dhe shtetformuese. Më i fundit prej tyre, shteti i ri Kosovës, pavarësia e të cilit ishte vendimi më i drejtë për t’i siguruar rajonit paqe dhe stabilitet afatgjatë. Në gjykimin tim, Kosova përballet sot me një sfidë të dyfishtë. E para, konsolidimin e mëtejshëm të institucioneve të saj të reja e të pavarura. E dyta, po aq e rëndësishme, institucionet e shtetit të ri të Kosovës duhet të ngrihen, zhvillohen dhe konsolidohen në përputhje të plotë me standardet që kërkon perspektiva e saj integruese europiane, e cila, në Progres-Raportin e fundit të Komisionit Europian është më e qartë dhe konkrete. Shqipëria mbështet njohjen e mëtejshme të Republikës së Kosovës dhe përshëndet anëtarësimin e saj në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore”, - është shprehur Meta, ndërsa shtoi se krahas kësaj, Shqipëria do të shtojë marrëdhëniet me Serbinë. “Zhvillimi i marrëdhënieve bilaterale me Serbinë është një prioritet shumë i rëndësishëm i politikës sonë rajonale. Këto marrëdhënie duhen parë dhe inkurajuar vetëm në frymën e perspektivës për të ardhmen. Ne do të punojmë në mënyrë intensive dhe konstruktive me qeverinë e Serbisë, për të avancuar dhe thelluar dialogun politik dhe bashkëpunimin për çështje me interes reciprok dhe rajonal”, - është shprehur Meta.
Ministri i Jashtëm gjithashtu shtoi se Shqipëria do të rrisë shkëmbimet tregtare me shtetet fqinje si Maqedonia, Mali i Zi, Italia, Greqia etj. “Në raportet ndërshtetërore me Maqedoninë, Shqipëria do të vazhdojë të ndjekë me konsekuencë politikën e saj të fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit të ndërsjellë, të mbështetjes për integrimin e saj të shpejtë në NATO, ashtu sikurse mbështesim edhe procesin e anëtarësimit të këtij vendi fqinj në Bashkimin Europian”, - është shprehur Meta, ndërsa u shpreh se nuk është normale që të gjitha vendet e Ballkanit, që synojnë liberalizimin e vizave me BE-në, vazhdojnë të mbajnë regjim vizash me njëri-tjetrin. “Duke filluar nga lëvizja e lirë e qytetarëve në vendet respektive, sepse e konsideroj si anomali dhe jashtë kohe faktin se ndërsa kërkojmë që të shkojmë pa viza në Bashkimin Europian, disa nga vendet tona ende mbajnë në fuqi regjim vizash ndaj njëri-tjetrit”, - është shprehur Meta. Sipas ministrit të Jashtëm, rritja e bashkëpunimit ekonomik midis vendeve të rajonit do t’i jepnin dinamikë të re proceseve integruese të këtyre vendeve. “Një Ballkan i ndërvarur dhe i ndërlidhur ekonomikisht me vende dhe rajone fqinje dhe me interesa të përbashkëta dhe historike si Italia, Greqia, Turqia, me të cilat kemi marrëdhënie të natyrshme, tradicionale dhe strategjike, fuqitë tradicionale dhe anëtarët e rinj të Bashkimit Europian, por edhe me qendrat aktuale të zhvillimit ekonomik botëror, do t’i jepnin atij një dinamikë të re zhvillimi dhe prosperiteti, e nevojshme për integrimin e tij europian, por edhe për garantimin e tregjeve rajonale dhe ndërrajonale për Bashkimin Europian”, - është shprehur Meta. Ministri i Jashtëm theksoi gjithashtu se prioritet i prioriteteve në fushën e Diplomacisë mbetet liberalizimi i vizave dhe integrimi i Shqipërisë në BE.
“Vokacioni europian i Shqipërisë mbetet i pandryshueshëm dhe politika jonë e jashtme ka si prioritet madhor integrimin në BE. Ne presim që vendimi për fillimin e negociatave për statusin e vendit kandidat të merret sa më shpejt dhe pa hezitim, dhe po punojmë intensivisht në këtë drejtim për të përmbushur të gjitha standardet e kërkuara, duke bashkëpunuar ngushtë me gjeneratorët kryesorë të ekonomisë dhe politikës së saj, si Gjermania, Franca, Italia, Britania e Madhe dhe Spanja, por edhe vende të anëtarësuara rishtas, pasi dhe eksperienca e tyre është më e freskët dhe më pranë problematikës me të cilën ne ballafaqohemi. Po kaq i rëndësishëm është për Shqipërinë procesi i liberalizimit të vizave, jo vetëm si një mundësi për lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë, por edhe si çlirim psikologjik për qytetarët e të gjithë rajonit. Unë shpreh bindjen time se brenda vitit të ardhshëm do të merret vendimi pozitiv për kapërcimin përfundimtar të kësaj barriere, çka do të çlironte energji pozitive dhe krijonte një perspektivë realisht të prekshme për cilindo prej vendeve tona”, - është shprehur shefi i Diplomacisë shqiptare.
Berisha, thirrje shqiptarëve: “Pajisuni me pasaporta biometrike për të marrë liberalizimin e vizave!”
Kryeministri Sali Berisha u ka bërë dje thirrje shqiptarëve që të pajisjen me pasaporta biometrike në mënyrë që Shqipëria të përfitojë heqjen e regjimit të vizave me vendet e BE-së. Gjatë fjalës së mbajtur dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, Berisha u shpreh se qeveria është e angazhuar që të mbajë premtimin e bërë për liberalizimin e vizave brenda vitit të parë të qeverisjes. “Siç e dini, ne kemi premtuar gjatë fushatës elektorale se brenda vitit të parë të këtij mandati do të bëjmë të gjitha përpjekjet dhe do të plotësojmë të gjitha kushtet dhe reformat, që të merret vendimi për heqjen e vizave për shqiptarët. Ky vendim është jashtëzakonisht i rëndësishëm për çdo vend, por, ndoshta, është ndër më të rëndësishmit për shqiptarët, pasi pothuajse 25 për qind e tyre janë në emigracion dhe kanë me mijëra e mijëra probleme bashkimi familjar, kanë edhe mundësi shkollimi dhe punësimi më të madhe”, - është shprehur Berisha, ndërsa i ka ftuar shqiptarët që të aplikojnë për pasaportat biometrike, që janë ndër më të sigurtat. “Edhe njëherë, thirrja ime për mbarë qytetarët shqiptarë është që të aplikojnë për t’u pajisur me pasaportat e reja biometrike, pasaporta të teknologjisë më të lartë. Ka shumë rëndësi pajisja me këtë dokument të ri modern për të gjithë qytetarët, por edhe për të kontribuar në procesin e liberalizimit të vizave. Qeveria ka marrë masa dhe ka përshpejtuar të gjithë procesin e modernizimit të kontrollit të kufijve. Aktualisht janë marrë masa për të siguruar akses të drejtpërdrejtë të stacioneve të policisë dhe pikave të kalimit kufitar në bazën e të thënave të Interpolit për pasaportat e humbura dhe të vjedhura”, - është shprehur Berisha, ndërsa ka ftuar opozitën të japë kontributin e saj për këtë proces. “Është edhe një herë rasti që të ftoj opozitën të marrë rolin dhe misionin e saj në këtë proces historik, sepse vërtet realizmi i aktit të heqjes së vizave për shqiptarët dhe lëvizja e tyre në mbarë Europën e Bashkuar pa viza, është një arritje historike jo vetëm kombëtare, por dhe individuale për çdo qytetar shqiptar. Është një shans i ri, i madh, për të gjetur konsensusin e bashkëpunimit për projekte kaq madhore për Shqipërinë dhe shqiptarët”, - është shprehur kryeministri.
Komiteti i Helsinkit: Shqetësues presioni që qeveria bën ndaj disa mediave
Komiteti Shqiptar i Helsinkit, duke iu referuar Progres-Raportit të fundit të Bashkimit Europian, e ka cilësuar shqetësuese situatën në mediat në Shqipëri. Në raport cilësohet si shqetësues presioni ndaj disa mediave që janë kritike ndaj qeverisë. “KSHH ka vlerësuar si veprim të nxituar dhe me elemente selektive edhe mënyrën se si u veprua kohët e fundit lidhur me shkatërrimin e antenës së TV Vizion Plus. Ne na ka tërhequr gjithashtu vëmendjen fakti se në raportin e OSBE/ODHIR-it lidhur me zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009, në pjesën ku flitet për lirinë e medias, midis të tjerave thuhet: ‘Pas zgjedhjeve të vitit 2005, koalicioni fitues, i udhëhequr nga PD-ja, ndryshoi komitetin drejtues të KKRT-së si dhe personelin menaxhues dhe disa nga punonjësit e tjerë të Televizionit Shqiptar. Më shumë se 80 punonjës të TVSH-së u larguan nga puna’. KSHH mendon se konstatimi i mësipërm është një argument plus që vërteton njëanshmërinë në veprimtarinë praktike të KKRT-së”, - shkruhet në deklaratën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
27 Tetor 2009