E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi: “Komunikimi njerëzor do të rregullojë të gjitha aspektet shoqërore”



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i pyetur nga mediat për situatën politike në Shqipëri, ka vënë theksin në nevojën e komunikimit njerëzor. Duke mos dashur të bëjë komente politike, urimin për festën e Kurban Bajramit kreu i shtetit ia ka bashkëngjitur dhe situatës politike në vend. Presidenti ka sugjeruar palët që zgjidhjen ta gjejnë nëpërmjet komunikimit. Këtë deklaratë kreu i shtetit e bëri pas vizitës që zhvilloi me rastin e Kurban Bajramit në selinë e Komunitetit Mysliman te godina e Medresesë, “H. Mahmud Dashi” dhe më pas Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane ku u mikpritën nga kryetari Komunitetit Mysliman, Haxhi ing. Selim Muça dhe në vijim nga kryegjyshi botëror i Bektashinjve, Haxhi Dedë Reshat Bardhi. Presidenti dhe Zonja e Parë shprehën urimet më të ngrohta e të përzemërta për këtë ditë feste për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë, kudo ndodhen, me besimin se ditë të tilla kremtimi sjellin gëzim, dashuri, mirëkuptim e harmoni në familjet tona, po ashtu nxisin besimin te një e ardhme më e sigurt dhe e begatë. “Së pari, më lejoni që në këtë ditë të shënuar të jap urimet më të mira për besimtarët myslimanë, por besoj edhe për të gjithë shqiptarët, të cilët dinë shumë mirë t’i gëzojnë festat e njëri-tjetrit! Besoj se është një ditë ku të gjithë duhet të inspirohen për rritjen e begatisë së shpirtit kundrejt varfërisë shpirtërore që doemos, dita-ditës duhet ta lemë pas. Unë dëshiroj që këtë mesazh ta japim jo vetëm për myslimanët shqiptarë që jetojnë në Shqipëri, por edhe për ata që jetojnë në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, kudo ku ata e kanë ndërtuar jetën mbi bazën e filozofisë islame, e cila në fakt është një filozofi e paqes, e komunikimit njerëzor dhe kjo do të ndihmonte shumë edhe për rregullimin e shumë aspekteve shoqërore që janë të domosdoshme për të ngritur një të ardhme shumë më të mirë se ç’kemi sot. Me këtë rast edhe juve ju uroj përzemërsisht për këtë festë të veçantë”, - është shprehur presidenti Topi.

28 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›