Topalli përshëndet rezolutën e Parlamentit Europian për Shqipërinë
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë përshëndeti dje rezolutën e Parlamentit Europian, e cila vlerëson progresin e bërë nga autoritetet shqiptare në rrugën drejt BE-së.
Në një deklaratë për mediat, Topalli u shpreh dje se në rezolutën e PE-së i kërkohet opozitës shqiptare që të ndërpresë bojkotin dhe të kthehet në Kuvend. “Jam këtu për të përshëndetur rezolutën e Parlamentit Europian, që vlerëson progresin e bërë nga Shqipëria. Kjo rezolutë i kërkon opozitës të ndalë bojkotin parlamentar dhe i kërkon asaj që të kryejë detyrën për të përfaqësuar votuesit e saj në Parlament. Në këtë vendim të Parlamentit Europian, duke i kërkuar opozitës që të ndalë bojkotin e të hyjë në Parlament, i kërkon kësaj të fundit të vijojë punën, bazuar në zgjedhjet e fundit në Parlament; ajo vë në dukje se Shqipëria ka aplikuar për anëtarësim në BE dhe se Këshilli ka marrë vendim për të ftuar Komisionin të përgatisë opinionin e vet mbi aplikimin e vendit; inkurajon autoritetet shqiptare që të vazhdojnë përpjekjet e tyre në rrugën e reformave në shërbim të progresit ekonomik dhe social të qytetarëve të saj, në mënyrë që vendi të përparojë në rrugën e tij të anëtarësimit në Bashkimin Europian”, - është shprehur Topalli. Ajo shtoi se brenda vitit 2010 do të liberalizohen vizat për shqiptarët, ndërsa falënderoi PE-në për rezolutën mbështetëse për Shqipërinë. “Unë edhe një herë falënderoj autoritetet europiane të Parlamentit Europian dhe me këtë rast, pas kësaj rezolute mbështetëse të PE-së, dua t’u them deputetëve të opozitës se ne i mirëpresim ata në Parlament, se kemi detyra të shumta për të kryer së bashku”, - është shprehur Topalli.
28 Nentor 2009