E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori gjerman: Raportet e tregojnë Shqipërinë vend grumbullimi heroine

BE-ja do të dërgojë në mars mision vlerësues për standardet në Shqipëri. “Përpjekjet e qeverisë për të luftuar krimin janë në një fazë fillestare”

Eljona Ballhysa
“Raportet e ndërkombëtarëve e paraqesin Shqipërinë një vend të grumbullimit të heroinës”. Kështu është shprehur dje ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Bernd Borkardt, gjatë vizitës së djeshme në pikën kufitare të Murriqanit. Në këtë vizitë ambasadori Borkardt shoqërohej nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Duke folur për procesin e liberalizimit të vizave, Borkardt theksoi nevojën për përmbushjen e të gjitha kushteve të vëna nga ndërkombëtarët. Ai vuri në dukje se vendi ka bërë progres në disa fusha, ku vlerësoi teknologjinë e vënë në pikën kufitare të Murriqanit, por theksoi se vendi ka ende punë për të bërë në drejtim të reformave. Ambasadori gjerman tha se duke iu referuar raporteve të ndërkombëtarëve, qeveria shqiptare duhet të bëjë më shumë përpjekje për të luftuar trafikun e drogës dhe për të thelluar luftën kundër krimit të organizuar. Ai e ka cilësuar luftën e qeverisë ndaj grupeve kriminale si një përpjekje në fazën fillestare.
Reformat
“Para pak ditësh indeksi i korrupsionit i Transparency International, i njohur në mbarë botën, konstatonte një përkeqësim të situatës në Shqipëri. Raporti vjetor 2009 i EUROPOL-it shënonte se Shqipëria ende shërben si qendër grumbullimi dhe transporti për shpërndarjen e heroinës në Bashkimin Europian. Raporti i Progresit i Bashkimit Europian në tetor 2009 arriti në përfundimin se përpjekjet e qeverisë shqiptare për të luftuar krimin e organizuar ende janë në një fazë fillestare dhe se përpjekjet për të luftuar pastrimin e parave duhet të intensifikohen më tej. Progresi në këto fusha është parakusht për liberalizmin e vizave”, - është shprehur Borkardt, ndërsa theksoi nevojën për thellimin e punës në këto fusha. “Përfitoj nga rasti të inkurajoj qeverinë shqiptare për të thelluar përpjekjet në këto fusha, në mënyrë që më në fund regjimi i vizave të hiqet. Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në këtë rrugë”, - është shprehur ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri.
Misioni
Gjatë kësaj vizite ambasadori gjerman bëri të ditur se në muajin mars të vitit të ardhshëm Bashkimi Europian do të dërgojë një mision për verifikimin e përmbushjes apo jo të detyrimeve që ka Shqipëria për të përfituar nga liberalizimi i vizave me vendet e Unionit. “Falënderoj ministrin e Brendshëm Basha për mundësinë për të vizituar nga afër pajisjet e instaluara në fundi në kufirin me Malin e Zi, të cilat duhet të japin një kontribut në luftën kundër migracionit të paligjshëm dhe përmirësimin e menaxhimit të kufijve. Në mars të vitit të ardhshëm Bashkimi Europian do të dërgojë në Shqipëri një mision vlerësues, i cili, ndër të tjera, do të verifikojë nëse këto pajisje përmbushin standardet e domosdoshme për një liberalizim vizash. Parimisht mund të them: Gjermania e mbështet një liberalizim vizash për Shqipërinë, sapo kushtet e përcaktuara nga Bashkimi Europian të jenë përmbushur. Vetëm në vitin 2009 ne kemi vënë në dispozicion mbi 1 milion euro për të mbështetur Shqipërinë në përmbushjen e kushteve si lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit, trafiqeve të qenieve njerëzore dhe lëndëve narkotike dhe përmirësimin e menaxhimit të kufijve. Përsa i përket përmbushjes së parakushteve, ka lajme të mira dhe të këqija. Te lajmet e mira përfshihen, ndër të tjera, progreset e dukshme këtu në aplikimin e teknologjisë së informacionit në fushën e policisë dhe atë kufitare”, - është shprehur ambasadori Borkardt.

28 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›