Debatik Curri: “Më kërkojnë tri ekipe të Bundesligës”

EKSKLUZIVE - Debatik shënuat golin e vetëm për Shqipërinë në Holandë, një gol që pati jehonë në të gjithë Europën.
- Ajo që më vazhdon të më japë kënaqësi është fakti se ishte një gol shumë i bukur. Dhashë maksimumin tim në ndeshjen kundër Holandës dhe do të mundohem të jap gjithmonë më të mirën time për Kombëtaren time.
Medin Zhega, ish-trajneri juaj i parë te Prishtina në Kosovë, i cili ishte i pranishëm në "Amsterdam Arena", pohoi para disa ditësh në Albania-sport.com se ndihej i lumtur me golin tuaj.
- Një pjesë e dedikimit të golit i takon dhe atij, dhe unë e falënderoj Zhegën, se ishte ai që më promovoi te SK Prishtina. Më ka ndihmuar shumë që të futesha në ekipin e parë të Prishtinës dhe kam mësuar shumë prej tij.
Te skuadra juaj në Ukrainë, Vorskla Poltava së bashku me Armend Dallkun jeni shndërruar në titullar të padiskutueshëm.
- Kemi zënë një vend stabël. Jemi duke luajtur shumë mirë me ekipin dhe tashmë nuk kemi asnjë problem për të qenë në formacionin e parë. Gjithë synimi ynë është që të paraqitemi sa më mirë në kampionat.
Është folur në media kohët e fundit për një interesim të dy skuadrave gjermane të Bundesligës, Verder Bremen dhe Shtutgardit. A keni patur kontakte me klubet?
- Po kam pasur. Ne kemi edhe një vit e gjysmë kontratë me klubin e Vorsklës dhe është e pamundur të shkëputemi para parfundimit të saj. Për më tepër që i kemi dhënë dhe fjalën presidentit të klubit, që nuk është aspak i gatshëm të na transferojë te një nga dy klubet gjermane.
Cili është me afër për ju Shtutgardi apo Verder Bremeni?
- Unë kam patur kontakte edhe me disa ekipe të tjera, përvec Verderit dhe Shtutgardit. Edhe Borusia e Mënshengladbahut ka qenë e interesuar për mua si dhe një sërë klubesh të Bundesligës 2.
Intervistoi: Dash Frashëri