Enco Malindi : Lorenco Sera Ferer, eja më shiko ne Greqi-Shqiperi U-21!

Talenti i futbollit shqiptar, Enco Malindi i ka bërë një ftesë të hapur dje trajnerit të AEK-ut të Athinës, spanjollit Lorenco Sera Ferer nëpërmjet faqeve të gazetës greke "Goal news". Gjatë ditëve të fundit është folur shumë për interesimi e klubit grek për sulmuesin e talentuar 19-vjecar të Partizanit. Për fatin e mirë, Malindi dje ka zbarkuar në Greqi së bashku me kombëtaren shqiptare të moshës U-21 dhe sot mendohet të luajë si titullar ndaj Greqisë. Në këtë mënyrë ai do të ketë mundësi të kontaktojë personalisht me drejtuesit e AEK-ut, ndërkohë që mendohet se ata do ta shohin nga shkallët e stadiumit të Ionikosit "Neapolis" në aksion në ndeshjen midis dy kombëtareve fqinje. Sipas informacioneve paraprake në stadium do të jetë edhe trajneri i AEK-ut, Ferrer. Gjatë pasdites së djeshme në ambientet e Hotel Akropoli futbollisti i Shpresave është intervistuar nga gazeta "Goal Neës" ndërkohë që ka qenë në praninë e presidentit të Partizanit, Albert Xhani dhe zv/trajnerit të Shpresave, Edmond Zhupa. I pyetur se cili është mesazhi i tij për trajnerin e AEK-ut, Malindi është përgjigjur: "Zotir Ferrer, ejani në stadium të më shikoni, - dhe më pas shton, - për një kohë të gjatë më kanë vëzhguar në akademinë e Partizanit zbuluesit e AEK-ut, Gerard dhe Kola. Më pëlqen shumë filozofia e trajnerit Ferrer, i cili beson shumë te të rinjtë. Besoj se kam aftësitë e duhura dhe potencialin për të luajtur me ekipin e parë të AEK-ut. Dua të shënoj gola për AEK-un". Ndërkaq, presidenti i Partizanit, Albert Xhani ka shpjeguar situatën e merkatos për lojtarin. "Ne jemi të hapur për cdo ofertë. Mirëpo, do të dëgjojmë përpara ofertën e AEK-ur, duke qenë se bashkëpunojmë prej shumë kohësh me këtë klub. Unë e di shumë mirë se AEK-u i ka vëzhguar me shumë kujdes Malindin, ashtu si edhe Karabecin", - ka shpjeguar presidenti i të kuqve. Ndërkaq, në mediat greke ka qarkulluar lajmi se drejtuesit e AEK-ut janë të interesuar edhe për 17-vjecarin shqiptar, Aliu.
F. Kodra