E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debatik Curri, "i prenotuar" me golin te Vorskla

E shtuna është karakterizuar nga golat e shumtë të futbollistëve shqiptarë me skuadrat ku militojnë jashtë vendit. Në Ukrainë, Debatik Curri duket i pandalshëm: edhe në sfidën që Vorskla Poltava fitoi 2-0 në shtëpi përballë Metalurg Donjetsk, 24-vjeçari ka realizuar me penallti. Në të 75-ën, Armend Dallku ndërmerr një inkursion personal në zonë nga e djathta dhe e vetmja mënyrë që mbrojtësit kundërshtarë ta frenonin ka qenë duke i shkaktuar faull. Gjyqtari akordon 11-metërsh, i cili shndërrohet në gol nga Curri, ndërkohë që 15 minuta më parë kishte shënuar Aleksei. Kjo është rrjeta e gjashtë në këtë sezon për lojtarin e kombëtares. Dallku dhe Curri kanë qenë sërish lojtarët më të mirë në fushë për Vorsklan dhe dy kuqezinjtë kanë meritat më të mëdha që skuadra arriti të siguronte mbijetesën në Vyscha Liga. Humbet "kolonia" tjetër shqiptare që militon në Ukrainë (Hidi, Bulku, Bylykbashi e Ndreka): Krivbas Krivji Rig është mposhtur 1-0 në fushën e Shaktjor Donjetskut.

"Lumë" golash nga shqiptarët ka pasur në Gjermani. Edmond Kapllani realizon rrjetën e dytë sezonale me Karlsruhen, në takimin që skuadra nga Baden-Baden është mundur 3-1 në fushën e Hertës së Berlinit. Sulmuesi shqiptar ka gjetur rrugën e rrjetës në të 53-ën, kur vendasit ishin në avantazh 2-0 (me gola të Kacar dhe Panteliç). Në të 87-ën, berlinezët shënuan sërish me Skacel. Kapllani është aktivizuar përgjatë gjithë 90 minutëshit, por ajo që është kryesore është se kur kanë mbetur edhe tri javë nga mbyllja e kampionatit, kuqeziu ka fituar besimin e trajnerit Beker dhe vazhdimësinë në gola. 90 minuta është aktivizuar edhe Altin Lala, në barazimin 1-1 që Hanover arriti në fushën e Shalkes. Paraqitje jo e mirë e Ervin Skelës, e cila është pasqyruar edhe në humbjen 2-0 të Energie Kotbus në fushën e Verder Bremenit. Fantazisti është aktivizuar 87 minuta, ndërsa më pas u zëvendësua nga Papadopulos. Në Bundesligën II, Skerdilajd Curri ka shënuar një nga dy golat e Erzbegirge Aue në humbjen 4-2 në fushën e St. Paulit. Kavajasi gjeti rrugën e rrjetës në të 35-tën, duke sjellë avantazhin e përkohshëm (1-2) të skuadrës së tij. Për 32-vjeçarin, ky është goli i tretë në këtë sezon. Në Ligën Rajonale të veriut momente lavdie ka pasur edhe për dy shqiptarë të tjerë, ish-lojtarë të kombëtares kuqezi. Të premten Bekim Kastrati ka realizuar në fitoren 4-0 që Fortuna Dusedorf arriti me amatorët e Borusia Dortmundit. Protagonist në të mirë dhe në të keqe në këtë kategori është bërë edhe Blerim Rrustemi: mbrojtësi i preferuar i Bariç ka shënuar në barazimin 2-2 të Rot Vajs Erfurt në fushën e Dinamo Dresen. Por, në të 87-ën, kur skuadra e tij kryesonte 2-1, Rrustemi ka dalë nga loja me karton të kuq. Vendasit barazuan me Bendovskin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›