Për 1 Maj në Kurbnesh
Dielli sapo ka nisur ta ndriçojë sipërfaqen e Fanit, teksa kemi marrë udhën për në Rrëshen. Eshtë mëngjesi i 1 Majit, ditës së njohur të punëtorëve, porse këtë herë në disa pjesë të Mirditës festohet edhe një tjetër ditë, Festa e Shëlbumit, që këtu dikur organizohej, të enjten e tretë mbas Pashkëve katolike. 1 Maji në këto anë ka mbledhur dy festa në një ditë. Shelbumi është festa e mbarësisë që sjell pranvera. Për disa zona të thella, ku pranvera vjen me vonesë, është me të vërtetë për t‘u gëzuar. Acari tashmë është larg dhe njerëzia mund të merren me punët e tyre. Shenjën e parë të festës e shohim që në Rubik. "Për shumë vjet Shëlbumin", lexojmë mbi një parullë të madhe që e kanë vendosur tërthor rrugës. Rrëshenin e gjejmë krejt të heshtur. Kemi ardhur ca si herët dhe këtë ditë feste rrëshenasit duket se e kanë marrë me nge. Në hyrje të qytetit hasim një tjetër tabelë ku shkruhet: "Shkolla e mesme profesionale Shën Jozefi punëtor". "Ky po që e hak të festojë edhe festën e fesë edhe atë të punëtorëve", na shkon mendja për marangozin më të njohur në botë, teksa në rrugët e Rrëshenit kanë nisur të shfaqen kalimtarët e parë. Në fakt, Shëlbumi është festa e Shën Zefit, babait adoptiv të Jezu Krishtit. Deri në 1955 emri i tij festohej sipas traditës së vjetër që e lidhte gjithnjë me Pashkët. Në 1955 kisha vendosi që Shën Zefi të përkujtohej si mbrojtës i zejtarëve dhe punëtorëve, si edhe i baballarëve në datën 1 Maj, e cila tashmë kishte marrë edhe tagrin e ditës ndërkombëtare të punës e punëtorëve.
Takojmë miqtë tanë të vjetër, Bardhok Gjikolën, Ndue Dedajn, Pjerin Dedën... Brenda pak minutave jemi sërish në udhëtim. Këtë herë do të shkojmë në Kurbnesh, qytetin dikur të famshëm të minatorëve të bakrit. Kurbneshi është në Selitë, një krahinë që festën e Shëlbumit e ka fort të rëndësishme. Lëmë pas me radhë periferinë e Rrëshenit, Tarazhin me urën e tij hekurudhore të prishur, Prosekun dhe vazhdojmë më lart...
Takimi i parë me minierën
E shprehur në shifra distanca që ndan Kurbneshin nga Rrësheni nuk është edhe aq e madhe, vetëm 44 kilometra, porse neve rruga do të na duket të paktën dy herë më e gjatë. Makina jonë lëkundet fort mbi një rrugë që është hapur nga ushtria në mesin e viteve ‘50 sapo në Kurbnesh u hap miniera e parë, në fillim në sipërfaqe. Ndalesën e parë e bëjmë në Perlat. Gjatë të gjithë rrugës na kishte bërë përshtypje mungesa e kalimtarëve. Në Perlat nisim të shohim furgonat e parë të njerëzve që ngjiten lart për festë. Shëlbumi është festë e miqve dhe të zotët e shtëpisë do të krenohen të nesërmen me numrin e miqve që u kanë shkuar "n‘kull" në këtë ditë të veçantë. "Gëzuar e për shumë vjet festën" urojmë një nuse të re që shet në një dyqan të vogël ku mund të gjesh të gjitha gjërat, që nga biskotat e cigaret e deri te korrëset e barit. Gruaja në fillim hutohet, pastaj pyet: "A punëtorë jeni edhe ju?". Në fakt, ne kishim dashur ta uronim për Shëlbumin. "Mos u ngutni - na sqaron njëri prej miqve - ktu jena hala n‘Kthellë. Festa bahet në Selitë. E për atje i kemi edhe do rrugë".
Kemi nisur ta kuptojmë se po i afrohemi zonës minerare. Dheu, i bërë edhe më i dukshëm nga shpyllëzimi i krisur dhe nga gërryerja e egër, nis të bëhet gjithnjë e më i kuq, derisa hasim në minierën e parë, në "paradhomën" e Kurbneshit, në Perlatin e Epër. Një pallat minatorësh duket i brengosur në vetminë e tij. Askush nuk banon më në të dhe era, që nis të fryjë sa më tepër ngjitemi, luan me plehrat që kanë mbetur në apartamentet e braktisura. Vetëm 15 vjet më parë në këto pallate kishte jetë, të vështirë vërtet, por jetë ama. Sot ngjyra e tyre gri (kush dreqin e ka pasur mendimin e mbrapshtë që të vetmet ngrehina në këtë vend të trishtë t‘i lyejë me ngjyrën më të nxirosur të mund) e rrethuar nga e kuqja e mbetjeve të mineralit na duket simboli i vërtetë i kësaj zone thuajse të braktisur.
Kurbneshi, qyteti i shpartalluar
"Mos u mërzitni se tash jenë krejt afër", miqtë tanë e njohin këtë rrugë thuajse me sy mbyllur. Dhe vërtet pas pak minutash e shohim Kurbneshin nga një lartësi goxha e madhe. Eshtë i strukur në luginën e Përroit të Urakës, një rrjedhë e rrëmbyeshme uji, e cila udhëtimin e saj e vazhdon deri në Liqenin e Ulzës. Në Veri të qytetit ngrihet një shkëmb i lartë, Guri Burg i thonë vendasit, pa ditur të shpjegojnë arsyen, në Lindje Guri i Gjonit, një shkëmb i rreptë që bie thuajse thikë mbi godinat e qytetit. Edhe më përtej në Lindje dallohet dëbora e përhershme e Kunorës së Lurës.
Makina jonë nis të zbresë butë-butë drejt sheshit të vogël ku dallojmë ngrehinat. Spektakli i parë marramendës është një rrënojë kolosale. E vendosur në një shpat kodre, ajo zbret ngadalë drejt qytetit, njësoj sikur të dojë ta përlajë edhe atë me vete në "spektaklin" e saj të rrënuar. Në këmbë ka mbetur vetëm një skelet i stërmadh i betontë, gati-gati kërcënues. Është fabrika e pasurimit të mineralit. Që këndej minerali i pasuruar transportohej poshtë, në Rubik, ku ishin impiantet e shkrirjes dhe të rafinimit të bakrit. Në Rubik, bakri ndahej nga floriri. Fabrika e stërmadhe është ndërtuar nga gjermanolindorët, por punimet u ndërprenë në 1960. Kur ajo, më në fund, u vu në punë në 1961, atëherë edhe Kurbneshi nisi të shndërrohej në një qendër minatorësh e punëtorësh. Nuk kemi se ç‘të bëjmë më nën hijen e kësaj rrënoje gjigante dhe kështu vetëm brenda pak minutash kemi hyrë në qytet. "Qytet" është fjalë e madhe. Sepse në fakt, Kurbneshi, që na shfaqet para syve, nuk është gjë tjetër veçse një tufë pallatesh të rrënuara, ku rrallë e tek shfaqet ndonjë figurë njerëzore, si hije e largët. Në rrugën kryesore të qytetit, një bari ka sjellë tufën të kullosë. Nuk duhet të çuditet njeri. Mbi asfaltin e rrugës kryesore tashmë ka mbirë një goxha bar. Miqtë tanë na rrëfejnë me radhë: "Ja, ky këtu ka qenë spitali, këtu pallati ku ka jetuar i ndjeri Agron Hazbiu, që hodhi veten në erë në minierë, këtu ka qenë një pjesë e Arkivit Qendror të Shtetit, dokumentet origjinale ruheshin këtu, sepse mund të rrezikoheshin nga ndonjë "agresion imperialisto-revizionist", këtu ka jetuar për do kohë i internuar Arben Theodhosi, piktori...". Beni është një shoku ynë i vjetër. Dikush prej nesh i telefonon sakaq. "Ah, po përse nuk më thatë të vija edhe unë...". Beni kishte të drejtë, do të kishte qenë një udhërrëfyes i dobishëm për këto anë. Mes pallateve të rrënuara e ndiejmë se na ndjekin sy kuriozë. Disi me ndrojtje na afrohen një grua dhe një djalë i vogël. Eshtë Dila dhe djali i saj, Emanueli, ndër të paktat frymë të gjalla që kanë mbetur ende në qytetin i cili dikur numëronte mbi 3 mijë vetë. Dila është gruaja e një invalidi të punës. Familja prej pesë vjetësh mbahet në këmbë vetëm nga një pension prej 5 mijë lekësh në muaj. Në anë të urës mbi Urakë, në të dalë të qytetit dikush ka ndërtuar një barakë të drunjtë. Eshtë aq e shtrembër saqë duket sikur do të bjerë në përrua nga çasti në çast. Eshtë lokali i vetëm i qytetit, por edhe ky sot është i mbyllur.
"Bajraktari i majtë"
Një burrë i ri na ka dalë përpara. Zakoni i kësaj dite e do që kalimtarët të ftohen brenda, kush qofshin e ngado që të vijnë. Brenda pak minutash e kemi harruar atë trishtimin e shurdhët që na kishte kapluar mes rrënojave të Rrëshenit. Jemi në një shtëpi mirditore të rrethuar nga një zallamahi festive, me burra, djem të rinj, fëmijë që sillen hareshëm. Tomë Gjikola, duket më i moshuari i atij grupi të hareshëm. Ai na ve në krye të vendit, sikurse e do zakoni. Miqtë tanë na rrëfejnë se Toma është nga pasardhësit e bajraktarit të Selitës. Jeton në Laç, por familja është mbledhur për festë në shtëpinë e vjetër. Sa hap e mbyll sytë kemi para nesh një sofër gjigante që do të mjaftonte për të ushqyer një dasmë të tërë. "Mos u çudisni se sa shpejt u bë gati sofra. Gratë i bëjnë gati gatimet e Shelbumit që përpara. Miku nuk ka orar e kshtu duhet me qenë gati në çdo moment", mundohen të na e largojnë disi habinë tonë. Sikurse ndodh rëndom sa herë që takohen kryeqytetas e vendas, biseda shkon si vetiu te politika. "Nuk e di se me kë jeni, po unë vetë jam i majtë", e bën gati debatin Toma. Trishtohet kur i themi se nuk jemi me asnjë parti, por thjesht gazetarë që mundohemi të njohim veten dhe të tjerët me Shqipërinë, por nuk e merr për ters shakanë. "Një bajraktar i majtë! Nuk na kishte shkuar kurrë mendja", bën shaka njëri prej nesh. Bajraktari vë buzën në gaz dhe ngre një shëndet për ne: "Mirë se ju ka pru Zoti!".
Në shtëpi të minatorit
Ndue Gjikola ka punuar 29 vjet në minierë. Eshtë njësoj sikur ai dhe galeritë e saj të kenë pasur jetë të përbashkët. Ka qenë nga të fundit që u nda me të. Miniera i ka mbajtur familjen, i ka rritur fëmijët, porse i ka dëmtuar rëndë shëndetin. Ndueja vuan si shumë kolegë të tij, nga silikoza, në sëmundje e rëndë e mushkërive.
Shtëpia e tij është vendosur disi më larg rrënimit të Kurbneshit, mbi një pllajë që sundon thuajse krejt zonën dhe e rrethuar nga gjelbërimi. Ndueja ka dalë të na presë te shtegu që të çon në shtëpinë e tij. I mrekullohemi natyrës dhe ajrit të pastër që bën ditën edhe më festive. "Ju nimoftë kjo ditë", tashmë e kemi mësuar edhe ne si si urohet për Shëlbum. Ndue na prezanton edhe me nënën e tij, Nanën Davë, një grua e imët, që është mbledhur edhe më shumë nga mosha. Nana Davë na përqafon sikur të jemi djemtë e saj. Miku e shoku, në këto anë është një gjë fort e shenjtë. Biseda kalon nga rrëfimet për minierën, emra minatorësh të vjetër, drejtorë, inxhinierë, miq të përbashkët, te tregimet për histori të vjetra, me të cilat këto anë janë të stërmbushura. Shtëpia ku po rrimë është e re. Eshtë ndërtuar vetëm në 1990.
Ne dinim më përpara se kulla e vjetër e Gjikolajve është prej kohësh "Monument Kulture" nga ata që duhet të mbrohen nga shteti dhe kështu marrim një shteg të ngushtë për t‘u ngjitur më lart. Kulla e gurtë është ndërtuar diku andej nga 1880. Nga lartësia e saj shihet e gjithë zona poshtë. Kush ka pasur ndërmend ta sulmojë këtë kullë duhet ta ketë pasur me të vërtetë pisk punën. Na thonë se për ndërtimin e saj kanë punuar ustallarë bullgarë a maqedonas: "Pleqtë thonin se mjeshtrat nuk dinin asnjë fjalë shqip. Puna për ndërtimin e asaj ka zgjatë 16 javë. 100 deshë, 100 sqepër, 100 napolona flori janë harxhu asokohe për të mbajtë ustallarët e punëtorët. Imagjinoni pak, vetëm kafe harxhohej 15 okë në javë (22.5 kilogramë)". Rrimë e sillemi do kohë rreth kullës. Pemët e lulëzuara, gjelbërimi i oborrit të saj, qetësia që mbretëron kudo e bëjnë më pak të rreptë siluetën e mprehtë të kullës së Gjikolajve.
Gjergj Kastrioti "i Riu"
Kastriot Gjikola është djali i Ndues. Ai është emigrant në Kretë, ku merret me ndërtimtari. Me të miqësohemi shumë shpejt. Kastrioti ka ardhur në shtëpi me rastin e pushimeve për Pashkët ortodokse. Fati e desh që të mbërrinte edhe Shëlbumin. Një djalë i vogël, i shëndetshëm nuk i ndahet nga këmbët. Eshtë Gjergji i biri. Kur Kastrioti pat lindur shumë vetë e pyetën Ndue Gjikolën se përse ia vuri emrin djalit Kastriot. "Ia kam vu kshtu që, kur t‘bajë djalë, atëherë sipas traditës tonë, ku emri i babës bahet mbiemër, t‘a qujmë Gjergj e kshtu ta ketë emrin e plotë Gjergj Kastrioti. E unë kshtu do të bahem gjyshi i Gjergj Kastriotit", u pat përgjegjë asokohe minatori. Dhe kështu ka ndodhur vërtet. Djali i lezetshëm që na sillet nëpër këmbë është vetë Gjergj Kastrioti i Gjikolës. Ne i harxhojmë ca kohë të mira duke luajtur me Gjergj Kastriotin "e Ri". E kush e ka pasur ndonjëherë fatin të lozë as më shumë e as më pak se sa me vetë Gjergj Kastriotin?
Vonë në të errur marrim rrugën e kthimit. Eshtë nga ato raste kur njeriut i vjen keq të largohet. Na u duk se në atë shtëpi, poshtë Gurit Burg, kishim jetuar prej kohësh mes atyre njerëzve miqësorë e mikpritës.
Poshtë, diku andej afër Prosekut hasim në një karvan të madh bagëtish. Me dhjetëra mushka dhe mijëra dele janë grumbulluar në anë të rrugës. Barinjtë i kanë hyrë punës për të çuar kopetë në kullotat verore lart në bjeshkë. "Ju nimoftë kjo ditë" përshëndetemi për herë të fundit me njerëzit e maleve. Rrësheni tashmë është fare afër dhe pas tij Tirana dhe rrëmuja e saj.
1954, policë të hareshëm në një përrua
Nuk duhet të ketë qenë gjë e lehtë të ishte polic në Mirditën e 1954. Krahina ishe ende e trazuar, e përgjakur, e ofenduar... Shumë nga burrat e saj rrinin maleve duke vazhduar qëndresën me armë në dorë. E megjithatë, në kujtimet që do të lexoni më poshtë do të hasni në policë të gëzuar që përqafohen me një sovjetik dhe me gjeologun shqiptar, Aleks Vranaj, i cili e zbuloi i pari vendburimin e Kurbneshit. Për mijëra njerëz fati ishte përcaktuar nga ai grup i vogël i hareshëm.
"... Me 16 korrik 1954, ekipi i kërkimit gjeologjik, Luan Peza, Haxhi Sauku, Anatoli Zverjuga (inxhinier sovjetik), Aleks Vranaj filluan marshutat në zonën e Kurbneshit... Gjatë marshutës që kreva në përroin e Rrëpeshkut gjeta disa copa me mineralizim bakri, por të oksiduar. Këto ia tregova Zverjugës. Duke vazhduar kërkimin në drejtim të kundërt me rrjedhën e përroit sasia e copave në sulfure të bakrit po shtohej, kështu në krahun e djathtë të përroit, në degëzim të tij (pikërisht nën shtëpinë e Preng Përdhoçit) unë (A.Vranaj) gjeta daljen rrënjësore, i thirra në moment inxhinierit sovjetik, që ecte i shoqëruar me policë, dhe ai erdhi menjëherë. Gëzimi ishte i papërshkruar, një gëzim që nuk e kisha ndjerë kurrë. Inxhinjer Zverjuga më përgëzoi dhe me tha ‘maladec‘ (të lumtë), më hoqi kasketën dhe ma hodhi në përrua duke më përqafuar. Bashkë me gëzimin tonë u bashkuan edhe 7-8 policët që na shoqëronin, të cilëve u mundova t‘ua përktheja ato që më thoshte inxhinieri sovjetik... Të nesërmen unë dhe inxhinieri Luan Peza bëmë një skicë-planimetri me busull të kësaj pjesë dhe mblodhëm kampionet e nevojshme për prova laboratorike. Analizat e këtyre provave, që i kryem në Rubik dhe në laboratorin qendror të gjeologjisë në Tiranë, ishin shumë premtuese, jo vetëm në bakër, por edhe për disa elemente të tjera të çmuara...".