E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbia dhe MSA

Firmosja e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit të Serbisë me BE-në, përveçse ka përçarë politikën serbe, ka shkaktuar një gëzim të madh në mesin e gjësë së gjallë serbe, që tashmë kanë shumë të drejta evropiane; ndoshta për këtë është kujdesur edhe shefi i diplomacisë evropiane, Havier Solana, i cili ka vazhduar të mbrojë shtetin serb dhe të zemërojë pa masë Kryeministrin e Serbisë, Vojisllav Koshtunica.

Pse Serbia?!

Në ditën kur Bosnja dhe Hercegovina po priste firmosjen e MSA-së me Bashkimin Evropian, dhe Serbia nuk kishte as shanse minimale për një gjë të tillë, ndodhi e kundërta. Serbia firmosi këtë marrëveshje, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina, edhe pse kishte plotësuar të gjitha kushtet, mbeti pa firmë dhe vetëm me premtimin se një gjë e tillë do të ndodhë në takimin e radhës të Këshillit të Ministrave të BE-së.

Pas firmosjes së Serbisë, edhe pse kishte karakter fushate, emocionet i përjetoi vetëm Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, dhe partia e tij. Elektorati serb, që nuk ishte në pritje të kësaj firme, jo vetëm që nuk u gëzua, por edhe u zhgënjye se kaq lehtë qenka të futesh në BE, të fitosh aq shumë të drejta, edhe pse nuk i meriton, e pse jo, edhe filluan ta pyesin veten se, pse u dashka që Karaxhiç dhe Mlladiç të arrestohen. Për të sqaruar gjithë këtë amulli të krijuar, nxitoi gjysma "prodemokratike" e qeverisë serbe, e cila para kamerave fliste për të drejtat që kanë fituar, ku do të jetë ekonomia, cilat do të jenë fondet e BE-së, dhe cilat janë detyrimet serbe ndaj Brukselit zyrtar, që e do Serbinë në familjen evropiane. Por jehonë më të madhe kishin deklaratat e radikalit Nikoliç dhe Kryeministrit të fundit serb, Koshtunica, për të cilët kjo firmosje do të thotë "shitje e Kosovës".

Duke harruar se vetëm radikalë dhe socialistë serbë dhe ithtarë të paidentifikuar të Koshtunicës janë mbi 45% e elektoratit, prodemokratët dhe proevropianët e Tadiçit bëjnë me gisht nga sondazhi i publikuar një ditë më pas nga agjencia serbe "Strategic Marketing" dhe ku, pa pikën e turpit, theksohet se 66% e qytetarëve të Serbisë mbështesin firmosjen e MSA-së.

Edhe pse askush nuk e di se pse u firmos kjo marrëveshje me Brukselin, ndikimi tek elektorati është një arsye shumë banale. Sikur kjo të ishte një arsye madhore, do të ndikonte edhe në Maqedoni, kur ajo fitoi statusin e vendit kandidat dhe ishte në prag të zgjedhjeve. Qeveria, që arriti të plotësojë pyetësorin e Komisionit Evropian me dokumente që peshonin plotë 45 kilogramë, ose tri kuti të mbushura plotë me 12 mijë e 600 faqe përgjigje, i humbi zgjedhjet përkundër zemërgjerësisë së Brukselit dhe dëshirës së madhe të qytetarëve të Maqedonisë.

Pra, pretendimi dhe dora e shtrirë e Solanës ndaj Beogradit dhe kësaj radhe do të pësojë dështimin e radhës, ashtu siç ndodhi me bashkësinë shtetërore Serbi dhe Mali i Zi. Ndërsa me mburrje mbante MSA-në e firmosur, Solana kishte harruar për momentin se zyrtarët serbë që kishte në krahë, kanë qeverisur Serbinë plot tetë vjet, dhe kushtin që e kërkonte Holanda, kishin kohë ta plotësonin për vetëm 96 muaj. Nuk dihet se si u bind Holanda për të hequr dorë për momentin, por qytetarët e Srebrenicës nuk do të harrojnë se kush vrau dhe si u vranë qytetarët joserbë në Bosnjë e Hercegovinë.

Por e gjitha kjo ngjarje ka edhe gjurmë, me të cilët Serbia dhe Evropa mund të krenohen. Me firmosjen e MSA-së derrat dhe lopët serbe do të gëzojnë aq shumë të drejta, sa sot nuk i kanë as qytetarët boshnjakë që mbeten pa firmë dhe as ata të Kosovës që vazhdojnë të kërkojnë të afërmit e tyre të vrarë nga regjimi serb. Kështu, derrat serbë kanë filluar ahengun, sepse në të ardhmen Serbia do të duhet të respektojë direktivën për të gjitha llojet e derrave nga viti 2001. Kështu, këto kafshë do të pinë dhe të lahen me ujë të pastër, do të kenë ndriçim adekuat, do të rriten në gjirin e nënës plotë 30 ditë dhe zhurma, si dhe ndriçimi i madh nuk guxojnë t‘i pengojnë në zhvillimin e tyre. Prerja tradicionale e derrave në oborret e shtëpive do të jetë një gjë e shkuar, sepse ligjet evropiane parashikojnë që gjëja e gjallë nuk guxon të durojë dhimbje e vuajtje. Para se të prehet duhet të pushojë, nuk duhet shqetësuar, ndërsa prerja duhet të bëhet nga kasapi, i cili ka kryer trajnim të posaçëm.

Derrat serbë vazhdojnë të jenë të mpirë nga ekzaltimi i momentit, por agjencia serbe "Strategic Marketing" duhet ta bëjë edhe një sondazh nëpër fermat serbe, për të parë se sa skeptikë ose optimistë janë ato, duke pasur parasysh të kaluarën e pronarëve të tyre. Nuk dihet sa mund të binden kur edhe ata janë dëshmitarë se pronarët e tyre kanë vrarë fqinjët boshnjakë dhe shqiptarë edhe në gjirin e nënës; i kanë arrestuar dhe lënë pa ndriçim; kur kanë kërkuar ujë u kanë dhënë ujëra të zeza; masa e zhurmës është e njohur për këta pronarë, sepse e kanë përdorur si keqtrajtim. Dhe për më tepër që kasapët serbë ishin ushtruar nga kasapi i Ballkanit, Sllobodan Millosheviç, në mënyrë që viktimat boshnjake dhe shqiptare të ndjenin dhimbje e vuajtje, përndryshe nuk do të quhej rruga e integrimit evropian të Serbisë.

Favoret evropiane kanë ekzaltuar edhe lopët serbe. Në të ardhmen, të paktën sipas ligjeve evropiane, lopët serbe nuk do të milen me dorë, por këtë do ta bëjë aparati për mjelje. Pra, ato duar të përgjakura me gjak boshnjaku dhe shqiptari nuk do të mjelin më lopë.

Në fund fare, boshnjakët dhe shqiptarët, duke i njohur mirë fqinjët e tyre serbë, u mbetet vetëm të shpresojnë që, me edukimin e derrave dhe lopëve serbe, do të kemi më pas edhe pronarë të edukuar, që nuk do të keqtrajtojnë dhe vrasin njerëz.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›