Superiorja, java 30 edhe në "BWin"
Një ndër kompanitë më të mëdha të basteve në botë, "BWin", ka kuotuar dje ndeshjet e javës së 30-të të Kategorisë Superiore. Duke parë kuotat e vendosura për ndeshjet, shihet qartë që drejtuesit e kësaj kompanie nuk janë shqetësuar për akuzat e ndërsjella për tolerime mes ekipeve shqiptare. Derbi kryeqytetas mes Tiranës dhe Dinamos kishte një koeficient të barabartë 2.55 për fitoren e skuadrave, ndërsa barazimi kishte koeficientin 2.9. Ndërkohë bie në sy një koeficient shumë i lartë për fitoren e Partizanit ndaj Besës, 3.2, kundrejt 2.1 që ishte fitorja e kavajasve dhe 2.9 i barazimit. Për sa u përket ndeshjeve të tjera, koeficientet e skuadrave vendase kanë qenë më të "studiuara", pasi fitorja e Vllaznisë ndaj Skënderbeut kishte koeficientin 1.1, ajo e Elbasanit 1.4, ndërsa ato të Shkumbinit dhe Flamurtarit kishin kuotën e njëjtë 1.65. Sipas përllogaritjeve të thjeshta, kushdo që ka vënë bast në këtë kompani, duke parashikuar rezultatet e sakta të të gjitha ndeshjeve të kësaj jave, ka shumëfishuar 34 herë shumën që ka vënë në baste.