E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani, "2" i salduar në Kavajë

Partizani fiton 1-0 pa vështirësi në Kavajë. Lufta e fortë për këtë sfidë ka mbetur vetëm në kuadrin mediatik, pasi në fushën e lojës të kuqtë nuk kanë djersitur për të marrë 3 pikët e radhës që i lejojnë të mbajnë hapin e Dinamos kryesuese. Edhe pse kanë akuzuar blutë për rezultat të lexueshëm në derbin me Tiranën, Partizani ka "punuar" që Besa (kandidate për një vend në Kupën Intertoto), të mos u hapë shumë probleme. Në fakt, tekniku dinamovit, Ilir Daja, si kundërpërgjigje për akuzat e presidentit Xhani kishte paralajmëruar se ndeshja ndërmjet vendit të dytë dhe vendit të tretë do të mbyllej "2". Dhe ashtu ka ndodhur, skuadrës së Hasan Likës i ka mjaftuar një gol i Rrahman Hallaçit që të fitojë dhe të shpresojë deri në fund te titulli kampion. Nga ana tjetër, edhe pse ka zbritur në fushën e lojës me formacionin më të mirë, kavajasit nuk janë munduar aq shumë që të luajnë për rezultat. Besa, e cila ka qenë një nga kundërshtaret më problematike të Partizanit në këtë sezon (ka fituar 2-1 përballjen e parë dhe barazuar 3-3 në kryeqytet), duket se ka toleruar në një moment shumë deciziv të sezonit.

Takimi starton me një harkim të Andi Lilës nga e djathta, që po shkonte rrezikshëm në këmbët e Belishës, por dalja e Orges Shehi ka larguar rrezikun. Miqtë tentojnë me të gjitha mënyrat që të shënojnë golin e avantazhit, megjithatë ata nuk kanë mundur ta dërgojnë sferën pas shpinës së portierit Dura. Loja apatike nga të dyja kampet dhuron pak emocione dhe e tillë është edhe goditja e dënimit e Mancakut, që kontrollohet pa vështirësi nga "gardiani" i Partizanit. Goli i të kuqve vjen pas 27 minutave lojë dhe mban firmën e Hallaçit, një lojtar jo shumë i spikatur në finalizime. Mesfushori i krahut ka parë Duran jashtë pozicionit dhe nga pozicioni i prirët dërgon një parabol në formë krosi, duke përshëndetur rrjetën. Reagimi i vendasve vjen me një goditje potente me të majtën nga distanca të Belishës, e cila përfundon pak centimetra mbi traversë. Në fund të pjesës së parë provon edhe Xhihani, që me kokë devijon jashtë kuadratit të portës së Shehit. Në fraksionin e dytë të lojës protagonist bëhet edhe gjyqtari Aranit Lulaj, i cili nuk akordon 11-metërsh në favor të Besës, kur topi preket me dorë nga një mbrojtës i Partizanit pas inkursionit të Bledar Mancakut. Nga krahu tjetër, Bakaj mbetet një rrezik konstant për portën e Duras, por edhe pse është shfaqur i vetëm përpara portës, mesfushori i kombëtares nuk arrin të shënojë. Verdhezinjtë mundohen të bëjnë diçka ndryshe nga 45 minutat e para dhe tekniku Haxhia vendos që të hedhë në fushën e lojës edhe Abdulla e Fortunat, por rreziku sërish vjen nga këmbët e Belishës. Shkodrani lëshon një tjetër "predhë" nga distanca, por gjen në rrugën e tij pritjen spektakolare të Shehit. Në minutat e fundit të kuqtë mund të dyfishonin shifrat, por gjuajtja e befasishme e Abilaliajt frenohet nga shtylla. Me 3 pikët e djeshme, Partizani ruan distancën me 2 pikë nga Dinamo dhe shpreson që gara për titull të zgjidhet në javën e fundit, kur është edhe përballja direkte.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›