E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasani rihap garën për Intertoton, tani -3 nga Besa

Elbasani kalon formalitetin "Besëlidhja" dhe rikthehet në garën për "biletën" e fundit në Kupat e Evropës. Të besuarit e Krenar Alimehmetit fitojnë 3-0 në "Ruzhdi Bizhuta" dhe tashmë ndodhen vetëm 3 pikë larg Besës së vendit të tretë. Momentet e vështira, pas humbjes 3-0 në gjysmëfinalen e parë të Kupës me Tiranën (më 9 prill), që krijuan iluzionin e ndryshimit në krye të stolit duket se janë hedhur plotësisht pas shpine dhe javë pas jave skuadra konfirmon se funksionon. Që prej javës së 27-të, Elbasani ka marrë pikë të rëndësishme në barazimet 0-0, fillimisht në Shkodër me Vllazninë dhe më pas me Partizanin. Ata nuk janë treguar kaq konkurrentë vetëm në javën e 29-të, kur janë mposhtur 3-1 nga Dinamo, edhe pse duhet theksuar se skuadra ishte e lodhur pasi në mesjavë kishte luajtur gjysmëfinalen e dytë të Kupës, duke fituar 3-1 me Tiranën. Me mbështetjen e shumë pak tifozëve, elbasanasit e kanë gjetur shumë shpejt rrugën e golit: kur kronometri regjistronte 10 minuta lojë, kapiteni Skerdi Bejzade përshëndet rrjetën. Sulmuesi shfrytëzon një pasim të saktë të Sakajt dhe mposht Koçin. Për minuta me radhë vendasit administrojnë rezultatin, ndërsa lojtarët e Besëlidhjes duken të pafuqishëm për të reaguar, edhe pse rënia nga kategoria është një kërcënim serioz. Në pjesën e dytë loja e skuadrës së Alimehmetit është më ofensive dhe Xhafa shkon shumë pranë dyfishimit të rezultatit, por festa e tij prishet nga traversa. Sulmuesi vlonjat nuk gabon në të 65-të, kur pas një kontrolli perfekt të topit të marrë nga Dalipi gjuan fluturimthi dhe shënon. Shifrat finale të ndeshjes vulosen nga maqedonasi Karçev, i cili devijon saktësisht me kokë harkimin e Ahmatajt.

Edhe pse përballë një rivali modest, triumfi merr më shumë rëndësi pas hapit fals të Besës dhe Tiranës. Elbasani ngjitet në vendin e katërt me 47 pikë të grumbulluara në 30 javë kampionati, vetëm 3 pikë larg kavajasve. Në duelin për vendin e tretë, që i jep të drejtën për pjesëmarrjen në Kupën Intertoto, verdheblutë duket se favorizohen nga kalendari. Në tre ndeshjet finale ata luajnë dy herë në shtëpi (me Teutën dhe Kastriotin) dhe në javën e fundit udhëtojnë drejt Vlorës. Ndërkohë, javën e ardhshme Besa ka një përballje shumë të vështirë me Dinamon, ndërsa më tej pret Besëlidhjen dhe udhëton në Durrës. Edhe Tirana ka përballje me tri skuadrat e fundit (Besëlidhja e Kastrioti jashtë fushe dhe Teutën në kryeqytet), por nëse më 7 maj fitojnë Kupën, bardheblutë nuk do të jenë shumë të impenjuar në kampionat. Kjo sepse trofeu i dytë në vend për nga rëndësia i siguron bardhebluve (ose Vllaznisë) pjesëmarrjen në Kupën UEFA.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›