Debatik Curri shënon gol trepikësh për Vorskla

Si duket kjo fundjave ka qenë me fat për futbollistët shqiptarë pasi përvec Skelës. Vatës e Bylykbashit edhe Debatik Curri ka shënuar një gol që i ka vlejtur tre pikë skuadrës së tij. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare ka shënuar golin e fitores në ndeshjen që skuadra e tij Vorskla Poltava e ka fituar me rezultatin minimal 2-1 përballë Metalurg Zaporizhya. Deri në minutat shtesë rezultati ka qenë I barabartë 1-1 pas golave të shënuar nga Sergey për vendasit dhe Kabanov për Metalurg, ndërsa në minutat shtesë Debatik Curri ka shënuar golin e fitores, një fitore që do t'i vlejë mjaft skuadrës së tij në luftën për të siguruar edhe për një sezon tjetër qëndrimin në kategorinë e parë të futbollit ukrainas. Për të qenë edhe më e bukur mbrëmja e treshes shqiptare që aktivizohet te Vorskla, edhe asisti për golin e fitores ka ardhur nga shqiptari tjetër, Armend Dallku. Pas golit të shënuar Curri është ndëshkuar edhe me karton të verdhë për shkak të heqjes së fanellës. Debatik Curri e Armend Dallku janë aktivizuar si zakonisht gjatë gjithë ndeshjes, ndërsa Ahmet Jonuzi është future në fushë si titular për t'u zëvendësuar në minutën e 62-të të takimit.