E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debatikasi i filmit, Hysen Hakani: Filmat e mi si pullat e postës

 Jo gjithnjë treni i jetës ecën në binarët që ke menduar. Kështu ka ndodhur dhe me regjisorinHysen Hakani. Megjithatë dekorata ka marrë boll. Nuk bëhet fjalë për medalionë që varen xhaketave, por për mirënjohje njerëzish të njohur e të panjohur, që e takojnë në rrugë e i shtrëngojnë duart. Vitet kanë ikur shpejt. Hysen Hakani është sot 75 vjeç. Mbahet mirë. Mbi krye, një "kapele Republike", në qafë një shall të punuar me ngjyra të ndezura që i nxjerrin më në pah blunë e syve. Ka vendosur ta festojë këtë përvjetor. Nuk i dihet. Duke qeshur vë në lojë pleqërinë e vet. "Thjesht fakti që kam shkuar 75 vjeç është arritje e madhe, por a kam lënë pas diçka gjatë këtyre 75 vjetëve, a kam lënë ndonjë gjurmë, ky është shqetësimi im më i madh", - na thotë regjisori i filmit të parë shqiptar. Është krijuesi ("Mjeshtër i Madh i Punës") i filmave "Debatik", "Toka jonë", "Njësiti guerril", "Oshëtimë në bregdet", "Cirku në fshat", "Mysafiri", etj. Por ka ca momente në këtë jetë artistike që ai nënvizon më fort. Teksa gjerb kafenë e tretë ekspres, i kujtohet kur si djalë çapkën bënte vjersha e ngacmonte shokët e profesorët, merrte pjesë në aktivitetet artistike, përshkonte Tiranën me pëllëmbë, shiste edhe gështenja. Pastaj studimet në Çekosllovaki, lidhja me kinematografinë… Dhe ndalet tek filmi i parë, "Fëmijët e saj", i vitit 1957. Pavarësisht se ishte me metrazh të shkurtër, është filmi i parë artistik shqiptar. "Të them të drejtën nuk ëndërroja që të konsiderohesha i pari. Tjetër gjë më preokuponte. Të jepja diplomën me sukses dhe të hidhja një hap të mbarë në kinematografinë shqiptare. Pa në ishte i pari, i dyti, apo i treti, kjo nuk më shqetësonte. As kolegun Kristaq Dhamo. Donim të bënim një film me pasion dhe dashuri, në një kohë kur vështirësitë ishin shumë të mëdha. Ndihem krenar se kemi hedhur hapat e parë dhe mbollëm një fidan të shëndoshë", - thotë Hakani. Nuk e ka të vështirë të kujtojë kushtet në të cilat u realizuan filmat e parë. Në vend të atelierëve shërbyen shtëpitë e durrsakëve e tiranasve, që jetonin me këtë ngjarje kaq të madhe, siç ishte filmi. Kaloi nëpër duar aktorë të rinj e me përvojë, që në film asokohe ishin debutantë. Zbuloi Pavlina Manin, Roland Trebickën e Dhimitër Pecanin. Në filmat e tij debutuan mjeshtrit e skenës, Naim Frashëri, Sandër Prosi eLoro Kovaçi. Si një ish-liceist i njihte më të mirët e asaj kohe, si Sokrat Mio, që ka hedhur bazat e Teatrit Popullor, Pandi Stillu, komiku brilant Nikolla Panajoti, aktori i madh Mihal Popi, Mihal Stefa, e shumë të tjerë. Vetëm 4 vjet nga filmi i parë shqiptar, realizoi një nga filmat më të mirë shqiptarë, "Debatik". Dhe duket se edhe ai e ka shumë për zemër. I qeshin sytë kur flet për të. Në vitin '85 shfaqen në Lozano të Italisë filmat shqiptarë dhe "Debatiku", edhe pse u shfaq jashtë konkurrimit u çmua si filmi më i bukur i kinematografisë shqiptare. Por një tjetër arsye pse Hakani e do shumë "Debatikun", është sepse ktheu në film veprimtarinë e një organizate pionierësh, që kontribuan gjatë Luftës Nacionalçlirimtare. Filma për Luftën, Hakani ka disa. Kjo nuk lidhet thjesht me kohën kur ata u xhiruan, as me orientimet nga "lart". Hysen Hakani beson vërtetë tek LANÇ-i dhe flet me zjarr, kur biseda rrotullohet rreth kësaj çështjeje. Nëse do të mund të bënte të tjerë filma, do t'i bënte sërish me të njëjtën frymë patriotike.
Koha që është bërë e shkuar dhe krijimtaria e atyre viteve, i kanë lënë dhe pengje. Sa metra film të prerë, sa personazhe të djegura dhe histori të ndryshuara. Tek "Cirku në fshat" i prenë një akt, ndërsa tek "Ndërgjegjja", u detyrua të bënte shumë ndryshime sipas "kërkesave të kohës". I përkufizon si situata të ndërlikuara kur netët pa gjumë ishin të zakonshme. Një fjalë dhe gjithë mundi shkonte kot. Por Hakani nuk do të flasë shumë për demagogjitë e propagandat. Ka kaq shumë raste nga puna e tij… Tregon se si në filmin "Njësiti guerril" mori një artiste jo profesioniste. Siç e kërkonin burokracirat, përpara se të merrje një aktor, më parë duhet të pyesje për biografinë. I kishte marrë të gjitha masat. Por një nga drejtuesit e Kinostudios, nuk e pëlqeu vajzën dhe vuri kusht që ose ajo të hiqej, ose filmi nuk do të shfaqej. Pas 24 orësh ai personazh nuk ekzistonte më. Filmi i shfaq në Kinema "17 Nëntori". "Fatkeqësisht nuk arrita ta lajmëroj vajzën për ndryshimet e bëra. Erdhi në kinema për të ndjekur filmin dhe priste nga njëra skenë në tjetrën të dilte edhe imazhi i saj. Në fund u dëgjua një klithmë. Vajzës i kishte rënë të fikët. Skena të tilla flasin më shumë se cënimet politike, pasi cënojnë ndjenjat njerëzore".
Hakani është nga ata njerëz që nuk shikon bardhë e zi. Një regjisor si ai, përveç ankthit të vazhdueshëm që e shoqëronte, kishte momente shumë të bukura. "Atëherë kishte censurë, ndërsa kjo kohë solli një censurë jo më të vogël se e para. Nuk bëhet fjalë për censurë politike, por financiare. Për të bërë një film duhet të financoje, gjë që unë nuk e arrija dot. Kam një skenar të titulluar "Hapni dritaret", që trajton situatën konkrete, që po kalon vendi ynë, por që për vite rri në sirtar".
I mësuar të thotë gjithçka që mendon, Hakani, edhe në kushtet e largimit nga kinemaja ka gjetur një rrugë tjetër për tu shprehur. Në pamundësi për të trajtuar në film çka e shqetëson, merret me poezi. Gjë që nuk është e re pasi qysh në kohërat e Liceut, në vitet '46-'47 shkruante vjersha satirike. Ka botuar tri libra "Shkon dëm sapuni tek arapi", "Janë prishur semaforët" dhe i treti "Skaner" ("Truri, i vunë fshesën, treni stop mbeti në tranzicion, shqipot nuk e humbin shpresën, kanë vu plëncin në timon"). Vetë titulli thotë gjithçka. I ndodhur jashtë zhvillimeve të fundit në kinematografinë shqiptare dhe duke e parë me sy kritik, Hakani ka ç'të thotë dhe por jo pa qëllim i dredhon çështjes. Ka një mënyrë të vetën të treguari. Nxjerr një ngjarje nga jeta e vetë, apo një anekdodë, duke lënë të kuptohet "morali" i një situatë më të gjërë. "Do t'i përgjigjesha me një "fluturim pindarik". Dy komikë të mëdhenj takojnë njëri-tjetrin. Njëri shumë i afirmuar, tjetri, shumë i talentuar, por i paafirmuar akoma. I vjetri me mospërfillje i thotë të riut: Mirëdita zoti askush! – Ou, mirëdita, ishte dikur!". Qesh, rregullon kapelen.
Nesër është ceremonia që do të zhvillohet në Teatrin Kombëtar nga Arkivi Qendror i Filmit dhe Qendra Kinematografike. Madje sapo është ndarë nga disa kolegët e tij, me të cilët diskutoi për këtë takim, ku do të shfaqet një montazh me filmat e tij dhe do të shpërndahet edhe libri i tij i fundit. Nuk e thotë, por do kishte dashur që ky takim të zhvillohej për një film të ri. "Kisha ëndrra më të mëdha, por ngjarjet e mëdha që ndodhën në vendin tonë, nuk u rrokullisën ashtu siç mendoja e dëshiroja dhe i kam mbetur borxhli moshës. Mund të isha shumë më tepër, por kam kënaqësinë që dal në rrugë dhe më përshëndesin. Kjo është dekorata më e madhe e jetës sime. Më urojnë për filmat që janë bërë 50 vjet më parë. Por që unë i shoh si pullat e postës të arkivuara, që sa më shumë kohë kalon, aq më shumë u rritet vlera".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›