Paradoks i madh i diktaturës
Rreth romanit "Tri motra në një qytet", të Petrit Palushit
Në rrethanat e tanishme të pakta janë ato romane që arrijnë ta tejkalojnë vetveten në kuptimin e tansformimit strukturor. Romani "Tri motra në një qytet" i Petrit Palushit, shfaqet me një trajtë zhanri të veçantë. Në radhë të parë, mëton të kapërthejë sa më shumë ngjarje brenda kornizave tematike duke i trajtuar e sistemuar ato me një përqëndrim të jashtëzakonshëm dhe, në radhë të dytë, shembëllen si një strukturë rrëfimore gati telegrafike sepse vazhdimisht atë e përshkon një frymë dëftuese me rrjedhë të shpejtë e të kondensuar, por e ngjeshur maksimalisht me hollësi të cilat e karakterizojnë romanin modern. Të pamësuar sa duhet me një tendencë të këtillë, ndoshta mund të na duket paksa e pazakonshme, por guximi i autorit për t'i sfiduar format e ngurta dhe tradicionaliste na shpie drejt një konstatimi se në letërsi çdo gjë është relative dhe mund të përsoset. Kjo na kujton thënien e M. Baktin i cili thoshte se romani ëshë një zhanër i pakryer. Me romanin "Tri motra në një qytet" autori përpiqet që vëmendjen e lexuesit ta mbajë të përqëndruar brenda fatalitetit të personazheve, përkatësisht të tri motrave Lisi, të cilat "vendosen" në një qytet verior të Shqipërisë, në kërkim të të vëllait i cili ka përfunduar në një spital psikiatrik. Dalngadalë fillon njohja e vërtetë e asaj jete, e cila çdo ditë manifestohet me ankth e tmerr deri në shthurjen përfunditmare të ngjarjeve. Thënë thjesht ato vijnë nga parajsa duke u futur në ferr, kanë një hijeshi të natyrshme por janë të predestinuara të kalojnë nëpër ndytësirë. Në atë mjedis ndodhin vetëm gjëra të kundërta me natyrën e vajzave, asgjë nuk përsoset, por vetëm rrënohet.
Autori arrin të zbulojë paradokset e dhimbshme të lirisë njerëzore, përmasat e absurdit jetësor. Kështu mund të thuhet se rrëfimi merr formën e një konteksti metaforik i cili koncepton dhe supozon, thjeshtëzon dhe ndërlikon, pra si një materie të përpunuar jashtëzakonisht mirë nga autori. E gjithë ngjarja është një modus negativ i ekzistencës, prototip i shndërruar në metaforë artistike e cila gjithnjë krijon forcë sugjeruese. Prandaj rrëfimi merr karakter të veçantë brenda romanit, i nënshtrohet një dinamike të theksuar në të gjitha shtresat e tij.
Autori rrëfen me një stil të ngjeshur lirik, mbase me një synim për t'i thënë gjërat me sa më pak fjalë dhe në mënyrë sa më psikologjike, por gjithnjë duke e lënë atë si një vijë të hapur për ta provokuar ndërdijen e lexuesit që edhe ai të jetë pjesë aktive e tekstit përballë të cilit mund ta krijojë autonominë personale gjatë interpretimit. Pikërisht në suaza të këtij rrëfimi mund të kuptojmë se ekzistenca e tillë është një kurth djallëzor, se liria është një ëndërr tepër naive, se zhgënjimi është një shpërblim jashtëzakonisht tragjik. Rrjedhimisht, këto vetëzbulohen dalëngadalë gjatë qëndrimit të tri motrave në atë qytet të mbyllur, për të mos thënë të burgosur, sepse na dalin përpara si pamje të zeza e përplot kanosje, duke na futur në thelbin e gjërave dhe fenomeneve të një shoqërie të rëndomtë.
Nëpërmjet qasjes intertekstuale, transformimit të situatave të shumta, sintezës së situatave reale e imagjiantive, si dhe duke bërë një kombinim perspektiv dhe retrospektiv të rrëfimit, autori seriozisht ia del të krijojë një tërësi interesante të ngjarjeve brenda romanit, pra duke na futur në kontekstin e plotë për ta kuptuar fatin e familjes Lisi.
E gjithë kjo realizohet me një gjuhë shumë fine, përplot nuanca e referenca tipizuese, metafora të përndryshuara të cilat e bëjnë tekstin jashtëzakonisht të pasur e të gjallë, të kapshëm dhe dinamik, duke i dhënë atij forcën e vërtetë të artit. Në qoftë se në romanin e parë "Përroi i andrrës" metafora ndiqte një lëvizje tjetër, pra nga përditshmëria drejt ëndrrës, në kuptimin e glorifikimit tragjik të ekzistencës, te "Tri motra në një qytet" ajo ndjek lëvizjen e kundërt, nga ëndrra në përditshmëri, në kuptimin e çmistifikimit tragjik të ekzistencës njerëzore. Në fakt ky është një mekanizëm transformues i gjuhës të cilin e përdor Petrit Palushi, për shkak se është i ndërgjegjshëm që pikërisht aty qëndron magjia e artit të tij për ta bërë romanin më joshës dhe më të ndjeshëm.
Në këtë mënyrë kjo histori nxjerr në shesh përplasje të ashpra, të cilat krijojnë vazhdimisht tendosje të papërfytyrueshme brenda romanit; jeta përplaset me vdekjen, e bukura me të shëmtuarën, ideali me zhgënjimin, e vërteta me absurdin, ndenja njerëzore me atë djallëzore, etj. Thjesht gjërat zhvendosen padiktueshëm dhe kthehen me krye teposhtë, kërcënohen gjer në ankth të vërtetë, rrënohen gjer në pamëshirë. Thjesht gjithkund kemi të bëjmë me një botë të ferrtë e cila funksionon në mënyrë të përkryer, para së cilës individi dhe liria personale nuk kanë asnjë kuptim e asnjë vlerë. Realisht kjo është një dalje nga ëndrra, një zgjim i vonuar i personazheve, të cilët e ndiejnë dhe e përjetojnë thellë në qenien e tyre. Ata arrijnë ta kuptojnë se emëruesi i përbashkët i ekzistencës në atë qytet janë çmenduria dhe vdekja të cilat bëhen si një lojë argëtuese. Prandaj ky realitet morbid atyre u prodhon vetëm vuajtje e pikëllim, ankth e tmerr, dëshpërim e thyerje. Dhe pastaj këto prodhojnë natyrshëm ndjenjën e ikjes, si një një kundërvënie ndaj ligjësive të ferrit.
Autori me mjeshtëri artistike zbret në thellësitë e kësaj jete duke arritur të zbulojë nga brenda paradoksin e madh totalitar, pasojat e të cilit mbase do të ndihen edhe një kohë të gjatë. Kjo dëshmon qartë se romani "Tri motra në një qytet" i Petrit Palushit vjen para lexuesit me një ndjeshmëri të thellë lirike për të mbetur si një pasqyrë e dhimbshme e njeriut përballë një mjedisi shoqëror të çoroditur nga zbatimi i ligjësive dhe veprimeve absurde.