E Hënë, 2 Nëntor 2026

Debatit brenda partive, shkelin detyrimet ligjore

21/03/2005  Listat e kandidatëve për deputet në partitë politike, ka bllokuar ngritjen e KZZ-ve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në pritje të 800 emrave të subjekteve politike për KZZ-të

Krijimi i Komisioneve të Zonave Zgjedhore, ka ngelur peng i debateve të forcave politike, për hartimin e listave të kandidatëve për deputetë. Konfigurimi i infrastrukturës zgjedhore në të 100 zonat elektorale të vendit, për zgjedhjet e përgjithshme të këtij viti, është bllokuar pasi, forcat politike që kanë të drejtën për të propozuar anëtarë në KZZ-ë, nuk kanë depozituar pranë komisionit qendror të zgjedhjeve këto lista. Dy ditë më parë, institucioni i KQZ-së ka ripërsëritur shqetësimin që po sjell vonesa për krijimin e këtyre komisioneve. Sipas kodit zgjedhor, krijimi i KZZ-ve duhet të kishte përfunduar që në datën 3 mars. Aktualisht pranë KZQ-së kanë depozituar jo në mënyrë të plotë dhe me mungesa në dokumentacion, Partia Socialiste dhe Partia Demokrate e Re.

PS

Zëdhënësi politik i Partisë Socialiste, Gjergji Koja, i kontaktuar nga "Metropol" tha se "të gjitha partitë politike shqiptare që aspirojnë apo kërkojnë të marrin pjesë në zgjedhjet, janë absolutisht të detyruara të zbatojnë të gjitha kriteret e kodit elektoral". Ndërkohë që PS-ja ka shkelur afatet që i përcakton ligji, duke krijuar në këtë mënyrë vonesa në depozitimin e propozimeve, gjë që bllokon në mënyrë të drejtpërdrejtë ngritjen e Komisioneve të Zonave Zgjedhore. Nga kjo venesë pengohet dhe procesi i trajnimit të anëtarëve të këtyre komisioneve, duke ndikuar negativisht në administrimin e procesit të ardhshëm zgjedhor.

PD

Ndërkohë që përfaqësues të Partisë Demokratike kanë ngarkuar me faj KQZ-ne, e cila sipas tyre duhet të kishte njoftuar subjektet politike të cilat kanë të drejtën e përfaqësimit në KZZ-ë, për të përgatitur listën e anëtarëve dhe për ta sjellë kështu në institucionin e lartë zgjedhor. Gjithësesi, vonesa që krijoji ndarja e re e zonave elektorale në vend, ka ndikuar dhe në përcaktimin e kandidatëve për deputetë të subjekteve politike. Rrjedhimisht, mospërcaktimi i kandidatëve për deputet për partitë politike, pengon përgatitjen e listave për anëtarët e KZZ-ve. Mësohet se, do të jenë kandidatët për deputetë ata të cilët do të japin dhe propozimet e tyre për anëtarët e KZZ-ve, pasi duhet të jenë personat më të besuar të kandidatit.

KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i ka kërkuar të gjitha partive politike të tregojnë përgjegjshmëri në zbatim të Kodit Zgjedhor, dhe të mundësojnë depozitimin përfundimtar të propozimeve për anëtarë të KZZ-ve. Kanë kaluar më tepër se dy javë pas përfundimit të afatit ligjor për ngritjen e KZZ-ve, asnjë parti politike që ka të drejtën e propozimit, nuk ka depozituar në mënyrë të plotë dhe përfundimtare listën e personave që do të emërohen nga KQZ si anëtarë të KZZ-ve. Tashmë dhe ky institucion është në pritje të sjelljes së propozimeve, duke mos patur mundësi të kryejnë asnjë veprim për krijimin e KZZ-ve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›