E Diel, 1 Nëntor 2026

Shullazi:”S'di pse më pyesni për atentatet ndaj Lames”

21/03/2005  29-vjeçari është habitur për dyshimet ndaj tij, duke pohuar se

s’kishte konflikt me askënd

Policia ka marrë në pyetje të tre të ndaluarit pasditen e të premtes në Durrës. Ata kanë pohuar se thjesht po kryenin një pazar për autoveturën që drejtohej nga Land Baçi. Ndërsa për marrjen në pyetje të Emiljano Shullazit, i cili fillimisht është prezantuar si Ervin Banaca, kanë mbërritur në Durrës edhe hetues të policisë së Tiranës. Ai është pyetur për dyshimet e ngritura ndaj tij për një implikim të mundshëm në atentatin ndaj Lamajt më 16 tetor të vitit të kaluar te TVA, ku ky i fundit mbeti i plagosur. Por, duket nga hetimet e deritanishme se, Shullazi nuk ka pasur asnjë dijeni mbi këto ngjarje për të cilat po merret ne pyetje nga ekspertët.

Dëshmia

Burime të policisë së qytetit bregdetar, thanë dje për gazetën “Metropol” se, e vetmja akuzë që paraprakisht rëndon mbi Emiljano Shullazin është ajo e armëmbajtjes pa leje. Por edhe kjo rrethanë është ende e paqartësuar, pasi policia nuk i ka gjetur pistoletë në dorë në momentin e arrestimit, thonë burimet. Nga po këto burime mësohet se, në ambjentet e policisë së Durrësit ku Shullazi mbahet i izoluar, kanë mbërritur edhe zyrtarë të policisë kryeqytetase. Nga burime pranë kësaj të fundit, mësohet se ai është pyetur lidhur me atentatin ndaj Lamajt te TVA, tetorin e vitit të kaluar. Sipas policisë, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, kanë lindur dyshimet se Shullazi mund të ishte i implikuar në këtë atentat. Por, nuk ka ekzistuar asnjë provë konkrete për ta vërtetuar një gjë të tillë. Burime të policisë kryeqytetase, thonë se ai është pyetur për këtë rrethanë, por përgjigja e vetme që mësohet të ketë dhënë Shullazi, ka qenë një ngritje supesh. Ai është përgjigjur se nuk ka dijeni rreth këtyre ngjarjeve e aq më pak të jetë i implikuar, sqarojnë burimet. Ato shtojnë se 29-vjeçari Shullazi ka pohuar se nuk kishte asnjë rrethanë njohje me Vajdin Lamen. Gjithashtu mësohet që ai të ketë pohuar se nuk e kuptonte pse këto pyetje drejtoheshin daj tij, pasi Lamen as nuk e njihte personalisht dhe as nuk kishte pasur ndonjëherë konflikt. Madje, mësohet që ai të ketë sqaruar para hetuesve se nuk ka pasur ndonjëherë në jetë të tij konflikte dhe jo më pastaj të këtij kalibri sa të ishte i implikuar në atentate. Burimet thonë se Shullazi ka pohuar se këto pyetje i ishin drejtuar njeriut të gabuar, pasi po habitej me këto dyshime të ngritura ndaj tij.

Arrestimi

Sipas policisë vendore, Shullazi është larguar nga autovetura tip Benz me targa AT 347 XV, me pistoletë në dorë. Por në momentin e prangosjes, ai ka qenë duke dalë i qetë nga një pallat pa pasur asnjë armë në dorë. Madje, mësohet se kur uniformat blu e kanë pikasur se ishte ai nga disa shenja në fytyrë, Shullazi u është përgjigjur se përse e ndalonin. Ai ka pohuar para agjentëve se ishte banor i pallatit dhe se po shkonte të blinte diçka. Por inskeptorët e krimeve nuk janë gënjyer, duke qenë të sigurtë se ai ishte njëri prej personave që doli nga Benzi. Dhe nga verifikimet e identitetit të tij, rezultoi se banonte në Tiranë dhe se kishte gënjyer kur ishte prezantuar si banor i pallatit nga i cili doli. Sipas burimeve të policisë, ai kishte rendur duke hyrë në pallat dhe në momentin që gjithë vendi ka qenë i rrethuar nga agjentët, ka dalë i qetë me duar në xhepa. Por njëri prej inspektorëve të policisë e ka njohur dhe i ka vënë prangat 29-vjeçarit Tiranas.

Shullazi u arrestua rastësisht të premten nga policia e Durrësit. Në një psotbllok pranë Bankës Kombëtare Tregëtare, një autoveturë tip Benz me targë AT 347 XV, nuk i ka ndaluar sinjalit të dhënë nga policia. Drejtuesi i mjetit ka tentuar të devijojë rrugën, por në ndjekje janë vënë edhe forca të tjera policore që janë ndodhur afër. Në atë moment policia ka qëlluar dy herë në ajër dhe Benzi ka ndaluar. Nga Benzi kanë dalë me vrap tre persona të cilët janë larguar në drejtime të ndryshme. Njëri prej tyre, Emiljano Shullazi, është kapur, ndërsa dy të tjerët ende nuk kanë rënë në pranga, thonë burime të policisë lokale. Ndërkohë, është ndaluar drejtuesi i mjetit, Landi Baci 32 vjeç, biznesmen në fushën e ndërtimit dhe baxhanaku i tij italian, Claudio Corovino 48 vjeç, ish kapiten i tragetit “La Vikinga” në Durrës. Sipas policisë, dyshohet që dy personat të cilët nuk u arritën të kapen dyshohet të kenë qenë Dritan Dajti, i arratisur nga gjykata nëntorin e vitit 2003, dhe një nga pinjollët e fisit Borova.

Ende e pazbuluar nga hetuesit shënjestra e mundëshme e kryeqytetasve

Fishekët në gojë të armëve, dyshime për një masakër

Dy ditë më parë, në makinën me targa belge AT 347 XV, janë bllokuar katër pistoleta si dhe një radio dore tip ICOM, në të cilin ishin të regjistruara edhe kanale me të cilat punon policia e shtetit. Pistoletat e gjetura si dhe shmangia nga kontrolli i postbllokut të policisë, ka detyruar blutë e Durrësit të arrestojnë shtetasin Landi Baçi nga Durrësi, Clovino Claudio shtetas italian nga Leçe, dhe një të ri nga Tirana, ndërkohë që dy persona të tjerë kanë mundur të dalin nga makina pa rënë në dorë të policisë. I riu nga Tirana ka dhënë fillimisht emër të rremë dhe pasi policia e Durrësit ka kontaktuar me policinë e Tiranës, ka rezlutuar se 28-vjeçari i arrestuar quhet Emiliano Shullazi. Ky i fundit madje kishte dhënë të rremë edhe dy emrat e personave që kanë qenë në makinë, së bashku me tre të ndaluarit duke hedhur dyshime për mundësinë e një rrjeti kriminal. Sipas drejtorit të Drejtorisë së Policisë së qarkut Durrës, ende nuk është përcaktuar shkalla e implikimit të Landi Bacit pasi pistoleta që i është kapur durrsakut ka qenë me lejë, ndërkohë që ai ka deklaruar para grupit hetimor se nuk kishte asnjë lidhje me Shullazin dhe dy personat e tjerë. Nga ana tjetër, Bardhoci nisur nga të dhënat paraprake të marra, ka thënë se “Ka shumë të ngjarë që në këtë rast të kemi të bëjmë me një rrjet kriminal”. Gjetja në dy pistoleta e fishekëve në gojë, i ka dhënë shkas grupit hetimor të hedhë hipotezën e mundësisë së tentativës për kryerjen e ndonjë krimi. Por, ai nuk ka dhënë hollësi për ç’lloj rrejti bëhet fjalë dhe as për objektin e vënë në shënjestër të krimit. Policia, gjithashtu nuk ka mundur të zbardhë emrat e dy personave të tjerë të cilët i kanë shpëtuar ndjekjes nga policia, ndërkohë që dëshmitë e Shullazit janë klasifikuar të dyshimta. Menjëherë pas kësaj ngjarje, Drejtorinë e Policisë së Durrësit e kanë vizituar ekspertë të lartë të Minsitrisë së Rendit. Burime jozyrtare pohojnë se Shullazi dhe dy personat e larguar, që thuhet se kanë lidhje dhe njohje me tiranasin e arrestuar, janë të skeduar për veprime të jashtëligjshme.

Italiani do të hetohet në gjendje të lirë.

Shtetasi italian Corvino Claudio, i ndaluar së bashku

me dy shtetas të tjerë dy ditë më parë, pasi në automjetin me të cilin ata udhëtonin janë gjetur katër pistoleta, do të hetohet në gjendje të lirë. Kjo është bërë e ditur nga drejori i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës,kryekomisar Muharrem Bardhoci. Sipas

drejtorit, grupi hetimor i policisë ka arritur në konkluzionin se 48-vjeçari italian Claudio, nuk kishte dijeni për armët e strehuara në makinë. Shtetasi i huaj që në momentin e ndalimit është dërguar në njërën nga dhomat e izolimit të komisariatit të policisë së portit Durrës, pasi kushtet në dhomat e paraburgimit në këtë komisariat janë shumë më të mira pas rikonstruksionit. Drejtoria e Policisë së qarkut Durrës, ka pohuar se 48-vjeçari ka qëndruar i izoluar vetëm 12 orë dhe pasi nga pyetjet që i janë bërë nga grupi hetimor si dhe nga marrja e shenjave të gishtërinjve nuk ka rezultuar se italiani ishte i përzier dhe as nuk kishte dijeni për armët. Sipas Bradhocit, italini ka dhënë garanci të mjaftueshme ligjore për të fituar të drejtën e gjykimit në gjendje të lirë.

Dy të tjerët u larguan me “duar në xhepa”

Nga burime të policisë së Durrësit, mësohet se personi që është dyshuar si Dritan Dajti, ka pasur sërish fat në arratisjen e tij të dytë. Burimet thonë se ai ka përdorur strategji duke të lënë përshtypjen se do të vetëdorëzohej. Ka dalë nga Benzi me duart lart për t’i treguar policisë se nuk kishte asnjë lloj arme me vete dhe menjëherë u ka kthyer shpinën duke u larguar. Ndërsa policia mësohet të jetë vënë në ndjekje të personit që rezultoi të ishte Emiljano Shullazi, i cili mbante një armë në dorë, dy të tjerët kanë arritur të largohen mjaft të qetë në drejtime ende të paditura. Burimet e policisë thonë se Emiljano kishte një pistoletë në dorë dhe gjithë vëmendja e agjentëve u drejtua nga ai. Ndërsa dy personat e tjerë që dyshohet të kenë qenë Dritan Dajti dhe një nga djemtë e fisit Borova në Tiranë, janë larguar të qetë me “duar në Xhepa”. Policia e Durrësit qarkoi gjithë zonën, por deri dje nuk është bërë e mudnur të identifikohet vendndodhja e ndonjërit prej dy të arratisurve të tjerë, thonë burimet. Dritan Dajti u arratis në mënyrë spektakolare nga gjykata e Tiranës, më 17 nëntor të vitit 2003. Para pak se të fillonte senca gjyqësore ndaj tij, ai u kërkoi policëve të shkonte në tualet, nga ku doli me një psitoletë në duar të cilat ishin ende të prangosura. Ai qëlloi disa herë në ajër dhe doli jashtë ku u rrëzua në oborrin e gjykatës, por policët e shërbimit nuk arritën ta paralizonin. Ndërsa jashtë derës e priste një person me motorr ku Dajti hipi dhe shkoi në drejtim të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë.

Emiljano Shullazi nuk kishte qenë person në kërkim

Nga burime zyrtare të Policisë së Tiranës, mësohet se 29-vjeçari Emiljano Shullazi, nuk ka qenë person në kërkim më parë. Burimet sqarojnë se nuk ka pasur asnjë preçedent penal ku ai të akuzohej në bazë të provave. Dhe dyshimet e ngritura ndaj tij për implikimin e mundshëm në atentatin e 16 tetorit te TVA, ku Vajdin Lame dhe Xhevahir Ngjeqari mbetën të plagosur, janë bazuar në informacione të marra në rrugë operative, sqarojnë burimet. Por se, nuk ka asnjë provë konkrete që të vërtetojë dyshimet, theskojnë burimet e policisë. Këto dyshime mësohet t’i ketë hedhur poshtë edhe vetë Shullazi, i cili ka pohuar para hetuesve se nuk e dinte pse e pyesnin për atentatin ndaj Lames. Madje, ai u ka dhënë një përshtypje habie hetuesve duke thënë se nuk kishte konflikt me asnjë person. Burimet thonë se 29-vjeçari ka pohuar se nuk kishte asnjë njohje personale me Vajdin Lamajn dhe jo të kishte ndonjë konflikt me të. E vetmja akuzë paraprake e ngritur ndaj Shullazit nga policia tani është ajo e armëmbajtjes pa leje, akuzë e cila nuk dihet nëse do të qëndrojë apo jo, para togave të zeza të qytetit të Durrësit. Sot pritet që ndaj tij dhe të ndaluarve të tjerë të vendoset masa e sigurisë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Durrësit.

Atentati i 16 tetorit 2004 te TVA me prova

Pas atenatit te TVA më 16 tetor të vitit të kaluar, ku mbetën të plagosur Vajdin Lame dhe Xhevahir Ngjeqari, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale, autoveturën tip “Opel Vectra” që ishte përdorur nga atentatorët. Ajo u gjet pranë Shkollës së Kuqe duke u djegur. Ndonëse kabina e saj ishte shkrumbuar, në bagazh policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale, dy karikatorë Kallashnikovi të cilët ishin të bashkuar me nastro. Pikërisht në nastro, u gjetën dhe skeduan disa gjurmë gishtërinjsh. Por, nga verifkimet paraprake, rezultoi se ato nuk i përkisnin asnjërit prej personave të skeduar nga policia. Gjithashtu, gjurmët e gjetura në vendngjarje nuk korrespoduan as me të personave të shoqëruar si të dyshuar për implikim në këtë ngjarje. Ndërsa në atentatin e 28 shkurtit 2004, ku Lame dhe miku i tij Atran Arsi mbetën të vdekur si pasojë e shpërthimit të një sasie eksplozivi të montuar në ashensor, nuk u gjet asnjë gjurmë e autorëve. Prokuroria e Krimeve të Rënda po heton në të gjitha pistat e mundshme dhe po verifikon numrat celularë të cilët kanë qenë të papërdorur dhe kanë marrë thirrje në momentin e shpërthimit. Madje, në këtë hetim janë bashkuar edhe ekspertë të PAMECA-s, të cilët do të hetojnë lidhur me trafikun e lëndëve plasëse në Ballkan.

Në Benz u gjetën 4 pistoleta dhe një radio dore në valët e policisë

Në Benzin e të ndaluarve, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale katër pistoleta dhe një radio dore ICOM, në të cilën ishin të regjistruara disa prej valëve të shërbimeve policore. Pistoletat ishin njëra e tipit “Bereta” e kalibritn 9 mm, me 14 fishekë, tjetra e markës GLOK prodhim austriak 9mm, me 17 fishekë, një tjetër “Zastava” 7.65 mm dhe një pistoletë e prodhimit belg 9mm. Sipas burimeve të policisë së Durrësit, dy prej pistoletave kishin qenë me fishekë në gojë. Ndërsa biznesmeni Landi Baci ka rezultuar të ketë pasur leje për psitoletën që mbante me vete, përfundojnë burimet e policisë.

Sekuestrimet

Pistoletë "Bereta" kalibër 9 milimetër me 14 fishekë

Pistoletë "CLOK" me 17 fishekë

Pistoletë "Zastava"

Pistoletë belge

Radio dore ICOM me frekuencat e Policisë së Shtetit

Arrestuar

Ervin Banaca (Emiliano Shullazi)

Corvino Claudio

Landi Baci

Dyshohet të kenë ikur

Dritan Dajti

I. Borova

16 tetor 2004

Persona ende të paidentifikuar, qëllojnë te TVA mbi Vajdin Lamajn dhe inxhinier Xhevahir Ngjeçarin, ku biznesmeni u plagos lehtë.

28 shkurt 2004

Ish-presidenti i federatës së boksit, teksa ngjitej për në banesë, në ashensor shpërthen tritoli dhe Lamaj humbet jetën. Vdes dhe miku i tij, Artan Arsi që ishte me të.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›