E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkëlqimi dhe rënia e “Pazarit të Shkodrës”

20/03/2005  Monumenti hisorik, i vetmi në Ballkan

SHKODËR - Pazari i vjetër i Shkodrës ose ndryshe “Pazari i Madh”, siç quhej nga banorët, ka qenë i ndërtuar në hyrje të qytetit në fund të kodrës, ku shtrihet madhështore kalaja “Rozafa”, në një shesh mjaft të gjerë që shtrihej deri në breg të lumit Buna, 1.5 km nga qëndra e qytetit. Ndërtimi i këtij pazari pranë lumit Buna erdhi si rezultat i zhvillimit të tregtisë në Shkodër dhe lumi pranë ndihmonte për tregtimin e shpejtë nëpërmjet lundrimit, drejt Malit të Zi dhe detit Adriatik.

Pazari, një monument historik

Historia tregon se ky Pazar është njohur si i vetmi në Ballkan për sa i përket veçorive të tij ndërtimore. Shkatërrimi i këtij pazari pas vitit 1944, ishte një humbje e madhe për qytetin e Shkodrës, ndërsa solli humbjen edhe të një monumenti historik të ndërtuar në fillim të shekullit XVIII. Me rrënimin e këtij pazari mori fund edhe “Bexhisteni”, që ishte i vetmi monument historik në llojin e tij në të gjithë Shqipërinë.

Elementët që e bënin më të veçantë “Pazarin e Madh”, në krahasim me pazaret e tjera të vendit, ishin, përbërja e tij me sokaqe, me “Bexhistenin” dhe me mungesën e shtëpive të banimit brenda tij. Mosndërtimi i shtëpive brenda pazarit, ndryshe nga të tjerët, erdhi si pasojë e zhvillimit të vrullshëm të tregtisë në këtë qytet, ku brenda një jave shkarkoheshin e ngarkoheshin mallra të ndryshme importi e eksporti, nga dhe drejt Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë, Manastirit e deri me vendet perëndimore si Italia e Franca.

Bexhisteni

Bexhisteni, i ndodhur në mes të Pazarit të Vjetër është ndërtuar në vitet 1807-1808 nga Ibrahim Pashë Bushatlliu dhe pasardhësi i tij Mustaf Pasha. Bexhisteni ka qenë i ndërtuar në formë galerie me 40 dyqane, ku ruheshin dhe tregtoheshin mallrat e çmueshme si arturinat, objektet antike etj.

Bexhisteni i Pazarit të Vjetër ka pasur 4 porta të forta të veshura me llamarinë hekuri. Muret dhe harqet e dy dyerve të mëdha kanë qenë të ndërtuara në formë pyrgu me një mjeshtëri për t’u marrë në konsideratë edhe në ditët e sotme.

Përveç portave të mëdha, Bexhisteni ka pasur edhe dy porta të vogla edhe këto të punuara me kujdes dhe mjeshtëri.

Në darkë për mbylljen e portave kujdeseshin rojet, që dalloheshin për njerëz të ndershëm e besnikë në ruajtjen e këtyre dyqaneve që tregtonin vetëm sende me vlerë të madhe.

Dyqanet

Dyqanet e pazarit, së bashku me sokaqet (rrugët) e tyre, kanë qenë të ndërtuara sipas profesioneve dhe llojeve të mallrave që tregtoheshin në atë kohë. Sistemi i ndërtimit të tyre sipas një stili të veçantë ishte shumë funksional. Ky sistem fillonte që me mbylljen me taraba dhe me qepena dhe vazhdonte me ndërtimin e dritareve të vogla në mes të dyqaneve dhe kjo shërbente jo vetëm për të ruajtur mallrat e njëri-tjetrit kur largoheshin për kafe, por edhe për të komunikuar njëri me tjetrin për çdo nevojë që kishin.

Sokaku i Kryepazarit

Sokaku i parë i Pazarit të Shkodrës ka qenë Kryepazari që shërbente si shesh-ndalimi e pushimi i pajtonëve shëtitës, por edhe që përmblidhte disa mjeshtëri, si:

Qerrexhijtë, që ishin mjeshtrat e punimit të qerreve prej druri me rrota të mëdha. Më i njohuri ndër to ka qënë Cen Dushi; Katrovaxhinjtë, që merreshin me punimin e enëve prej balte, ku si mjeshtra njiheshin disa vllehë, të ardhur nga Kavaja;

Nallbanët, të cilët përveç se mbathnin kuajt, kishin dhe hanet e tyre që shërbenin si strehë për klientët dhe kafshët e tyre, gjatë ditëve të pazarit. Ndër hanet më të përmendura në atë kohë kanë qenë ato të Alo Syles dhe Met Bjeshkës;

Samarxhijtë, që punonin dhe shisnin samarë ku përmenden vëllezërit Can, Halili dhe Bacej.

Sokaku i Arkaxhijve

Mjeshtrët e këtij sokaku merreshin kryesisht me punimet e arkave të nuseve si dhe të djepeve për fëmijë të vegjël

Sokaku i Dyfekçijve

Në këtë sokak, mjeshtrit punonin armë artizanale të një cilësie të rrallë, për të cilën ishte i njohur qyteti i Shkodrës, sidomos gjatë periudhës osmane. Në këtë sokak bënin pjesë edhe tullumbapunuesit(këpucë gome) si dhe punuesit e rripave të malësorëve të mbiShkodrës. Për punimin e këtyre rripave duhej një mjeshtëri e veçantë, sepse ato punoheshin me tel të bardhë në formë qëndisje dhe shërbenin për t’u vënë në bel nga malësorët.

Sokaku i Krypëshitësve dhe opingarëve

Këto dy sokaqe ishin njëri pas tjetrit.

Opingarët punonin dhe shisnin opinga që në atë kohë përdoreshin nga malësorët dhe katundarët, ndërsa tregtinë e kripës e ushtronin vetëm disa persona (në formë monopoli) që e sillnin me varka nga Vlora, por edhe nga Malta e vende të tjera. Ndër tregtarët më të fuqishëm të krypës në atë kohë njiheshin Gjylbegajt dhe Mustafë Boriçi.

Sokaku i Kasaphasë

Ky sokak përfshinte 100 dyqane për shitjen e mishit. Për t’u përmendur është fakti se pas vitit 1880 mjeshtëria e mishit u monopolizua nga emigrantët nga Podgorica.

Sokaku i Terzijve

Mjeshtrit e tij merreshin me qepjen qëndisjen dhe punimin e rrobave kombëtare, ku vlen të përmendet specialisti Alush Gjylbegu, i cili i kishte përgatitur që nga fillimi deri në fund, petkat kombëtare shkodrane, mbretit Ahmet Zogu.

Sokaku i Magazeve

Ky sokak, shërbente për të depozituar dhe shitur drithërat e pronarëve çifligarë. Përveç këtyre në këtë sokak kishte edhe magazina të leshit dhe të lëkurëve që eksportoheshin nga tregtarët shkodranë.

Sokaku i Pemnave

Në këtë sokak, pemëshitësit, pasi sistemonin mallin e tyre me mjaft estetikë, fillonin të tregonin dhe të bënin konkurrencë me njëri-tjetrin, duke e reklamuar mallin me zë të lartë.

Sokaku i Tellallëve

Në këtë sokak shiteshin objekte dhe rroba të vjetra si dhe sende me komision.

Sokaku i Saraçëve

Mjeshtrit e këtij sokaku, unonin shala kuajsh, rrypa lëkure, frena, dhe pajisje të tjera lëkure

Sokaku i Elbnave

Sokaku i Djathnave

Sokaku i Miellnave

Sokaku i Drithërave

Sokaku i Oriznave

Sokaku i Hamzagës

Sokaku i Zaganjorëve

Sokaku i Krajanëve

Sokaku i Këpucarëve Kombëtarë

Sokaku i Kujxhijve ose argjendarëve

Sokaku i Sqelës ose i Portit të qytetit

Pas 1944, qeveria komuniste dëboi mjeshtrit dhe tregtarët

Emigrantët grekë “plaçkitën” Pazarin e Shkodrës

Pas vitit 1944, Pazari i Shkodrës, iu hoq nga qeveria komuniste e asaj kohe tregtarëve të qytetit. Për ironi të verës së tij, ai u bë strehë për emigrantët grekë, të cilët pak e nga pak filluan ta shkatërronin atë, duke hapur e marrë dërrasat dhe tarabat e dyqaneve për t’i djegur për ngrohje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›