Debaton me shokun, e qëllon në makinë me 3 plumba pistolete

Makina e viktimës
VLORE – Ekzekutohet me tre plumba pistolete 31-vjeçari. Qyteti i Vlorës u përgjak mbrëmjen e djeshme pas një grindjeje mes viktimës dhe autorit, të cilit ishin shokë mes tyre. Viktima është Fatjon Bani, i cili ndërroi jetë pak minuta pas dërgimit në urgjencën e spitalit. Policia ka identifikuar në kohë rekord autorin, bazuar edhe në dëshmitë e personave të pranishëm në vendin e krimit. Sipas Policisë, Juxhin Dauti, 22 vjeç, i cili rreth 1 javë më parë ishte kthyer nga Italia, është zënë me Banin në një lokal në lagjen “Pavarësia” të Vlorës, afër repartit zjarrfikës. Pas konfliktit, që klasifikohet për motive banale të çastit, 31-vjeçari është ngritur dhe ka hipur në makinën e tij. Ky moment ka qenë fatal, pasi Dauti e ka arritur dhe e ka qëlluar disa herë me armë zjarri. Të parët që diktuan ngjarjen e rëndë ishin punonjësit e zjarrfikëses, për shkak të afërsisë me vendin ku ndodhi plagosja. Ata kanë dëgjuar krismat e armës së zjarrit dhe më pas thirrjet për ndihmë që vinin nga një makinë me targa italiane. Menjëherë kanë marrë të plagosurin dhe e kanë dërguar në urgjencën e spitalit të Vlorës. Gjatë transportit i plagosuri ka deklaruar se është qëlluar nga një i njohuri i tij brenda në makinë, pas një grindjeje të momentit. Sipas burimeve të Policisë, të dy personat kanë njohje prej kohësh si dhe janë banorë të një lagjeje. Para se të ndodhte krimi, të dy djemtë ndodheshin në një prej lokaleve të zonës së njohur si “Aleksandria”, ku mes tyre është regjistruar dhe grindja. Më tej, Dauti ka ndjekur shokun e tij duke e qëlluar brenda në makinë, pa arritur të largohet në kohë. Policia e Vlorës ka ngritur postblloqe të shumta për kapjen e autorit të identifikuar. Ky i fundit kishte pak ditë që ishte kthyer nga Italia, pas një kohe të shkurtër. Nga verifikimet e policisë rezulton që Dauti ka qenë më parë i dënuar për armëmbajtje pa leje. Viktima mësohet se administronte një lokal me familjarët e tij në Vlorë.