Berisha vizitë në Hungari, i ftuar nga Orban

Berisha dhe Orban
Kryeministri Sali Berisha është nisur sot për një vizitë zyrtare në Hungari, me ftesë të homologut të tij, Viktor Orban. Në fokus të takimeve të kreut të qeverisë do të jetë thellimi i marrëdhënieve ekonomike në fusha me interes te përbashkët dhe rritja e investimeve. Vizita e kryeministrit shqiptar përkon edhe me 90 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Hungarisë.
Në ditën e parë të vizitës kryeministri Berisha do të pritet nga kryeministri Orban me të cilin do të zhvillojë një takim kokë më kokë, i pasuar nga takimi zyrtar midis dy delegacioneve në fund të të cilit dy kryeministrat do të dalin në një konferencë për shtyp.
Gjatë kësaj vizite kryeministri do të zhvillojë takime edhe me Presidentin e Republikës së Hungarisë zotin Pal Schmitt, Kryetarin e Parlamentit zotin Laszlo Kover, si dhe Ministrin e Jashtëm zotin Janosh Martonyi. Një drekë për nder të kryeministrit Berisha do të shtrojë edhe kryetari i Bashkisë së Budapestit zoti Istvan Tarlosh.
Gjithashtu, kryeministri Berisha do të vizitojë edhe Universitetin ELTE të Budapestit ku do të nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit në fushën e arsimit, shkencës dhe kulturës.
Kryeministri do të vizitojë një ekspozitë të çelur në ambientet e Ministrisë së jashtme të Hungarisë me rastin e 90 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve ku do të mbajë edhe një fjalë përshëndetëse.
Gjatë kësaj vizite zyrtare kryeministri do të takohet me përfaqësues të diasporës dhe miq të Shqipërisë në një aktivitet të organizuar në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë gjatë së cilës do ti dorëzohet titulli Konsull Nderi zotit Avni Hafuzi.
Kryeministri shoqërohet gjatë kësaj vizite nga ministri i arsimit zoti Myqerem Tafaj dhe Zëvendësministri i Bujqësisë zoti Tokli Thomai.