Halimi: Portalet e Drejtësisë na kursyen 300 mijë euro

Eduard Halimi
TIRANE – Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, dorëzoi dje çmime mirënjohjeje publike për specialistët e informatikës që kanë ndërtuar tri portale të rëndësishme dixhitale të sistemit të drejtësisë. I pari që mori çmimin ishte Aristotel Agaraj, ndërtuesi i portalit elektronik One stop shop për noterët. Në emër të qeverisë shqiptare, e cila me vendimin e saj nr. 495/2012 më ka autorizuar mua, i jap sot Çmimin e mirënjohjes publike dhe një shpërblim shkencor prej një milion lekësh për punën, përkushtimin, talentin, por dhe kursimin prej 300 mijë eurosh që ai u bëri qytetarëve nga buxheti i shtetit, u shpreh ministri Halimi teksa i dorëzoi çmimin. Me çmimin e Mirënjohjes publike u nderua edhe Xhevahir Llakaj. Llakaj është personi që ka punuar për ndërtimin e shërbimeve on-line në zyrat e regjistrimit. Në fjalën e tij, ministri u shpreh se përmes modernizimit të sistemit, veç shkurtimit të burokracive, luftohet korrupsioni dhe qytetarët fitojnë kohë e kursejnë para. Specialisti i tretë që iu dha çmim ishte Agim Kasaj, autori i krijimit të portalit të gjykatave. Duke iu shprehur mirënjohje në emër të Ministrisë së Drejtësisë për punën e shkëlqyer të kryer prej tyre, ministri Halimi u dha specialistëve Llakaj dhe Kasaj nga 250 mijë lekë shpërblim shkencor. Në mbyllje të kësaj ceremonie nuk mundem të mos reflektoj mbi këto tri histori njerëzish, krijuesish, novatorësh, punëtorë të talentuar dhe energjikë, të cilat marrin kuptim të veçantë edhe pse zhvillohen në një vit të rëndësishëm për Shqipërinë, në 100-vjetorin e pavarsisë, përmbylli ministri fjalën e tij. ar.ba