Lavdërim Tufa ndërron burg, do ulje dënimi

Lavdërim Tufa
TIRANE Lavdërim Tufa, i dënuari me 20 vjet burg si pjesëmarrës në vrasjen e biznesmenit Fatmir Rama në vitin 2003, të njohurit si Miri i Xhikes, kërkon ulje dënimi. Kërkesa e tij është depozituar dy ditë më parë në Gjykatën e Tiranës, është regjistruar në numrin 1273 dhe pritet të shqyrtohet nga gjyqtari Artan Gjermeni. Në rolin e paditësit në këtë kërkesë është Lavdërim Tufa, ndërsa objekti i saj është ulje dënimi. Kjo kërkesë e Tufës vjen pak ditë pasi Gjykata pranoi kërkesën e tij për tu transferuar nga një burg i sigurisë së lartë në një burg të sigurisë së zakonshme. Avokati mbrojtës i të dënuarit në pretendimet e tij ndër të tjera deklaroi se kërkuesi Lavdërim Tufa ka vuajtur më shumë se gjysmën e dënimit të dhënë me vendimin e formës së prerë nr.1723, datë 30.11.2011. Gjatë kësaj periudhe ky i dënuar ka qenë korrekt dhe ka demonstruar një sjellje shumë të mirë, një qëndrim pendues, gjë kjo që është vlerësuar dhe nga institucioni i burgut Fushë-Krujë, thuhej në vendimin që pranoi transferimin e tij. Lavdërim Tufa u dënua me 20 vjet burg nga Gjykata e Tiranës më 30 nëntor 2011, pasi u deklarua i fajshëm për pjesëmarrje në vrasjen e Mirit të Xhikes në vitin 2003. Ky vendim gjyqësor mori formë të prerë në Gjykatën e Apelit Tiranë më 23 maj 2012. Në vendimin e fajësisë gjykata u shpreh se Tufa kishte dhënë ndihmesë në vrasje, por se nuk ishte ekzekutor. Ai u shpall i fajshëm për kryerjen e veprës penale të vrasjes në rrethana të tjera cilësuese kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave. ar.ba