E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debitorët VIP të VEFA-s, dosja në gjyq

Prokuroria mbyll hetimet për administrimin e pasurive të VEFA-s dhe SILVA-s. Shtetit iu shkaktua 100 milionë USD borxh

Tre administratorë të fajdeve do të përballen me gjykatën pasi hoqën nga lista 2000 debitorë

TIRANË- Njësia Task-Forcës së krimit ekonomik, pas hetimeve disamujore zbardhi dhe dërgoi në Gjykatë dosjen penale me katër të pandehurit e akuzuar për heqjen e debitorëve nga lista e borxhlinjve dhe për shitjen e trojeve të firmave piramidale, pas falimentimit të tyre. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë organit të akuzës, të cilët shtuan se të pandehurit: Daniela Riska, Nasip Ahmeti dhe Sabah Duckollari me detyrë ish-administratorë të firmës piramidale “VEFA” dhe “SILVA”, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë hequr nga lista e debitorëve rreth 2000 persona. Nga hetimet disamujore ka rezultuar se në mesin e personave të hequr nga lista e debitorëve, janë ish-ministra të qeverisë shqiptare, ish-deputetë dhe deputetët të tanishëm nga të dyja krahët politikë. Sipas kërkesës për gjykim, me heqjen e këtyre debitorëve nga lista, administratorët e VEFA-së dhe SILVA-ës i kanë sjellë shtetit një dëm prej rreth 100 milionë dollarësh.

“Nga hetimet ka rezultuar se të pandehurit Sabah Duçkollari dhe Nasip Ahmeti, ky i fundit i dënuar më parë për të njëjtat vepra penale, në kohën që kryenin detyrat e administratorëve të kompanisë VEFA, kanë hequr nga lista e borxhlinjve shumë debitorë, që i detyroheshin kësaj kompanie para të marra në kohën e “lulëzimit” të tyre në vjeljen e parave të popullit me përqindje të larta. Gjithashtu, edhe e pandehura Daniela Riska që kryente detyrën e administratores së firmës piramidale “SILVA” ka kryer me të njëjtën metodë heqjen e debitorëve nga lista e borxhlinjve, duke i shkaktuar një dëm të konsiderueshëm shtetit”,-thuhet në kërkesën për gjykim. Sipas këtyre burimeve, të pandehurit do të gjykohen pa një masë sigurie, për shkak se veprimet e tyre abuzive janë kryer shumë vite më parë, që kalon të gjitha afatet procedurale për një hetim dhe gjykim të shpejtë. Ndërkohë, po në kërkesën për gjykim, është zbardhur edhe abuzimi i shitjes së parkut komunal në Tiranë, ku nën drejtimin e Kryetarit të Qendrës së Ankandeve, Viktor Frashëri dhe dy administratorëve të kompanisë VEFA është bërë shitja në ankand e kësaj prone.

Ky park, me rreth 9 mijë metra katrorë blihet në vitin 1996 për shfrytëzimin e objekteve nga kompania “VEFA” që administrohej nga pronari Vehbi Alimuça. Pas falimentimit të kësaj firme piramidale, administratorët e nxjerrin në ankand në vitin 1998, por problemi me pronarët e bllokon këtë ankand edhe pse kishte një blerës. Pas shqyrtimit të çështjes në tre shkallët e gjyqësorit, Gjykata e Lartë vendosi që kjo pronë i takon kompanisë VEFA dhe jo pronarëve që pretendonin se ishte e tyre. Duke marrë shkas nga ky vendim, dy administratorët e firmës piramidale VEFA, Nasip Ahmeti e Sabah Duckollari po atë vit e nxjerrin në ankand sërish, por këtë radhë duke shitur me vlerën e rreth 1.3 miliardë lekë të vjetra. Nga një përllogaritje e vogël e çmimit të tregut rezulton se dëmi i shkaktuar shtetit kap shifrën e 250 milionë lekëve të vjetra. Përveç, kësaj shkeljeje, sipas kërkesës për gjykim, të pandehurit nuk kanë hapur edhe njëherë nga fillimi procedurat e tenderimit, por ia kanë shitur firmës fituese të vitit 1998.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›