Investitorët gjermanë: Situata e pronësisë, e paqartë
TIRANË - Problemi ende i pazgjidhur i pronave në Shqipëri, e përballi dje Kryeministrin Berisha më pasigurinë që kanë investitorët e huaj për të investuar në Shqipëri. Në Konferencën ekonomike të organizuar midis Shqipërisë dhe Gjermanisë, ku merrte pjesë edhe kryeministri Sali Berisha, Ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Borchard-i, u shpreh për pasigurinë që kanë investitorët e huaj, konkretisht ata gjermanë për të investuar në fushën energjetike. “Biznesmenët gjermanë janë të interesuar për të investuar në fushën e energjisë në Shqipëri, por ata pyesin për situatën e paqartë të pronësisë që është në Shqipëri dhe ne u themi se, qeveria ka nisur një proces për dhënien me koncesion të zonave ku do të ndërtohen hidrocentralet”, - tha ai. Deklarata e ambasadorit shprehu qartë problemin e madh që ka vendi ynë për të garantuar sigurinë e pronës dhe reflektoi se sa pak e besueshme është Shqipëria, pavarësisht propagandës së reformave të ndërmarra në emër të tërheqjes së investimeve të huaja, të cilat nuk reshtën së përmenduri nga kryeministri, as në konferencën e djeshme.“Shqipëria është një vend i sigurt për investimet e huaja, përsa i përket legjislacionit dhe masave që ka marrë. Për të realizuar objektivin, ne ndërmorëm reforma të thella. Këto reforma kanë dhënë rezultate. Këto që ne kemi arritur, përbëjnë thjesht një platformë për të realizuar ambiciet tona shumë më të mëdha. Unë ju siguroj se kemi punuar dhe po punojmë shumë në çdo element të klimës së biznesit, për ta bërë Shqipërinë një nga vendet më tërheqëse në botë për investimet e huaja”, - tha Berisha në fjalën e tij, duke mos marrë parasysh shqetësimin që shprehu ambasadori Gjerman në lidhje me këtë çështje.